Veprat e Apostujve 21:1-40
21 Mezi u ndamë prej tyre, pastaj nisëm lundrimin dhe shkuam në Kos; të nesërmen mbërritëm në Rodos e më pas në Patarë.
2 Kur gjetëm një anije që shkonte në Feniki, hipëm dhe lundruam me të.
3 Më vonë pamë nga larg ishullin e Qipros, e lamë pas në të majtë dhe vazhduam lundrimin drejt Sirisë. Pastaj zbritëm në Tir, ku anija duhej të shkarkonte ngarkesën.
4 Atje kërkuam dishepujt dhe, kur i gjetëm, qëndruam me ta shtatë ditë. Por, për shkak të asaj që u zbuloi fryma e shenjtë, ata i thanë shpesh herë Pavlit të mos shkonte në Jerusalem.+
5 Kur mbaruam vizitën atje, u nisëm prapë për rrugë. Të gjithë ata, bashkë me gratë e fëmijët, na përcollën deri jashtë qytetit. Në breg, të ulur në gjunjë, u lutëm;
6 pastaj përshëndetëm njëri-tjetrin dhe ne hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e tyre.
7 Nga Tiri lundruam drejt Ptolemaidës, ku përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm me ta një ditë.
8 Të nesërmen u nisëm dhe mbërritëm në Cezare. Shkuam në shtëpinë e Filipit, ungjillëzuesit, i cili ishte një nga të shtatët,+ dhe ndenjëm me të.
9 Ai kishte katër vajza të pamartuara,* që profetizonin.+
10 Por, pasi qëndruam atje mjaft ditë, nga Judea zbriti një profet që quhej Agab.+
11 Ai erdhi te ne, mori brezin e Pavlit, u lidh këmbë e duar dhe tha: «Ja çfarë thotë fryma e shenjtë: ‘Kështu do ta lidhin judenjtë në Jerusalem+ burrin, të cilit i përket ky brez, dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve të kombeve.’»*+
12 Kur e dëgjuam këtë, ne dhe të pranishmit e tjerë, filluam t’i përgjëroheshim Pavlit të mos ngjitej në Jerusalem.
13 Atëherë, ai u tha: «Ç’bëni kështu?! Pse qani e më shkurajoni që të mos vazhdoj përpara?!* Jini të sigurt se për emrin e Zotërisë Jezu, unë jam gati, jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem.»+
14 Meqë nuk i mbushej mendja, hoqëm dorë* e thamë: «U bëftë vullneti i Jehovait!»*
15 Pas atyre ditëve, u përgatitëm për rrugë dhe u nisëm për në Jerusalem.
16 Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezarea, të cilët na çuan te Mnasoni nga Qiproja, një nga dishepujt e hershëm, në shtëpinë e të cilit do të rrinim si mysafirë.
17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
18 Të nesërmen, Pavli erdhi me ne te Jakovi,+ ku ishin të pranishëm të gjithë pleqtë.
19 Ai i përshëndeti dhe filloi t’u tregonte fill e për pe ato që bëri Perëndia mes kombeve nëpërmjet shërbimit të tij.
20 Pasi e dëgjuan, ata i dhanë lavdi Perëndisë, por i thanë: «Ti e sheh, vëlla, sa mijëra besimtarë ka mes judenjve. Ata janë të gjithë përkrahës të flaktë të Ligjit.+
21 Por kanë dëgjuar lart e poshtë për ty se po u mëson të gjithë judenjve mes kombeve të braktisin Ligjin e* Moisiut, duke u thënë të mos i rrethpresin djemtë e të mos ndjekin zakonet e të parëve.+
22 Ç’duhet bërë, pra? Me siguri ata do ta marrin vesh se ke ardhur.
23 Prandaj, bëj si po të themi: me ne janë katër burra që kanë marrë një zotim.
24 Merri, pastrohu me ta ceremonialisht e hiqu shpenzimet, që të rruajnë kokat. Kështu, të gjithë do ta kuptojnë se nuk ka asnjë të vërtetë nga ato që janë thënë lart e poshtë për ty, përkundrazi po jeton* në përputhje me Ligjin.+
25 Sa për besimtarët nga kombet, ne ua dërguam vendimin me shkrim: të rrinë larg nga gjërat që u flijohen idhujve,+ nga gjaku,+ nga kafshët e mbytura*+ dhe nga imoraliteti seksual.»*+
26 Atëherë, të nesërmen Pavli mori me vete burrat, u pastrua ceremonialisht me ta+ dhe hyri në tempull për të njoftuar kur do të mbaronte pastrimi ceremonial dhe kur do të paraqitej blatimi për secilin prej tyre.
27 Kur shtatë ditët ishin në përfundim, me ta parë në tempull, judenjtë nga Azia e nxitën gjithë turmën kundër Pavlit. Ata e kapën dhe thërritnin:
28 «O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson gjithandej njerëzit kundër popullit tonë, kundër Ligjit tonë dhe kundër këtij vendi. Për më tepër, solli edhe grekë në tempull dhe e përdhosi këtë vend të shenjtë.»+
29 Se më përpara kishin parë me të në qytet Trofimin,+ efesianin, dhe kujtonin se Pavli e kishte futur në tempull.
30 Tërë qyteti ziente, dhe populli u turr drejt Pavlit, e kapën, e nxorën zvarrë jashtë tempullit dhe i mbyllën menjëherë portat.
31 Ndërsa po përpiqeshin ta vritnin, komandantit të kohortës i vajti lajmi se gjithë Jerusalemi ishte rrëmujë.
32 Ai mori menjëherë ushtarë e centurionë dhe zbriti me vrap tek ata. Kur vunë re komandantin ushtarak me ushtarët, ata pushuan së rrahuri Pavlin.
33 Komandanti u afrua, e arrestoi dhe dha urdhër të lidhej me dy zinxhirë.+ Pastaj pyeti kush ishte dhe çfarë kishte bërë.
34 Por në turmë disa bërtitnin një gjë, e disa një tjetër. Kështu, meqë s’po e merrte vesh tamam ç’po ndodhte për shkak të trazirës, ai urdhëroi ta çonin në kazermë.
35 Por, kur arriti te shkallët, Pavlin duhej ta mbanin ushtarët për shkak të turmës së dhunshme,
36 sepse turma e njerëzve e ndiqte dhe thërriste: «Vriteni!»
37 Kur po e çonin në kazermë, Pavli e pyeti komandantin ushtarak: «A më lejohet t’ju them diçka?» Ai ia ktheu: «Flitke greqisht?!
38 Pse, a nuk je ti egjiptiani që para ca kohësh nxiti një kryengritje dhe udhëhoqi në shkretëtirë 4.000 vrasës?»*
39 Pavli iu përgjigj: «Në fakt, unë jam jude+ nga Tarsi+ i Kilikisë, qytetar nga një qytet me emër. Prandaj, të lutem, më lejo t’i flas popullit.»
40 Ai i dha leje dhe Pavli, që nga shkallët, i bëri popullit shenjë me dorë. Pasi ra një heshtje e madhe, ai iu drejtua atyre në gjuhën hebraike:+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «virgjëresha».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «e ma ligështoni zemrën?!»
^ Fjalë për fjalë «heshtëm».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Fjalë për fjalë «apostazi kundër».
^ Ose «po ecën në mënyrë të rregullt».
^ Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
^ Ose «që janë vrarë pa e lënë gjakun të kullojë».
^ Ose «burra të armatosur me kama».