Sipas Mateut 8:1-34
8 Pasi zbriti nga mali, e ndoqën turma të mëdha.
2 Kur ja, një i lebrosur iu afrua dhe nisi t’i bënte nderime* e t’i thoshte: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»+
3 Kështu ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.»+ Menjëherë ai u pastrua nga lebra.+
4 Pastaj Jezui vazhdoi: «Shiko se mos i tregon njeriu!+ Por shko, paraqitu te prifti+ dhe jep blatimin* e caktuar nga Moisiu,+ si dëshmi* që je shëruar.»
5 Kur hyri në Kapernaum, iu afrua një centurion,* i cili iu përgjërua+
6 me këto fjalë: «Imzot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar dhe po vuan tmerrësisht.»
7 Ai iu përgjigj: «Kur të vij atje, do ta shëroj.»
8 Por centurioni ia ktheu: «Imzot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time. Por ti thuaj veç një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet,
9 sepse edhe unë, ndonëse jam nën autoritetin e dikujt, kam ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’, dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Hajde’, dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’, dhe ai e bën.»
10 Kur dëgjoi këtë, Jezui u mahnit dhe u tha atyre që e ndiqnin: «Vërtet po ju them se tek askush në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.+
11 Megjithatë, unë po ju them se shumë veta do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, e do të shtrohen në tryezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në Mbretërinë e qiejve,+
12 kurse bijtë e Mbretërisë do t’i flakin jashtë në errësirë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.»+
13 Atëherë Jezui i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë ashtu si besove!»+ Në atë çast shërbëtori u shërua.+
14 Pastaj, kur Jezui hyri në shtëpinë e Pjetrit, pa që vjehrra e tij+ dergjej në shtrat me ethe.+
15 Kështu ai i preku dorën,+ dhe atë e lanë ethet; ajo u ngrit dhe nisi t’i shërbente.
16 Por, kur ra mbrëmja, njerëzit i çuan shumë veta të pushtuar nga demonët. Ai i dëboi frymërat e liga* veç me një fjalë dhe i shëroi të gjithë ata që vuanin,
17 që të përmbusheshin fjalët e thëna nga profeti Isaia: «Ai mori mbi vete sëmundjet tona dhe mbajti lëngatat tona.»+
18 Kur pa që turma po dyndej rreth tij, Jezui u tha dishepujve të shkonin me të në anën tjetër të detit.+
19 Por një skrib iu afrua dhe i tha: «Mësues, unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.»+
20 Megjithatë Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.»+
21 Pastaj një dishepull tjetër i tha: «Zotëri, më lejo më parë të iki e të varros tim atë.»+
22 Jezui iu përgjigj: «Vazhdo të më ndjekësh dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit.»+
23 Më pas ai bashkë me dishepujt hipën në një varkë.+
24 Kur ja, në det filloi një stuhi e madhe, aq sa varka po mbulohej nga dallgët, por ai po flinte.+
25 Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «Zotëri, na shpëto se morëm fund!»
26 Por ai u tha: «Pse keni frikë?* Kaq pak besim keni?»+ Pastaj u ngrit, qortoi erërat e detin, dhe u bë qetësi e madhe.+
27 Prandaj ata u mahnitën dhe thanë: «Ç’njeri është ky që i binden edhe erërat, edhe deti?!»
28 Kur mbërriti në anën tjetër, në rajonin e gadarenëve, i dolën para dy burra të pushtuar nga demonët, të cilët po vinin nga varrezat.*+ Ata ishin jashtëzakonisht të egër, aq sa askush nuk guxonte të kalonte në atë rrugë.
29 Ata bërtisnin dhe thoshin: «Ç’punë ke me ne, o Bir i Perëndisë?+ Mos ke ardhur këtu të na mundosh+ para kohe?»+
30 Shumë larg tyre po kulloste një tufë e madhe derrash.+
31 Kështu demonët nisën t’i përgjëroheshin: «Nëse na dëbon, na dërgo që të futemi në tufën e derrave.»+
32 Atëherë ai u tha: «Shkoni!» Prandaj ata dolën, u futën te derrat dhe ja, gjithë tufa u turr drejt greminës,* ra në det dhe ngordhi në ujë.
33 Kurse çobanët ia mbathën, shkuan në qytet dhe treguan çdo gjë, edhe atë që ndodhi me burrat e pushtuar nga demonët.
34 Dhe ja, i gjithë qyteti i doli përpara Jezuit. Kur e panë, iu lutën me ngulm që të largohej nga rajoni i tyre.+