Nehemia 5:1-19
5 Megjithatë, burrat dhe gratë e tyre ngritën një ankesë të madhe kundër vëllezërve të tyre judenj.+
2 Disa thoshin: «Kemi shumë bij e bija. Duhet të marrim drithë që të hamë e të mbajmë veten gjallë.»
3 Të tjerë thoshin: «Po lëmë peng arat, vreshtat dhe shtëpitë tona, që të marrim drithë kur të mos ketë ushqim.»
4 Kurse të tjerë thoshin: «Kemi lënë peng arat dhe vreshtat, që të marrim hua për t’i paguar haraçin* mbretit.+
5 Ne dhe vëllezërit tanë jemi të një gjaku, dhe fëmijët tanë janë njëlloj si fëmijët e tyre. Prapëseprapë neve na duhet t’i katandisim bijtë dhe bijat në skllevër, dhe disa nga bijat tona tashmë janë në skllavëri.+ Nuk bëjmë dot asgjë për ta ndaluar këtë, pasi arat dhe vreshtat tanë janë pronë e të tjerëve.»
6 U zemërova shumë kur dëgjova ankesën e tyre dhe këto fjalë.
7 Prandaj i shqyrtova këto gjëra në zemrën time dhe, meqë nuk isha fare dakord me fisnikët e mëkëmbësit, u thashë: «Secili nga ju po kërkon kamatë* nga vëllezërit e vet.»+
Më tej, mblodha një asamble të madhe për shkak të tyre
8 dhe u thashë: «Ne vetë i riblemë me aq sa mundëm vëllezërit tanë judenj që ishin shitur nëpër kombe. A do t’i shitni prapë tani vëllezërit tuaj,+ dhe ne t’i blejmë përsëri?» Atëherë ata heshtën dhe s’kishin ç’të thoshin.
9 Pastaj u thashë: «Ajo që po bëni nuk është e mirë. A nuk duhet të ecni në udhët e Perëndisë tonë*+ që të mos na poshtërojnë kombet, armiqtë tanë?
10 Për më tepër, unë, vëllezërit e mi dhe shërbëtorët e mi po u japim atyre hua në pará dhe në drithë. Ju lutem, mjaft me këto hua me kamatë!+
11 Rikthejuani, ju lutem, që sot arat,+ vreshtat, ullishtet dhe shtëpitë, si edhe të njëqindtën e parave,* të drithit, të verës së re dhe të vajit që po u kërkoni si kamatë.»
12 Atëherë m’u përgjigjën: «Do t’ua rikthejmë dhe nuk do t’u kërkojmë asgjë në këmbim. Do të bëjmë tamam si thua ti.» Prandaj thirra priftërinjtë dhe i vura ata burra në be se do ta mbanin premtimin.
13 Gjithashtu shkunda palat e veshjes sime* dhe thashë: «Kështu e shkundtë Perëndia i vërtetë nga shtëpia dhe nga zotërimet e veta çdo njeri që nuk e mban këtë premtim! Kështu u shkundtë e ngeltë pa gjë!» Atëherë tërë kongregacioni* tha: «Amin!»* Ata lëvduan Jehovain dhe populli veproi siç kishte premtuar.
14 Për më tepër, nga dita që mbreti më caktoi guvernator+ në vendin e Judës, nga viti i 20-të+ deri në vitin e 32-të+ të mbretërimit të Artakserksit,+ për 12 vjet, as unë dhe as vëllezërit e mi nuk hëngrëm nga ushqimi që i takonte guvernatorit.+
15 Por guvernatorët që kishin qenë para meje, ishin bërë barrë për popullin, dhe u kishin marrë çdo ditë 40 sikla* argjendi për bukën dhe për verën. Gjithashtu, shërbëtorët e tyre e kishin shtypur popullin. Ndërsa unë nuk veprova kështu,+ sepse kisha nderim të thellë për Perëndinë.*+
16 Madje mora pjesë në ndërtimin e këtij muri. Unë dhe tërë shërbëtorët e mi ishim atje për të punuar dhe nuk morëm asnjë arë.+
17 Në tryezën time hanin 150 judenj e mëkëmbës, si edhe ata që vinin nga kombet përreth.
18 Me shpenzimet e mia* përgatitej çdo ditë një dem, gjashtë dele të zgjedhura e zogj, dhe një herë në dhjetë ditë kishim me bollëk çdo lloj vere. Megjithatë nuk e kërkova ushqimin që i takonte guvernatorit, sepse tashmë populli ishte rënduar ngaqë i shërbente mbretit.
19 Më kujto për mirë, o Perëndia im, për gjithë ç’kam bërë në dobi të këtij populli!+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «fajde».
^ Fjalë për fjalë «në frikën e Perëndisë tonë». Shih Fjalorthin.
^ Ose «1 për qind të parave», pra çdo muaj.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «Ashtu qoftë!»
^ Fjalë për fjalë «shkunda kraharorin».
^ Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
^ Fjalë për fjalë «i frikësohesha Perëndisë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «Për mua».