Numrat 6:1-27

  • Zotimi i nazireut (1-21)

  • Bekimi priftëror (22-27)

6  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Nëse një burrë a një grua merr një zotim të veçantë që të jetojë si nazire*+ për Jehovain,  duhet të rrijë larg verës dhe pijeve të tjera alkoolike. Nuk duhet të pijë uthull vere ose uthull të bërë nga ndonjë pije alkoolike.+ Nuk duhet të pijë asnjë lloj lëngu të bërë nga rrushi dhe nuk duhet të hajë rrush, as të freskët, as të thatë.  Për sa ditë të jetë nazire, nuk duhet të hajë asgjë të bërë nga hardhia, as rrushin e pabërë, as lëkurën e tij.  Mbi kokën e tij nuk duhet të kalojë brisku gjatë gjithë ditëve të zotimit si nazire.+ Ai njeri duhet të qëndrojë i shenjtë duke i lënë flokët të rriten derisa të mbushen ditët për të cilat u nda veç për Jehovain.  Për sa ditë të qëndrojë i ndarë veç për Jehovain, të mos i afrohet asnjë të vdekuri.*  Të mos ndotet as kur t’i vdesë i ati, e ëma, i vëllai ose e motra,+ sepse ai ka mbi kokë shenjën e nazireut për Perëndinë e tij.  Gjatë gjithë ditëve që është nazire, do të jetë i shenjtë për Jehovain.  Por nëse gjatë këtyre ditëve, dikush vdes krejt papritur afër tij+ dhe ai ndot flokët që simbolizojnë* zotimin e tij se është ndarë veç për Perëndinë, atëherë ai duhet ta rruajë kokën+ ditën kur të shpallet i pastër; duhet ta rruajë kokën ditën e shtatë. 10  Ditën e tetë duhet t’i sjellë priftit dy turtuj ose dy zogj pëllumbash në hyrje të tendës së takimit. 11  Prifti do ta paraqitë njërin si blatim për mëkatin, ndërsa tjetrin si blatim të djegur, dhe do të bëjë shlyerjen për të, për mëkatin e tij,+ meqë ka prekur një të vdekur.* Pastaj nazireu duhet të shenjtërojë* kokën e vet atë ditë. 12  Ai duhet të ndahet veç përsëri për Jehovain për ditët që është zotuar se do të jetojë si nazire dhe do të sjellë një qengj mashkull njëvjeçar* si blatim për fajin. Mirëpo ditët e mëparshme nuk do t’i llogariten, ngaqë e ndoti nazireatin e tij. 13  Ky, pra, është ligji për nazireun: kur të mbushen ditët e tij si nazire,+ atë do ta sjellin në hyrje të tendës së takimit. 14  Atje ai duhet t’i paraqitë Jehovait blatimin e tij: një qengj mashkull të shëndetshëm e njëvjeçar si blatim të djegur,+ një qengj femër të shëndetshëm e njëvjeçar si blatim për mëkatin,+ një dash të shëndetshëm si flijim në bashkësi,+ 15  si edhe një shportë me bukë pa maja në formë unaze të bëra me miell të bluar imët e të zëna me vaj dhe galeta* pa maja të lyera me vaj bashkë me blatimin e tyre në drithë+ dhe blatimet e tyre në pije.+ 16  Prifti do t’i nxjerrë ato para Jehovait dhe do të paraqitë blatimin për mëkatin dhe blatimin e djegur. 17  Ai do t’i paraqitë Jehovait dashin si flijim në bashkësi bashkë me shportën e bukëve pa maja, si edhe blatimin në drithë+ dhe blatimin në pije të dashit. 18  Pastaj nazireu duhet të rruajë kokën+ në hyrje të tendës së takimit, do t’i marrë flokët që i ka lënë të rriten gjatë nazireatit e do t’i vërë në zjarrin që gjendet poshtë flijimit në bashkësi. 19  Prifti do të marrë një shpatull të zier+ nga dashi, një bukë pa maja në formë unaze nga shporta dhe një galetë pa maja, do t’ia vërë në dorë nazireut pasi të ketë rruar flokët, që janë shenjë e zotimit të tij si nazire, 20  dhe do t’i tundë nga njëra anë në tjetrën si blatim të tundur para Jehovait.+ Këto bashkë me gjoksin e blatimit të tundur dhe me këmbën e racionit të shenjtë, janë një gjë e shenjtë për priftin.+ Pas kësaj nazireu mund të pijë verë. 21  Ky është ligji për nazireun+ që merr një zotim: nëse zotohet dhe ka mundësi t’i paraqitë Jehovait një blatim përveç atyre që i kërkohen si nazire, ai duhet ta mbajë zotimin, që të respektojë ligjin e nazireatit të tij.’» 22  Pastaj Jehovai i tha Moisiut: 23  «Thuaji Aronit dhe djemve të tij: “Kështu duhet ta bekoni+ popullin e Izraelit: 24  ‘Jehovai të bekoftë+ e të ruajttë! 25  Jehovai të dhëntë buzëqeshjen e tij miratuese+ dhe pëlqimin e tij! 26  Jehovai i ktheftë sytë drejt teje dhe të dhëntë paqe!’”+ 27  Dhe populli i Izraelit do të thirret me emrin tim,+ që unë t’i bekoj.»+

Shënimet

Në hebraisht nazír, që do të thotë «i zgjedhur; i kushtuar; i ndarë veç».
Ose «shpirti». Shih Fjalorthin.
Ose «kokën që simbolizon».
Ose «një shpirt». Shih Fjalorthin.
Ka të ngjarë duke i lënë flokët të rriten përsëri.
Ose «motak».
Ose «pite».