Sipas Mateut 9:1-38

  • Jezui shëron një të paralizuar (1-8)

  • Jezui thërret Mateun (9-13)

  • E pyesin për agjërimin (14-17)

  • Vajza e Jairit; një grua prek rrobën e Jezuit (18-26)

  • Jezui shëron të verbër e të pagojë (27-34)

  • Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak (35-38)

9  Atëherë ai hipi në varkë, kaloi në bregun matanë dhe shkoi në qytetin e vet.+  Dhe ja, po i sillnin një të paralizuar, të shtrirë në vig.* Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, bir! Mëkatet e tua janë falur.»+  Por disa nga skribët thanë me vete: «Ky po blasfemon.»*  Duke i ditur mendimet e tyre, Jezui tha: «Pse keni në zemër mendime kaq të liga?+  Çfarë është më e lehtë të thuash: ‘Mëkatet e tua janë falur’, apo: ‘Ngrihu dhe ec.’+  Megjithatë, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet . . .», atëherë ai i tha të paralizuarit: «Ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.»+  Dhe ky u ngrit e iku në shtëpi.  Kur pa këtë, turma mbeti gojëhapur dhe i dha lavdi Perëndisë, i cili u dha njerëzve një autoritet të tillë.  Pastaj Jezui vuri re pak më tutje një njeri që quhej Mate, të ulur në zyrën e taksave, dhe i tha: «Bëhu dishepulli im.»* Ai u çua menjëherë dhe e ndoqi.+ 10  Më vonë, kur Jezui dhe dishepujt po hanin* në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë taksambledhës e mëkatarë dhe nisën të hanin* me ta.+ 11  Me të parë këtë, farisenjtë i pyetën dishepujt: «Pse mësuesi juaj ha me taksambledhësit dhe mëkatarët?»+ 12  Kur e dëgjoi këtë, ai u tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.+ 13  Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’,+ sepse nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» 14  Pastaj dishepujt e Gjonit erdhën tek ai dhe e pyetën: «Pse ne dhe farisenjtë e kemi zakon të agjërojmë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?»+ 15  Atëherë Jezui iu përgjigj: «Miqtë e dhëndrit s’kanë pse të vajtojnë për sa kohë dhëndri+ është me ta, apo jo? Por do të vijnë ditët kur do t’ua marrin dhëndrin,+ dhe atëherë do të agjërojnë. 16  Askush nuk e arnon një rrobë të vjetër me një copë të re,* sepse copa e re futet në ujë dhe mblidhet, e kështu rroba griset edhe më keq.+ 17  As vera e re nuk hidhet në kacekë të vjetër, përndryshe ata çahen, vera derdhet dhe kacekët prishen. Por vera e re hidhet në kacekë të rinj, dhe kështu ruhen që të dy.» 18  Ndërsa u thoshte këto gjëra, një nga krerët që ishte afruar, nisi t’i bënte nderime* dhe i tha: «Tashmë me siguri vajza ime ka vdekur, por megjithatë eja, vëre dorën mbi të,* dhe ajo do të kthehet në jetë.»+ 19  Atëherë Jezui u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij. 20  Kur ja, një grua që kishte rrjedhje gjaku+ nga 12 vjet, iu afrua nga prapa dhe i preku thekët e rrobës,+ 21  sepse thoshte me vete: «Sikur vetëm rrobën t’i prek, do të shërohem.» 22  Jezui u kthye, e pa dhe i tha: «Merr zemër, bijë! Besimi yt të shëroi.»+ Dhe që nga ai çast gruaja u shërua.+ 23  Tani, kur hyri në shtëpinë e kreut dhe vuri re fyelltarët dhe turmën që gumëzhinte,+ 24  Jezui tha: «Largohuni që këtej, sepse vogëlushja nuk ka vdekur, por po fle.»+ Atëherë ata nisën të qeshnin me të dhe ta tallnin. 25  Pastaj, sapo e nxorën turmën jashtë, ai hyri, e kapi për dore vogëlushen,+ dhe ajo u ngrit.+ 26  Natyrisht, fjala për këtë u përhap në të gjithë zonën. 27  Ndërsa Jezui po largohej prej andej, dy të verbër+ e ndoqën nga pas duke thirrur: «Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!» 28  Kur mbërriti në shtëpi, të verbrit vajtën tek ai dhe Jezui i pyeti: «A keni besim se unë mund t’ju shëroj?»+ Ata iu përgjigjën: «Po, Zotëri.» 29  Atëherë ai u preku sytë+ dhe u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!» 30  Dhe sytë e tyre u hapën. Pastaj Jezui i urdhëroi prerazi: «Shikoni se mos e merr vesh njeri!»+ 31  Por, pasi dolën, ata treguan për të në gjithë zonën. 32  Kur ata po iknin, i sollën një njeri të pagojë, të pushtuar nga një demon,+ 33  dhe pasi demoni u dëbua, i pagoji foli.+ Turma u mahnit dhe tha: «Kurrë s’është parë në Izrael një gjë e tillë!»+ 34  Kurse farisenjtë po thoshin: «Ai i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve.»+ 35  Tani, Jezui nisi një udhëtim nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, që të mësonte në sinagogat e tyre, të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të shëronte çdo lloj lëngate e sëmundjeje.+ 36  Kur pa turmat, ai u prek thellë,*+ sepse ishin të keqtrajtuara* e të hallakatura si dele pa bari.+ 37  Atëherë u tha dishepujve: «Po, të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.+ 38  Prandaj përgjërojuni Zotërisë së të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»+

Shënimet

Ose «shtrat portativ».
Ose «ithtari im».
Ose «u shtruan në tryezë».
Ose «ishin shtruar në tryezë».
Domethënë, një copë të re që s’është larë ndonjëherë.
Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
Ose «nisi të përkulej para tij».
Ose «ai ndjeu keqardhje për ta».
Fjalë për fjalë «ua kishin rrjepur lëkurën».