Sipas Mateut 20:1-34
20 Në fakt, Mbretëria e qiejve ngjan me një zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të merrte punëtorë për vreshtin e tij.+
2 Pasi kishte rënë dakord me punëtorët për një denar* në ditë, i dërgoi të punonin në vresht.
3 Ai doli edhe rreth orës së tretë,* pa disa të tjerë të papunë që rrinin në sheshin e pazarit
4 dhe u tha: ‘Shkoni edhe ju të punoni në vresht dhe do t’ju jap hakun e punës.’
5 Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës së gjashtë* e të nëntë* dhe bëri po ashtu.
6 Në fund, rreth orës së 11-të,* doli e gjeti disa të tjerë që po rrinin aty rrotull dhe i pyeti: ‘Pse keni ndenjur këtu gjithë ditën pa punë?’
7 Ata iu përgjigjën: ‘Ngaqë s’na mori njeri në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju të punoni në vresht.’
8 Kur ra mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha përgjegjësit të punëtorëve: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën,+ duke filluar nga të fundit e deri te të parët.’
9 Kur erdhën punëtorët e orës së 11-të, morën secili nga një denar.*
10 Kështu, kur erdhën të parët, kujtuan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën secili nga një denar.*
11 Pasi e morën, ata nisën të ankoheshin kundër të zotit të shtëpisë
12 dhe thanë: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë, e megjithatë ti i trajtove njësoj si ne që u rraskapitëm gjithë ditën në vapën përvëluese!’
13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj asnjë padrejtësi. A nuk re dakord me mua për një denar?*+
14 Merr atë që është jotja dhe shko. Nëse dua t’u jap këtyre të fundit aq sa ty,
15 a s’më takon mua të bëj ç’të dua me gjërat e mia? Apo e ke syrin lakmitar,* ngaqë unë jam i mirë?’*+
16 Kështu pra, të fundit do të jenë të parët, dhe të parët, të fundit.»+
17 Ndërsa po ngjiteshin në Jerusalem, Jezui i mori veçmas 12 dishepujt dhe u tha rrugës:+
18 «Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje+
19 dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve,* që do ta tallin, do ta fshikullojnë e do ta ekzekutojnë në shtyllë,+ por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+
20 Pastaj nëna e bijve të Zebedeut+ iu afrua bashkë me dy djemtë e saj, i bëri nderime* dhe i kërkoi diçka.+
21 Ai i tha: «Më thuaj çfarë dëshiron?» Ajo iu përgjigj: «Më jep fjalën që këta dy djemtë e mi do të ulen njëri në të djathtën tënde e tjetri në të majtë, në Mbretërinë tënde.»+
22 Jezui ua ktheu: «Ju nuk e dini çfarë po më kërkoni. A mund ta pini kupën që do të pi unë?»+ Ata iu përgjigjën: «Po, mundemi.»
23 Ai u tha: «Ju vërtet do të pini kupën time,+ por nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën a në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.»+
24 Kur dëgjuan për këtë, dhjetë të tjerët u indinjuan me dy vëllezërit.+
25 Por Jezui i thirri pranë dhe u tha: «Ju e dini se sundimtarët e kombeve sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë autoritet mbi kombet.+
26 Por mes jush nuk duhet të jetë kështu.+ Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj,+
27 dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi juaj.+
28 Ashtu sikurse Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë+ dhe të japë jetën* e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»+
29 Ndërsa po dilnin nga Jerikoja, atë e ndiqte një turmë e madhe.
30 Dhe ja, dy të verbër që ishin ulur buzë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, thërritën: «Zotëri, Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!»+
31 Por turma u tha rreptësisht që të mos flisnin. Megjithatë ata thërritën edhe më fort: «Zotëri, Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!»
32 Atëherë Jezui u ndal, i thirri dhe i pyeti: «Çfarë doni që të bëj për ju?»
33 Ata iu përgjigjën: «Të na hapen sytë, Zotëri.»
34 I shtyrë nga keqardhja, Jezui u preku sytë+ dhe menjëherë atyre u erdhi shikimi dhe e ndoqën.
Shënimet
^ Shih Shtojcën B14.
^ Domethënë, rreth orës 9 paradite.
^ Domethënë, rreth orës 12 të drekës.
^ Domethënë, rreth orës 3 pasdite.
^ Domethënë, rreth orës 5 pasdite.
^ Shih Shtojcën B14.
^ Shih Shtojcën B14.
^ Shih Shtojcën B14.
^ Domethënë, që kërkon shumë gjëra. Fjalë për fjalë «të keq; të lig».
^ Ose «bujar?»
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «u përkul para tij».
^ Ose «shpirtin».