Sipas Mateut 21:1-46

  • Hyrja triumfuese e Jezuit në Jerusalem (1-11)

  • Jezui pastron tempullin (12-17)

  • Mallkohet fiku (18-22)

  • Sfidohet autoriteti i Jezuit (23-27)

  • Ilustrimi me dy djemtë (28-32)

  • Ilustrimi me kultivuesit vrasës (33-46)

    • Guri kryesor i qoshes hidhet poshtë (42)

21  Kur iu afruan Jerusalemit dhe mbërritën në Betfagë, në Malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj+  dhe u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të mbërrini atje, do të gjeni një gomaricë të lidhur e një kërriç bashkë me të. Zgjidhini dhe m’i sillni.  Po t’ju thotë gjë dikush, i thoni: ‘I duhen Zotërisë.’ Dhe ai do t’jua japë menjëherë.»  Në të vërtetë, kjo ndodhi që të përmbushej çfarë ishte thënë nëpërmjet profetit:  «Thuajini bijës së Sionit: ‘Ja, Mbreti yt po vjen te ti.+ Ai është me natyrë të butë+ dhe ka hipur në një gomar, po, në një kërriç, pjellë e një kafshe barre.’»+  Kështu dishepujt shkuan dhe bënë ashtu siç i udhëzoi Jezui.+  Sollën gomaricën dhe kërriçin, vunë mbi ta mantelet e tyre, dhe ai u ul mbi to.+  Shumica e turmës shtruan mantelet në rrugë,+ kurse të tjerët degë pemësh.  Përveç kësaj, turma që shkonte para dhe pas tij, brohoriste: «Shpëtoje, të lutemi,* Birin e Davidit!+ I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!*+ Shpëtoje, të lutemi ty atje lart në qiell!»+ 10  Kur ai hyri në Jerusalem, gjithë qyteti u trazua dhe populli pyeste: «Kush është ky?» 11  Turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu,+ nga Nazareti i Galilesë!» 12  Pastaj Jezui hyri në tempull, flaku jashtë të gjithë ata që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba+ 13  dhe u tha: «Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh’,+ kurse ju po e bëni shpellë kusarësh.»+ 14  Përveç kësaj, ai shëroi të verbrit e të çalët që vajtën tek ai në tempull. 15  Kur krerët e priftërinjve dhe skribët panë gjërat e mrekullueshme që bëri ai, si edhe fëmijët që po thërritnin në tempull: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!»,+ u indinjuan+ 16  dhe e pyetën: «E dëgjon ç’po thonë këta?» Jezui u përgjigj: «Po. A nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave ke marrë lavdi.’»+ 17  Dhe, pasi i la ata, doli nga qyteti e shkoi në Betani, ku kaloi natën.+ 18  Herët në mëngjes, kur po kthehej në qytet, e mori uria.+ 19  Rrugës vuri re një fik dhe iu afrua, por në të nuk gjeti gjë veç gjetheve,+ prandaj i tha: «Mos bëfsh kurrë më fryt!»+ Në çast fiku u tha. 20  Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: «Si vallë u tha në çast fiku?!»+ 21  Jezui iu përgjigj: «Vërtet po ju them se po të keni besim e po të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që i bëra unë fikut, por edhe sikur t’i thoni këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’, ashtu do të bëhet.+ 22  Po të keni besim, gjithçka që kërkoni në lutje, do ta merrni.»+ 23  Pasi shkoi në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan ndërsa po mësonte dhe e pyetën: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? E kush ta dha këtë autoritet?»+ 24  Jezui iu përgjigj: «Edhe unë do t’ju pyes për një gjë. Nëse ma thoni, atëherë edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra. 25  Pagëzimi që bënte Gjoni, nga vinte? Nga qielli apo nga njerëzit?» Ata filluan të arsyetonin me njëri-tjetrin: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Pse, pra, nuk i besuat?’+ 26  Por, po të themi ‘nga njerëzit’, kemi frikë nga turma, sepse ata të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.» 27  Prandaj iu përgjigjën Jezuit: «Nuk e dimë.» Edhe ai u tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra. 28  Më thoni si mendoni për këtë: një burrë kishte dy djem. Iu afrua të parit dhe i tha: ‘Bir, shko të punosh sot në vresht.’ 29  Ky iu përgjigj: ‘Nuk do të shkoj’, por më pas i erdhi keq dhe shkoi. 30  Ai iu afrua të dytit e i tha po njëlloj. Ky iu përgjigj: ‘Do të shkoj, baba’,* por nuk shkoi. 31  Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?» Ata thanë: «I pari.» Jezui u tha: «Vërtet po ju them se taksambledhësit dhe prostitutat do të hyjnë përpara jush në Mbretërinë e Perëndisë, 32  sepse Gjoni erdhi te ju që t’ju tregonte udhën e drejtësisë, por ju nuk e besuat. Megjithatë, taksambledhësit dhe prostitutat e besuan,+ kurse juve, edhe pasi e patë këtë, nuk ju erdhi keq dhe s’i besuat. 33  Dëgjoni një ilustrim tjetër: një pronar tokash mbolli një vresht,+ e rrethoi me gardh, gërmoi një vend për shtypësen e rrushit, ngriti një kullë,+ ua la me qira kultivuesve dhe udhëtoi në dhé të huaj.+ 34  Kur erdhi stina e vjeljes së rrushit, dërgoi skllevërit e tij te kultivuesit që të mblidhnin frytet. 35  Mirëpo kultivuesit i morën skllevërit dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e goditën me gurë derisa vdiq.+ 36  Ai dërgoi përsëri skllevër të tjerë, më shumë se të parët, por ata bënë po njëlloj edhe me këta.+ 37  Në fund u dërgoi të birin dhe tha: ‘Tim bir do ta respektojnë.’ 38  Me të parë të birin, kultivuesit i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari.+ Hajdeni ta vrasim e t’i marrim trashëgiminë!’ 39  Kështu, e kapën, e flakën jashtë vreshtit dhe e vranë.+ 40  Si mendoni, çfarë do t’u bëjë atyre kultivuesve i zoti i vreshtit kur të vijë?» 41  Ata i thanë: «Përderisa janë të ligj, ai do t’i shfarosë krejt dhe vreshtin do t’ua lërë me qira kultivuesve të tjerë, të cilët do t’ia japin frytet kur të vijë koha e të vjelave.» 42  Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar kurrë në Shkrime: ‘Guri që ndërtuesit hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes.*+ Këtë e bëri vetë Jehovai,* dhe në sytë tanë është diçka e mrekullueshme.’+ 43  Prandaj po ju them se Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj. 44  Gjithashtu, ai që bie mbi këtë gur, do të copëtohet,+ dhe ai mbi të cilin bie ky gur, do të thërrmohet.»+ 45  Kur krerët e priftërinjve dhe farisenjtë dëgjuan ilustrimet e tij, e kuptuan se po fliste për ta.+ 46  Por, edhe pse donin ta arrestonin,* kishin frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+

Shënimet

Greqisht hosanna. Një kërkesë drejtuar Perëndisë për të sjellë shpëtim, që përdoret edhe si shprehje gëzimi.
Fjalë për fjalë «imzot».
Fjalë për fjalë «koka e qoshes».
Ose «ta kapnin».