Nehemia 9:1-38

  • Populli rrëfen mëkatet (1-38)

    • Jehovai, një Perëndi që fal (17)

9  Ditën e 24-t të muajit të shtatë, izraelitët u mblodhën dhe po agjëronin të veshur me copë thesi* e të mbuluar me dhé.+  Pastaj, ata me prejardhje izraelite u ndanë nga gjithë të huajt+ dhe, aty ku ishin, rrëfyen mëkatet e tyre dhe fajet e etërve të tyre.+  Më pas u çuan nga vendi dhe për tri orë* lexuan me zë librin e Ligjit+ të Jehovait, Perëndisë së tyre. Për tri orë të tjera u rrëfyen dhe u përkulën para Jehovait, Perëndisë së tyre.  Jeshuai, Bani, Kadmieli, Shebaniahu, Buni, Sherebiahu,+ Bani dhe Kenani qëndruan në podiumin e ngritur+ për levitët dhe i thirrën me zë të lartë Jehovait, Perëndisë së tyre.  Dhe levitët Jeshua, Kadmiel, Ban, Hashabnejah, Sherebiah, Hodjah, Shebaniah dhe Petahiah thanë: «Ngrihuni dhe lëvdoni Jehovain, Perëndinë tuaj, për gjithë përjetësinë!»*+ Pastaj thanë: «O Perëndi, e lëvdofshin emrin tënd të lavdishëm, që është më i madh se çdo bekim dhe lëvdim që njerëzit mund të japin!  Ti, vetëm ti, je Jehovai!+ Ti i ke bërë qiejt, po, qiejt e qiejve dhe gjithë ushtrinë e tyre, tokën dhe gjithçka në të, detet dhe gjithçka në to. Ti i mban gjallë të gjitha ato dhe ushtria e qiejve të përkulet ty.  Ti je Jehovai, Perëndia i vërtetë, që e zgjodhe Abramin+ dhe e nxore nga Uri+ i kaldeasve e i vure emrin Abraham.+  Ti pe që zemra e tij ishte besnike ndaj teje,+ kështu bëre me të një besëlidhje që t’i jepje atij dhe pasardhësit* të tij vendin e kananitëve, të hititëve, të amoritëve, të perezitëve, të jebusitëve dhe të girgasitëve.+ Ti i mbajte premtimet, sepse je i drejtë.  Prandaj e pe mundimin e paraardhësve tanë në Egjipt+ dhe e dëgjove klithmën e tyre në Detin e Kuq. 10  Pastaj bëre shenja e mrekulli kundër faraonit, gjithë shërbëtorëve dhe popullit të vendit të tij,+ sepse e dije që ata i kaluan caqet dhe vepruan me arrogancë+ kundër popullit tënd. Ti i bëre vetes një emër që njihet sot e kësaj dite.+ 11  Ndave detin para tyre, që të kalonin përmes detit në tokë të thatë,+ kurse ndjekësit e tyre i hodhe në thellësi, si një gur në ujërat e furishme.+ 12  Me një shtyllë reje u prije ditën dhe me një shtyllë zjarri natën, që t’u ndriçoje udhën ku duhej të ecnin.+ 13  Zbrite në malin Sinai,+ fole me ta nga qielli+ e u dhe vendime gjyqësore të drejta dhe ligje të bazuara tek e vërteta,* rregulla dhe urdhërime të shkëlqyera.+ 14  U bëre të njohur sabatin tënd të shenjtë+ dhe me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd, u dhe urdhërime, rregulla e një ligj. 15  U dhe bukë nga qielli kur ishin të uritur+ dhe nxore ujë nga shkrepi kur kishin etje;+ u the që të hynin e të shtinin në dorë vendin për të cilin ishe betuar* se do t’ua jepje. 16  Mirëpo ata, paraardhësit tanë, i kaluan caqet me arrogancë,+ u bënë kokëfortë*+ dhe s’donin t’i dëgjonin urdhërimet e tua. 17  Ata nuk pranuan të dëgjonin+ dhe nuk i kujtuan veprat e jashtëzakonshme që kreve mes tyre, por u bënë kokëfortë* dhe vunë dikë në krye që të ktheheshin te skllavëria e tyre në Egjipt.+ Por ti je një Perëndi që mezi pret të falësh, i dhembshur* dhe i mëshirshëm, që nuk zemërohesh shpejt e plot dashuri besnike,*+ prandaj nuk i braktise.+ 18  Edhe kur bënë një statujë metali* në formën e viçit dhe thanë: ‘Ky është Perëndia yt që të nxori nga Egjipti’,+ madje edhe kur kryen veprime që tregonin përbuzje të thellë, 19  ti me mëshirën tënde të madhe nuk i braktise në shkretëtirë.+ Shtylla e resë nuk u largua prej tyre ditën për t’u prirë udhën, as shtylla e zjarrit natën për t’u ndriçuar udhën ku duhej të ecnin.+ 20  Ti dhe frymën tënde të mirë, që t’u jepje gjykim të thellë+ dhe nuk ua kurseve manën+ e u dhe ujë kur kishin etje.+ 21  Për 40 vjet u sigurove ushqim në shkretëtirë.+ Nuk u mungoi asgjë. Rrobat nuk iu vjetruan+ dhe këmbët nuk iu ënjtën. 22  U dhe mbretëri dhe popuj, ua ndave territorin pjesë-pjesë,+ që të shtinin në dorë vendin e Sihonit,+ pra, vendin e mbretit të Heshbonit+ dhe vendin e Ogut,+ mbretit të Bashanit. 23  Bijtë e tyre i bëre të shumtë si yjet e qiellit.+ Pastaj i çove në vendin që u kishe premtuar paraardhësve të tyre, që të hynin dhe ta shtinin në dorë.+ 24  Atëherë bijtë e tyre hynë dhe e shtinë në dorë vendin.+ Ti i bëre zap para tyre kananitët,+ pra, banorët e vendit, dhe i dorëzove në duart e tyre, si mbretërit, edhe popujt e vendit, që të bënin me ta si t’u pëlqente. 25  Ata pushtuan qytete të fortifikuara+ dhe tokë pjellore,*+ shtinë në dorë shtëpi me gjithë të mirat, sterna* tashmë të hapura, vreshta, ullishte+ dhe pemë frutore me bollëk. Kështu hëngrën, u ngopën, u majmën dhe iu kënaq shpirti, falë mirësisë sate të madhe. 26  Mirëpo, ata u bënë të pabindur, ngritën krye kundër teje,+ e hodhën poshtë Ligjin tënd.* Vranë profetët e tu, të cilët i paralajmëruan që të ktheheshin te ti dhe kryen veprime që tregonin përbuzje të thellë.+ 27  Për këtë arsye i le në duart e armiqve+ që i mundonin.+ Por në kohë vuajtjesh, ata të thërritnin, dhe ti i dëgjoje nga qiejt e, falë mëshirës sate të madhe, u siguroje shpëtimtarë që t’i çlironin nga duart e armiqve.+ 28  Por sapo lehtësoheshin, bënin përsëri atë që është e keqe në sytë e tu,+ dhe ti i lije në duart e armiqve të tyre, që i shtypnin.*+ Atëherë ktheheshin e të thërritnin për ndihmë,+ dhe ti i dëgjoje nga qiejt e i çliroje herë pas here falë mëshirës sate të madhe.+ 29  Ndonëse i paralajmëroje që të ktheheshin te Ligji yt, ata i kalonin caqet me arrogancë dhe i mbyllnin veshët para urdhërimeve të tua.+ Mëkatonin kundër rregullave të tua, falë të cilave njeriu jeton nëse i zbaton.+ E kthenin shpinën me kokëfortësi, nuk e ulnin qafën dhe nuk pranonin të dëgjonin. 30  Ti u tregove i duruar me ta+ për vite të tëra dhe me frymën tënde i paralajmërove përmes profetëve të tu, por ata s’donin të dëgjonin. Në fund i le në duart e popujve të vendeve përreth.+ 31  Po, me mëshirën tënde të madhe nuk i shfarose+ dhe as i braktise, sepse je Perëndi i dhembshur* dhe i mëshirshëm.+ 32  E tani, o Perëndia ynë, Perëndia i madhërishëm, i fuqishëm dhe që të ngjall nderim të thellë, që e ke mbajtur besëlidhjen dhe ke treguar dashuri besnike,+ të mos të duken të vogla vështirësitë që kaluam ne, mbretërit, princat,+ priftërinjtë,+ profetët,+ paraardhësit tanë dhe tërë populli yt, që nga ditët e mbretërve të Asirisë+ e deri më sot. 33  Ti je treguar i drejtë në gjithçka që na ka ndodhur, sepse ke vepruar me besnikëri; por ne jemi ata që kanë vepruar me ligësi.+ 34  Mbretërit, princat, priftërinjtë dhe paraardhësit tanë nuk e kanë zbatuar Ligjin tënd dhe as u kanë kushtuar vëmendje urdhërimeve ose përkujtuesve,* me të cilët i paralajmëroje. 35  Edhe kur ishin në mbretërinë e tyre dhe po shijonin gjithë të mirat që u fale pa kursim dhe ndodheshin në vendin e gjerë e pjellor* që u dhurove, ata nuk të shërbyen+ e nuk hoqën dorë nga zakonet e tyre të këqija. 36  Ja tek jemi sot, skllevër+—po, skllevër në vendin që u dhe paraardhësve tanë për të ngrënë frytin e të mirat e tij. 37  Prodhimi i bollshëm i tokës u përket mbretërve që ti vure mbi ne për shkak të mëkateve tona.+ Ata sundojnë mbi ne* e mbi bagëtinë tonë si t’u pëlqejë, dhe ne jemi në hall të madh. 38  Prandaj po hedhim me shkrim një marrëveshje të pathyeshme+ dhe të vërtetuar me vulë nga princat, nga levitët dhe nga priftërinjtë tanë.»+

Shënimet

Fjalë për fjalë «një çerek dite».
Ose «jetë e mot!»
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «ligje të besueshme».
Fjalë për fjalë «ngrite dorën».
Fjalë për fjalë «e ngurtësuan qafën».
Ose «dashamirësi».
Ose «hirmadh».
Fjalë për fjalë «e ngurtësuan qafën».
Ose «shtatore të derdhur».
Domethënë, depo të nëndheshme për të mbledhur ujë.
Ose «të pasur».
Fjalë për fjalë «e hodhën pas shpine Ligjin tënd».
Ose «i mbanin nën zgjedhë».
Ose «hirmadh».
Ose «paralajmërimeve».
Ose «të pasur».
Fjalë për fjalë «trupat tanë».