Sipas Mateut 13:1-58
-
ILUSTRIME PËR MBRETËRINË (1-52)
-
Mbjellësi (1-9)
-
Pse i përdorte Jezui ilustrimet (10-17)
-
Shpjegimi i ilustrimit me mbjellësin (18-23)
-
Gruri dhe egjrat (24-30)
-
Kokrra e sinapit dhe majaja (31-33)
-
Përmbushet profecia për përdorimin e ilustrimeve (34, 35)
-
Shpjegimi i ilustrimit të grurit dhe të egjrave (36-43)
-
Thesari i fshehur dhe margaritari i çmuar (44-46)
-
Rrjeta tratë (47-50)
-
Thesare të reja e të vjetra (51, 52)
-
-
Jezuin nuk e pranojnë në vendin e vet (53-58)
13 Atë ditë Jezui doli nga ajo shtëpi dhe po rrinte ulur buzë detit.
2 Përreth iu mblodh një turmë aq e madhe, sa ai hipi në një varkë dhe u ul, kurse e gjithë turma rrinte në këmbë në breg.+
3 Atëherë ai u tregoi shumë gjëra me anë të ilustrimeve+ dhe tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë.+
4 Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, dhe zogjtë vajtën e i hëngrën.+
5 Të tjera ranë në një vend shkëmbor, ku nuk kishte shumë dhé, prandaj mbinë menjëherë sepse toka nuk ishte e thellë.+
6 Por, kur lindi dielli, bimët e njoma u zhuritën dhe, meqë s’kishin rrënjë, u thanë.
7 Një pjesë tjetër ra mes gjembave, të cilët u rritën e i mbytën.+
8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe filluan të jepnin fryt, njëra 100-fish, tjetra 60 dhe një tjetër 30.+
9 Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+
10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe e pyetën: «Pse u flet me ilustrime?»+
11 Ai iu përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta+ të Mbretërisë së qiejve, kurse atyre nuk u është lejuar,
12 sepse atij që ka, do t’i jepet më shumë dhe do të ketë me bollëk, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+
13 Ja pse u flas me ilustrime, sepse shohin, por shohin më kot, dhe dëgjojnë, por dëgjojnë më kot, dhe as që e kapin kuptimin.+
14 Në rastin e tyre po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘Vërtet do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do ta kapni kuptimin. Vërtet do të shihni, por kurrsesi nuk do të dalloni,+
15 sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme. Kanë dëgjuar me veshë, por nuk kanë reaguar. I kanë mbyllur sytë që të mos shohin kurrë me ta, edhe veshët që të mos dëgjojnë, edhe zemrën që të mos e kapin kuptimin, që të mos kthehen tek unë e t’i shëroj.’+
16 Megjithatë, lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!+
17 Vërtet po ju them: shumë profetë dhe njerëz të drejtë donin t’i shikonin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë,+ dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.
18 Tani, dëgjoni shpjegimin e ilustrimit të mbjellësit.+
19 Kur dikush e dëgjon fjalën e Mbretërisë, por nuk e kap kuptimin e saj, vjen i Ligu+ dhe e rrëmben atë që u mboll në zemër. Kjo është fara që ra përgjatë rrugës.+
20 Sa për atë që ra në një vend shkëmbor, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe menjëherë e pranon me gëzim,+
21 mirëpo ajo nuk zë rrënjë në zemrën e tij. Prandaj, edhe pse vazhdon për njëfarë kohe, kur vijnë shtrëngimet* ose përndjekjet për shkak të fjalës, ai heq dorë menjëherë.
22 Sa për atë që ra mes gjembave, ky është ai që e dëgjon fjalën, por ankthet e kësaj bote*+ dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën, dhe ajo nuk jep fryt.+
23 Sa për atë që ra në tokë të mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe e kap kuptimin e saj. Ai jep vërtet fryt dhe prodhon: njëri 100-fish, tjetri 60 dhe një tjetër 30.»+
24 Pastaj u tregoi një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.
25 Kur të gjithë po flinin, armiku i tij erdhi dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku.
26 Kur filizat mbinë dhe prodhuan fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat.
27 Kështu skllevërit e të zotit të shtëpisë vajtën dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga dolën vallë egjrat?’
28 Ai u tha: ‘Këtë e ka bërë një armik.’+ Skllevërit e pyetën: ‘A dëshiron që të dalim e t’i mbledhim?’
29 Ai iu përgjigj: ‘Jo, kam merak se, duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin.
30 Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në tufa që ta digjni, pastaj mblidhni grurin e futeni në depon time.’»+
31 Ai u tregoi edhe një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si një kokërr sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arë.+
32 Ajo është më e vogla e të gjitha farave, por kur rritet, është më e madhja ndër bimët* dhe bëhet si pemë, aq sa zogjtë e qiellit shkojnë e gjejnë strehë mes degëve të saj.»
33 Më pas u tregoi edhe një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si majaja, të cilën një grua e mori dhe e përzieu me tri masa të mëdha* mielli, derisa erdhi i gjithë brumi.»+
34 Gjithë këto gjëra Jezui ia tha turmës me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre,+
35 që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: «Do të flas me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga fillimi.»*+
36 Pastaj, pasi e shpërndau turmën, ai shkoi në shtëpi. Dishepujt vajtën tek ai dhe i thanë: «Na e shpjego ilustrimin e egjrave në arë.»
37 Ai iu përgjigj: «Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut.
38 Ara është bota+ dhe fara e mirë janë bijtë e Mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të Ligut.+
39 Armiku që i mbolli, është Djalli. Koha e korrjes është përfundimi i një sistemi* dhe korrësit janë engjëjt.
40 Prandaj, ashtu si mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të ndodhë në përfundim të sistemit.*+
41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet, që do të mbledhin e do të nxjerrin nga Mbretëria e tij çdo gjë që i çon të tjerët në mëkat,* bashkë me ata që bëjnë vepra të paligjshme,*
42 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë.+ Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.
43 Në atë kohë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli+ në Mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë, le të dëgjojë.
44 Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkoi e shiti gjithçka dhe e bleu atë arë.+
45 Përsëri, Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të çmuar.*
46 Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që kishte dhe e bleu.+
47 Përsëri, Mbretëria e qiejve është si një rrjetë tratë* e hedhur në det, që kishte mbledhur peshq të çdo lloji.
48 Kur ajo u mbush, peshkatarët e tërhoqën në breg, u ulën dhe i futën peshqit e mirë+ nëpër enë, kurse të papërshtatshmit+ i hodhën.
49 Kështu do të jetë në përfundim të sistemit:* engjëjt do të dalin e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët,
50 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.
51 A e kapët kuptimin e të gjitha këtyre gjërave?» Ata i thanë: «Po.»
52 Pastaj ai u tha: «Atëherë dijeni se çdo mësues,* që ka marrë njohuri për Mbretërinë e qiejve, është si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.»
53 Kur i mbaroi ilustrimet, Jezui iku që andej.
54 Pastaj vajti në vendin e tij+ dhe nisi t’i mësonte njerëzit në sinagogën e tyre, aq sa ata u habitën dhe thanë: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri dhe zotësi për të kryer këto vepra të fuqishme?!+
55 A s’është ky biri i zdrukthëtarit?+ A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë?+
56 A nuk jetojnë motrat e tij mes nesh? Ku i gjeti, pra, ky njeri gjithë këto?»+
57 Për këtë arsye nuk besuan tek ai.*+ Por Jezui u tha: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet nuk nderohet profeti.»+
58 Kështu që nuk bëri shumë vepra të fuqishme atje, sepse atyre u mungonte besimi.
Shënimet
^ Ose «vështirësitë».
^ Ose «e këtij sistemi; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, perimet.
^ Ose «rreth 10 kilogramë». Fjalë për fjalë «tri masa sea». Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
^ Një mundësi tjetër «themelimi i botës».
^ Ose «i një kohe; i një rendi». Shih Fjalorthin.
^ Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «çdo gjë që shkakton pengesë».
^ Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
^ Ose «perla të çmuara».
^ Ose «rrjetë peshkimi».
^ Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «skrib». U referohet dishepujve që mësonin në publik.
^ Fjalë për fjalë «nisën të pengoheshin për shkak të tij».