Sipas Mateut 15:1-39

  • Demaskohen traditat njerëzore (1-9)

  • Ndotja buron nga zemra (10-20)

  • Besimi i madh i gruas fenikase (21-28)

  • Jezui shëron shumë sëmundje (29-31)

  • Jezui ushqen 4.000 burra (32-39)

15  Atëherë, nga Jerusalemi, disa farisenj dhe skribë vajtën te Jezui+ dhe e pyetën:  «Pse dishepujt e tu shkelin traditat e të parëve? Për shembull, ata nuk i lajnë duart* para se të hanë.»+  Ai iu përgjigj: «Po ju, pse shkelni urdhërimet e Perëndisë për shkak të traditave tuaja?+  Për shembull, Perëndia tha: ‘Ndero babanë dhe nënën tënde’+ dhe ‘Ai që shan* babanë ose nënën, do të vdesë.’+  Kurse ju thoni: “Ai që i thotë babait ose nënës: ‘Gjithçka me të cilën mund të të ndihmoja, ia kam kushtuar si dhuratë Perëndisë’,+  s’ka pse ta nderojë të atin.” Kështu e keni zhvleftësuar fjalën e Perëndisë, për shkak të traditave tuaja.+  Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:+  ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë.  Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse doktrinat që mësojnë, janë veçse urdhërime njerëzish.’»+ 10  Atëherë ai thirri turmën pranë dhe u tha: «Dëgjoni dhe kapni kuptimin e kësaj:+ 11  njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por çfarë del nga goja.»+ 12  Atëherë dishepujt u afruan dhe i thanë: «A e di që farisenjtë u skandalizuan kur dëgjuan atë që the?»+ 13  Ai iu përgjigj: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të shkulet me rrënjë. 14  Mos u merrni me ta. Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër. E nëse një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.»+ 15  Pastaj Pjetri i tha: «Na e sqaro ilustrimin.» 16  Prandaj ai ia ktheu: «Edhe ju nuk po e kuptoni akoma?+ 17  A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë, kalon nëpër stomak dhe pastaj del jashtë?* 18  Por çdo gjë që del nga goja, vjen nga zemra, dhe këto gjëra e ndotin njeriun.+ 19  Për shembull, nga zemra vijnë arsyetime të liga,+ të cilat çojnë në vrasje, kurorëshkelje,* imoralitet seksual,* vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.* 20  Këto gjëra e ndotin njeriun, dhe jo ngrënia me duar të palara.»* 21  Jezui iku që andej dhe shkoi në rajonin e Tirit dhe të Sidonit.+ 22  Kur ja, një grua fenikase nga ato anë erdhi dhe, duke iu përgjëruar, thërriste: «Ki mëshirë për mua, Zotëri, Bir i Davidit! Vajza ime po vuan tmerrësisht prej demonëve.»+ 23  Por ai nuk i ktheu asnjë fjalë. Prandaj dishepujt iu afruan dhe iu lutën: «Largoje atë, sepse vazhdon të vijë pas nesh e të përgjërohet gjithë kohës.» 24  Ai iu përgjigj: «Unë nuk u dërgova tek askush tjetër, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.»+ 25  Por gruaja erdhi, i bëri nderime* dhe i tha: «Zotëri, më ndihmo!» 26  Ai iu përgjigj: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh të vegjëlve të qenve.» 27  Ajo tha: «Po, Zotëri, por edhe të vegjlit e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.»+ 28  Atëherë Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! U bëftë ashtu si dëshiron ti!» Në çast, vajza e saj u shërua. 29  Pasi u largua prej andej, Jezui vajti pranë detit të Galilesë,+ u ngjit në mal dhe ndenji ulur atje. 30  Atëherë iu afruan turma të mëdha dhe i sollën të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë dhe shumë të tjerë, të cilët i vunë te këmbët e tij, dhe ai i shëroi.+ 31  Kështu turmat u mrekulluan tek shihnin të pagojët të flitnin, të çalët të ecnin e të verbrit të shihnin, dhe i dhanë lavdi Perëndisë së Izraelit.+ 32  Pastaj Jezui i thirri pranë dishepujt e tij dhe u tha: «Më vjen keq për turmën,+ sepse tashmë kanë tri ditë që qëndrojnë me mua dhe nuk kanë ç’të hanë. Nuk dua t’i nis pa ngrënë, se mos u bie të fikët.»+ 33  Mirëpo dishepujt i thanë: «E ku të shkojmë në këtë vend të veçuar, që të gjejmë aq bukë sa të ngopet një turmë kaq e madhe?»+ 34  Atëherë Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?» Ata iu përgjigjën: «Shtatë, dhe ca peshq të vegjël.» 35  Kështu, pasi i tha turmës të shtrohej përtokë, 36  ai mori shtatë bukët dhe peshqit dhe, pasi falënderoi Perëndinë, i theu e nisi t’ua jepte dishepujve, të cilët ia dhanë turmës.+ 37  Të gjithë hëngrën e u ngopën, dhe mblodhën copat që kishin tepruar: shtatë shporta të mëdha të mbushura plot.+ 38  Hëngrën 4.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve. 39  Së fundi, pasi e nisi turmën, ai hipi në varkë dhe vajti në rajonin e Magadanit.+

Shënimet

Domethënë, nuk i pastrojnë ceremonialisht duart.
Ose «mallkon».
Ose «përfundon në nevojtore?»
Ose «tradhti bashkëshortore».
Shumësi i fjalës greke porneía. Shih Fjalorthin.
Domethënë, të papastruara ceremonialisht.
Ose «u përkul para tij».