Numrat 11:1-35
11 Tani, populli filloi të ankohej gjithë vrer para Jehovait. Kur e dëgjoi këtë, Jehovait iu ndez zemërimi dhe Jehovai lëshoi zjarr kundër tyre, që përpiu disa nga njerëzit në skaj të kampit.
2 Atëherë populli i thirri Moisiut për ndihmë, dhe ai iu përgjërua Jehovait,+ e zjarri u shua.
3 Prandaj ai vend u quajt Taberah,* sepse Jehovai kishte lëshuar zjarr kundër tyre.+
4 Turmën e përzier*+ që ishte mes tyre e pushtoi një grykësi e madhe dhe nisi të ankohej,+ e kështu edhe izraelitët filluan prapë të qaheshin e të thoshin: «Kush do të na japë mish të hamë?+
5 Ah, ç’i kujtojmë peshqit që hanim për hiçgjë në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat!+
6 Kurse tani po tretemi fare. Sytë s’na shohin gjë tjetër veç kësaj mane.»+
7 Tani, mana*+ ishte si fara e koriandrit+ dhe dukej si rrëshirë bdeli.
8 Njerëzit shkonin rreth e rrotull dhe e mblidhnin, e bluanin në mokër* ose e thërrmonin në havan.* Pastaj e zienin nëpër tenxhere ose përgatitnin me të kuleç të rrumbullakët;+ mana e kishte shijen si kulaç i ëmbël i zënë me vaj.
9 Natën kur binte vesa mbi kamp, binte edhe mana.+
10 Moisiu i dëgjoi të gjitha familjet e popullit tek qaheshin, çdo burrë në hyrje të tendës së vet. Atëherë Jehovai u zemërua shumë;+ edhe Moisiut nuk i pëlqeu fare ajo që po ndodhte.
11 Prandaj Moisiu i tha Jehovait: «Pse e mundon shërbëtorin tënd? Çfarë kam bërë që je i pakënaqur me mua e më ke ngarkuar barrën e gjithë këtij populli?+
12 Mos e kam ngjizur unë tërë këtë popull? Mos i kam lindur gjë unë, që më thua: ‘Mbaji në gji siç mban mëndesha* foshnjën e gjirit’, për t’i çuar drejt vendit për të cilin iu betove paraardhësve të tyre?+
13 Ku të gjej unë mish për gjithë këtë popull, pasi ata qahen pa pushim e më thonë: ‘Na jep mish të hamë.’
14 Nuk mundem ta mbaj i vetëm barrën e gjithë këtij populli, se është tepër e rëndë për mua.+
15 Prandaj, nëse do të më trajtosh kështu, të lutem më vrit që tani.+ Nëse gëzoj miratimin tënd, mos më bëj të shoh më të zeza.»
16 Jehovai ia ktheu Moisiut: «Më mblidh 70 burra nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si të parë* e pleq të popullit,+ dhe çoji te tenda e takimit; atje le të zënë vend bashkë me ty.
17 Unë do të zbres+ atje që të flas me ty+ dhe do të marr ca nga fryma ime+ që është mbi ty e do ta vë mbi ta, e kështu ata do të të ndihmojnë të mbash barrën e popullit, që të mos e mbash i vetëm.+
18 Popullit thuaji: “Shenjtërohuni për nesër,+ se do të hani mish, meqë u qatë para Jehovait+ e thatë: ‘Kush do të na japë mish të hamë? Sa mirë që ishim në Egjipt!’+ Po, Jehovai do t’ju japë mish, dhe ju do ta hani.+
19 Nuk do ta hani për 1 ditë, 2 ditë, 5 ditë, 10 ditë ose 20 ditë,
20 por për një muaj të tërë, derisa t’ju dalë nga hundët e t’ju neveritet,+ sepse e hodhët poshtë Jehovain që është mes jush dhe u qatë para tij: ‘Pse dolëm nga Egjipti?’”»+
21 Atëherë Moisiu tha: «Populli mes të cilit gjendem ka 600.000 burra*+ dhe ti thua: ‘Do t’u jap mish dhe do të hanë për një muaj të tërë?!’
22 Po të theren tufa të tëra bagëtish, do t’u mjaftojë vallë? Apo, nëse kapet tërë peshku i detit, a do të ngopen?»
23 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Mos është gjë dora e Jehovait tepër e shkurtër?+ Tani do ta shohësh po nuk ndodhi si po të them.»
24 Kështu Moisiu doli dhe i tha popullit fjalët e Jehovait. Ai mblodhi 70 burra nga pleqtë e popullit dhe u tha të qëndronin përreth tendës.+
25 Pastaj Jehovai zbriti në një re,+ i foli Moisiut,+ mori ca nga fryma e tij+ që ishte mbi të dhe e vuri mbi secilin nga 70 pleqtë. Sapo fryma zuri vend mbi ta, ata nisën të vepronin si profetë,*+ por më pas nuk e bënë më këtë gjë.
26 Në kamp kishin mbetur dy nga burrat: ata quheshin Eldad dhe Medad. Fryma zuri vend edhe mbi këta, pasi edhe ata ishin zgjedhur, por nuk kishin shkuar te tenda, prandaj ata nisën të vepronin si profetë në kamp.
27 Atëherë një djalë i ri shkoi me vrap të njoftonte Moisiun: «Eldadi dhe Medadi po veprojnë si profetë në kamp!»
28 Kur dëgjoi këtë, Josiu,+ biri i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut që nga djalëria, u hodh dhe tha: «Ndaloji, Moisi, zotëria im!»+
29 Por Moisiu iu përgjigj: «Mos je gjë xheloz për mua? Mos ji, sepse unë do të doja që tërë populli i Jehovait të ishin profetë dhe që Jehovai ta vinte frymën e tij mbi ta!»
30 Më vonë Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit.
31 Pastaj Jehovai ngriti një erë, që filloi të sillte nga deti shkurta dhe i rrëzonte ato përreth kampit,+ në një largësi sa një ditë udhë në çdo anë të kampit; shkurtat formuan përreth gjithë kampit një shtresë prej dy kutesh* mbi tokë.
32 Kështu, gjithë atë ditë e gjithë atë natë, madje edhe gjithë ditën tjetër, populli ndenji zgjuar që të mblidhte shkurta; asnjë nuk mblodhi më pak se dhjetë homerë.* Më pas i përhapën shkurtat rreth e qark kampit.*
33 Ata e kishin ende mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur kur Jehovait iu ndez zemërimi kundër popullit. Kështu Jehovai nisi ta godiste popullin dhe bëri kërdi të madhe.+
34 Prandaj ai vend u quajt Kibrot-Hatavah,*+ sepse atje u varrosën ata që u treguan grykës të mëdhenj.+
35 Nga Kibrot-Hatavahu populli u nis drejt Hazerotit dhe qëndroi atje.+
Shënimet
^ Do të thotë «djegie», pra, zjarr, flakë.
^ Me sa duket joizraelitët mes tyre.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «gur mulliri».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «një kujdestar».
^ Ose «që ti e di se janë të parë; që janë të njohur si të parë».
^ Fjalë për fjalë «600.000 në këmbë», pra, 600.000 burra të aftë për luftë.
^ Ose «nisën të profetizonin».
^ Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
^ Një homer ishte 220 l. Shih Shtojcën B14.
^ Ndoshta që të thanin mishin.
^ Do të thotë «varreza e grykësve».