Numrat 4:1-49
4 Tani Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit:
2 «Regjistroni djemtë e Kehathit+ mes djemve të Levit, sipas familjeve dhe shtëpive të tyre atërore,
3 pra, të gjithë ata nga 30+ deri në 50 vjeç,+ që bëjnë pjesë në grupin e caktuar për të punuar në tendën e takimit.+
4 Djemtë e Kehathit do të kryejnë këtë shërbim shumë të shenjtë në tendën e takimit:+
5 kur kampi të niset, Aroni dhe djemtë e tij do të hyjnë, do të heqin perden ndarëse+ dhe do të mbulojnë me të arkën+ e Dëshmisë.
6 Mbi arkë do të vënë një mbulesë prej lëkure foke dhe sipër saj do të shtrojnë një copë ngjyrë blu, pastaj do t’i vënë shufrat për ta mbartur.+
7 Edhe mbi tryezën e bukëve të paraqitjes*+ do të shtrojnë një copë ngjyrë blu dhe mbi të do të vënë pjatat, kupat, taset dhe brokat e blatimit në pije;+ blatimi i rregullt i bukës+ duhet jetë mbi të.
8 Sipër këtyre do të vënë një copë në të kuqe të ndezur dhe do ta mbulojnë tryezën me një mbulesë prej lëkure foke, pastaj do t’i vënë shufrat për ta mbartur.+
9 Po me copë ngjyrë blu do të mbulojnë shandanin+ për ndriçim, llambat e tij,+ mashat,* mbajtëset e zjarrit+ dhe të gjitha enët e vajit që përdoren për ta mbajtur ndezur.
10 Pastaj shandanin dhe të gjitha pajisjet e tij, do t’i mbështjellin me një mbulesë prej lëkure foke e do t’i vënë mbi një mjet mbartës.
11 Edhe mbi altarin e artë+ do të shtrojnë një copë ngjyrë blu, pastaj do ta mbulojnë me një mbulesë prej lëkure foke dhe do t’i vënë shufrat për ta mbartur.+
12 Të gjitha pajisjet+ me të cilat shërbehet rregullisht në vendin e shenjtë, do t’i marrin e do t’i vënë në një copë ngjyrë blu, pastaj do t’i mbulojnë me një mbulesë prej lëkure foke e do t’i vënë mbi një mjet mbartës.
13 Ata duhet të heqin hirin* nga altari+ dhe të shtrojnë mbi të një copë prej leshi në ngjyrë të purpurt.*
14 Mbi altar do të vënë tërë pajisjet që përdoren kur shërbejnë në të: mbajtëset e zjarrit, pirunët, lopatat dhe legenët, të gjitha pajisjet e altarit;+ pastaj duhet të shtrojnë një mbulesë prej lëkure foke për ta mbuluar dhe t’i vënë shufrat për ta mbartur.+
15 Kur kampi të niset, Aroni dhe djemtë e vet duhet të mbulojnë vendin e shenjtë+ dhe të gjitha pajisjet e tij. Me të mbaruar ata, do të hyjnë djemtë e Kehathit që t’i mbartin,+ por nuk duhet t’i prekin gjërat e vendit të shenjtë, përndryshe do të vdesin.+ Për këto gjëra në tendën e takimit janë përgjegjës* djemtë e Kehathit.
16 Eleazari,+ djali i priftit Aron, ka përgjegjësinë që të kujdeset për vajin e ndriçimit,+ temjanin aromatik,+ blatimin e rregullt në drithë dhe vajin e mirosjes.+ Ai është mbikëqyrës i tërë tabernakullit dhe gjithçka në të, përfshirë vendin e shenjtë dhe pajisjet e tij.»
17 Jehovai i tha akoma Moisiut dhe Aronit:
18 «Mos lejo që familjet e kehathitëve+ të shuhen nga gjiri i levitëve.
19 Prandaj, që ata të jetojnë e të mos vdesin ngaqë u afrohen gjërave shumë të shenjta,+ Aroni dhe djemtë e tij të hyjnë e t’i caktojnë gjithsecilit shërbimin që duhet të kryejë dhe atë që duhet të mbartë.
20 Kehathitët nuk duhet të hyjnë as edhe për një çast për të parë gjërat e shenjta, përndryshe do të vdesin.»+
21 Më pas Jehovai i tha Moisiut:
22 «Regjistroni djemtë e Gershonit,+ sipas shtëpive të tyre atërore dhe sipas familjeve të tyre.
23 Duhet të regjistroni të gjithë ata nga 30 deri në 50 vjeç, që bëjnë pjesë në grupin e caktuar për të shërbyer në tendën e takimit.
24 Familjet e gershonitëve janë caktuar që të kujdesen dhe të mbartin këto gjëra:+
25 ata do të mbartin pëlhurat e tendës së tabernakullit,+ pëlhurën e tendës së takimit, mbulesën e brendshme, mbulesën e jashtme prej lëkure foke,+ perden e trashë në hyrje të tendës së takimit,+
26 perdet e varura të oborrit,+ perden e trashë në hyrje të oborrit,+ i cili rrethon tabernakullin dhe altarin, litarët e tendës, gjithë pajisjet e tyre dhe gjithçka që lidhet me të. Ky është caktimi i tyre.
27 Gjithë shërbimi që do të bëjnë gershonitët+ dhe ngarkesat që do të mbartin, duhet të mbikëqyren nga Aroni dhe djemtë e tij; tërë këto ngarkesa do t’ua caktoni atyre për t’i mbartur, dhe kjo do të jetë përgjegjësi e tyre.
28 Ky është shërbimi që duhet të kryejnë familjet e gershonitëve në tendën e takimit,+ dhe ata do t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre nën drejtimin e Ithamarit,+ djalit të priftit Aron.
29 Do të regjistroni edhe djemtë e Merarit,+ sipas familjeve dhe shtëpive të tyre atërore.
30 Do të regjistroni të gjithë ata nga 30 deri në 50 vjeç, që bëjnë pjesë në grupin e caktuar për të shërbyer në tendën e takimit.
31 Është përgjegjësi e tyre t’i mbartin këto gjëra+ si pjesë e shërbimit që bëjnë në tendën e takimit: skeletet prej druri+ të tabernakullit, shufrat,+ shtyllat+ dhe bazamentet e tij me fole;+
32 shtyllat+ e oborrit rrethues me bazamentet e tyre me fole,+ kunjat e tendës,+ litarët e tendës bashkë me gjithë pajimet që përdoren për këto. Do t’ua caktoni me emra pajimet që kanë si përgjegjësi të mbartin.
33 Ky është shërbimi që duhet të kryejnë familjet e djemve të Merarit+ në tendën e takimit, nën drejtimin e Ithamarit, djalit të priftit Aron.»+
34 Moisiu, Aroni dhe prijësit+ e asamblesë i regjistruan djemtë e kehathitëve+ sipas familjeve dhe shtëpive të tyre atërore,
35 pra, të gjithë ata nga 30 deri në 50 vjeç, që bënin pjesë në grupin e caktuar për të shërbyer në tendën e takimit.+
36 Në total, të gjithë të regjistruarit sipas familjeve të tyre ishin 2.750 veta.+
37 Këta ishin të regjistruarit nga familjet e kehathitëve, të gjithë ata që shërbenin në tendën e takimit. Moisiu dhe Aroni i regjistruan sipas urdhrit që Jehovai i kishte dhënë Moisiut.+
38 Djemtë e Gershonit+ u regjistruan sipas familjeve dhe shtëpive të tyre atërore,
39 pra, të gjithë ata nga 30 deri në 50 vjeç, që bënin pjesë në grupin e caktuar për të shërbyer në tendën e takimit.
40 Në total, të gjithë të regjistruarit sipas familjeve të tyre ishin 2.630 veta.+
41 Ky ishte regjistrimi i familjeve të djemve të Gershonit, pra, të gjithë ata që shërbenin në tendën e takimit. Moisiu dhe Aroni i regjistruan sipas urdhrit të Jehovait.+
42 Djemtë e Merarit u regjistruan sipas familjeve dhe shtëpive të tyre atërore,
43 pra, të gjithë ata nga 30 deri në 50 vjeç, që bënin pjesë në grupin e caktuar për të shërbyer në tendën e takimit.+
44 Në total, të regjistruarit sipas familjeve të tyre ishin 3.200 veta.+
45 Ky ishte regjistrimi i familjeve të djemve të Merarit, të cilët Moisiu e Aroni i regjistruan sipas urdhrit që Jehovai i kishte dhënë Moisiut.+
46 Moisiu, Aroni dhe prijësit e Izraelit i regjistruan të gjithë këta levitë sipas familjeve dhe shtëpive të tyre atërore;
47 ata ishin nga 30 deri në 50 vjeç, dhe të gjithë u caktuan që të shërbenin e të mbartnin ngarkesat e tendës së takimit.+
48 Në total, të regjistruarit ishin 8.580 veta.+
49 Ata u regjistruan sipas urdhrit që Jehovai i kishte dhënë Moisiut, gjithsecili sipas shërbimit të caktuar dhe ngarkesës që do të mbartte; ata u regjistruan, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «hirin e lyrosur», pra, hirin e lagur me yndyrën e flijimeve.
^ Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «janë ngarkuar».