Numrat 20:1-29

  • Miriami vdes në Kadesh (1)

  • Moisiu godet shkëmbin dhe mëkaton (2-13)

  • Edomi nuk lejon Izraelin të kalojë përmes territorit të tij (14-21)

  • Vdekja e Aronit (22-29)

20  Muajin e parë, tërë asambleja e izraelitëve mbërriti në shkretëtirën e Zinit, dhe populli filloi të banonte në Kadesh.+ Në atë vend vdiq dhe u varros Miriami.+  Mirëpo atje nuk kishte ujë për asamblenë,+ dhe ata u mblodhën kundër Moisiut dhe Aronit.  Populli filloi të bënte fjalë me Moisiun+ dhe t’i thoshte: «Më mirë të kishim vdekur kur vdiqën vëllezërit tanë para Jehovait!  Pse e keni sjellë kongregacionin e Jehovait në këtë shkretëtirë? Që të vdesim ne dhe bagëtitë tona?+  Pse na keni sjellë nga Egjipti në këtë vend të keq?+ Në këtë vend nuk mund të mbillet. Nuk ka fiq, hardhi dhe shegë, e madje as ujë për të pirë.»+  Atëherë Moisiu dhe Aroni u larguan nga kongregacioni që të shkonin në hyrje të tendës së takimit, u përkulën me fytyrë përtokë, dhe para tyre u shfaq lavdia e Jehovait.+  Atëherë Jehovai i tha Moisiut:  «Merr bastunin dhe mblidh asamblenë bashkë me Aronin, vëllanë tënd, dhe para syve të tyre flitini shkrepit që të nxjerrë ujë; do të nxirrni ujë nga shkrepi dhe do t’ia jepni asamblesë dhe bagëtive për të pirë.»+  Kështu Moisiu mori bastunin që ishte përpara Jehovait,+ siç e kishte urdhëruar ai. 10  Pastaj bashkë me Aronin mblodhën kongregacionin para shkrepit dhe Moisiu tha: «Dëgjoni, tani, o rebelë! Na duhet të nxjerrim ujë tani nga ky shkrep për ju?!»+ 11  Pasi tha këto fjalë, Moisiu ngriti dorën dhe e goditi shkrepin dy herë me bastun. Nga ai filloi të vërshonte ujë, dhe asambleja bashkë me bagëtitë e tyre filluan të pinin.+ 12  Më vonë Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: «Meqenëse nuk treguat besim tek unë dhe nuk më shenjtëruat para syve të izraelitëve, ju nuk do ta çoni këtë kongregacion në vendin që do t’u jap.»+ 13  Këto janë ujërat e Meribës*+ ku izraelitët u grindën me Jehovain, dhe kështu ai u shenjtërua mes tyre. 14  Më pas, nga Kadeshi, Moisiu i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit+ për t’i thënë: «Kështu thotë yt vëlla, Izraeli:+ ‘Ti i di mirë të gjitha vështirësitë që kemi hequr. 15  Etërit tanë shkuan në Egjipt+ dhe ne qëndruam atje për shumë vjet.*+ Mirëpo egjiptianët na keqtrajtonin ne dhe etërit tanë.+ 16  Në fund i thirrëm Jehovait për ndihmë,+ dhe ai na dëgjoi, dërgoi një engjëll+ dhe na nxori nga Egjipti. Tani ja tek jemi në Kadesh, një qytet në kufi të territorit tënd. 17  Të lutemi, na lër të kalojmë përmes vendit tënd. Nuk do të kalojmë as nëpër ara, as nëpër vreshta dhe nuk do të pimë ujë nga asnjë pus. Do të ecim në Rrugën e Mbretit dhe nuk do të kthehemi as djathtas, as majtas derisa të kemi kaluar përmes territorit tënd.’»+ 18  Por Edomi ia ktheu: «Nuk do të kaloni përmes territorit tonë, përndryshe do t’ju dal para me shpatë.» 19  Izraelitët iu përgjigjën: «Ne do të kalojmë nga rruga kryesore dhe, po qe se ne dhe bagëtia jonë do të pimë nga uji yt, do ta paguajmë.+ S’duam gjë tjetër veç të kalojmë më këmbë.»+ 20  Por ai tha përsëri: «Jo, nuk mund të kaloni.»+ Ndërkaq Edomi i doli para me shumë njerëz dhe me një ushtri* të fuqishme. 21  Kështu Edomi nuk pranoi që Izraeli të kalonte përmes territorit të vet, prandaj Izraeli u largua nga ai.+ 22  Tërë asambleja e izraelitëve u largua nga Kadeshi dhe vajti në malin e Horit.+ 23  Pastaj Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit në malin e Horit, pranë kufirit të Edomit: 24  «Aroni do të bashkohet me popullin e tij.*+ Ai nuk do të hyjë në vendin që do t’u jap izraelitëve, sepse ju të dy ngritët krye kundër urdhrit tim në lidhje me ujërat e Meribës.+ 25  Merr Aronin dhe të birin, Eleazarin, e çoji në malin e Horit. 26  Hiqja Aronit rrobat+ dhe vishja të birit, Eleazarit,+ dhe Aroni do të vdesë atje.»* 27  Prandaj Moisiu bëri siç e kishte urdhëruar Jehovai; ata u ngjitën në malin e Horit para syve të tërë asamblesë. 28  Kështu Moisiu ia hoqi rrobat Aronit dhe ia veshi të birit, Eleazarit. Pas kësaj, Aroni vdiq atje në majë të malit,+ kurse Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali. 29  Kur tërë asambleja pa se Aroni kishte vdekur, gjithë shtëpia e Izraelit e vajtoi atë për 30 ditë.+

Shënimet

Do të thotë «grindje».
Fjalë për fjalë «ditë».
Fjalë për fjalë «dorë».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Ose «do të bashkohet me popullin e tij e do të vdesë atje».