Veprat e Apostujve 23:1-35

  • Pavli flet para Sinedrit (1-10)

  • Pavlit i jep forcë Zotëria (11)

  • Komplot për vrasjen e Pavlit (12-22)

  • Pavlin e çojnë në Cezare (23-35)

23  Duke parë me vëmendje nga Sinedri, Pavli tha: «Burra, vëllezër, gjer më sot kam vepruar me një ndërgjegje krejt të pastër+ para Perëndisë.»  Kryeprifti Anania i urdhëroi ata që ishin afër tij ta goditnin në buzë.  Atëherë Pavli i tha: «Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur me gëlqere!* Ulesh për të më gjykuar sipas Ligjit e në të njëjtën kohë e shkel Ligjin duke urdhëruar të më godasin?!»  Ata që ishin aty, thanë: «Si guxon ta fyesh kryepriftin e Perëndisë?!»  Pavli u përgjigj: «Nuk e dija, vëllezër, që ai ishte kryeprift, sepse është shkruar: ‘Mos fol me përbuzje për një qeveritar të popullit tënd.’»+  Tani, ngaqë e dinte se një pjesë ishin saducenj e pjesa tjetër farisenj, Pavli thirri në Sinedër: «Burra, vëllezër, unë jam farise,+ bir farisenjsh, dhe po gjykohem për shkak të shpresës së ringjalljes së të vdekurve.»  Sapo tha këtë, plasi një debat mes farisenjve dhe saducenjve, e ata u përçanë,  sepse saducenjtë thonë se nuk ka as ringjallje, as engjëll, as krijesë qiellore, kurse farisenjtë i pranojnë* të gjitha këto.+  Kështu shpërthyen të bërtitura, dhe disa skribë nga partia e farisenjve u ngritën e filluan të kundërshtonin me forcë: «Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri, por nëse një krijesë qiellore a një engjëll i foli, atëherë . . . »+ 10  Kur debati po acarohej tej mase, komandanti ushtarak pati frikë se mos e vritnin Pavlin. Kështu urdhëroi ushtarët të zbritnin që t’ua rrëmbenin nga duart e ta çonin në kazermë. 11  Atë natë, Zotëria iu afrua dhe i tha: «Merr zemër,+ sepse siç dhe dëshmi të plotë për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të japësh edhe në Romë.»+ 12  Kur zbardhi dita, judenjtë kurdisën një komplot. Ata zunë be* se as do të hanin, as do të pinin, derisa të vritnin Pavlin. 13  Ata që zunë be për këtë komplot, ishin më shumë se 40 burra. 14  Shkuan te krerët e priftërinjve dhe te pleqtë, e u thanë: «Ne kemi zënë be* që të mos futim gjë në gojë, derisa të vrasim Pavlin. 15  Prandaj ju, bashkë me Sinedrin, çojini fjalë komandantit ushtarak që ta sjellë te ju, gjoja se keni ndër mend ta shqyrtoni më mirë çështjen e tij. Por, para se Pavli të afrohet, do të jemi gati ta heqim qafe.» 16  Mirëpo, djali i motrës së Pavlit dëgjoi që po i ngrinin kurth, prandaj vajti në kazermë dhe i tregoi Pavlit. 17  Atëherë Pavli thirri një nga centurionët dhe i tha: «Çoje djalin te komandanti, se ka diçka për t’i treguar.» 18  Ai e mori, e çoi te komandanti ushtarak dhe i tha: «I burgosuri Pavël më thirri dhe më kërkoi ta sillja këtë djalë te ti, pasi ka diçka për të të thënë.» 19  Komandanti e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë do të më tregosh?» 20  Ai i tha: «Judenjtë kanë rënë dakord të të kërkojnë që ta sjellësh nesër Pavlin në Sinedër, gjoja se kanë ndër mend ta shqyrtojnë më me imtësi çështjen e tij.+ 21  Por mos u beso, sepse më shumë se 40 burra nga ata i kanë ngritur kurth dhe kanë zënë be* se as do të hanë, as do të pinë, derisa ta vrasin.+ Tani janë gati e presin vetëm fjalën tënde.» 22  Atëherë komandanti ushtarak e la djalin të shkonte, pasi e urdhëroi: «Mos i thuaj askujt që m’i tregove këto.» 23  Pas kësaj thirri dy centurionë dhe u tha: «Në orën e tretë* të natës bëni gati 200 ushtarë, 70 kalorës dhe 200 heshtarë, që të shkojnë në Cezare. 24  Veç kësaj, bëni gati kuaj për Pavlin e çojeni shëndoshë e mirë te guvernatori Feliks.» 25  Ai shkroi edhe një letër, ku thoshte: 26  «Klaud Lisia, Shkëlqesisë së tij, guvernatorit Feliks: Përshëndetje! 27  Këtë njeri e kapën judenjtë dhe ishin gati ta vritnin, por unë ndërhyra shpejt me ushtarët e mi dhe e shpëtova,+ ngaqë mora vesh se ishte romak.+ 28  Doja të kuptoja për ç’arsye e akuzonin, ndaj e çova para Sinedrit+ të tyre. 29  Pashë se akuzohej për çështje të Ligjit të tyre,+ mirëpo nuk paditej për asgjë që meriton vdekjen a burgun. 30  Por, meqë më njoftuan se kanë ngritur një komplot kundër tij,+ po e dërgoj menjëherë te ti dhe po i urdhëroj paditësit t’i paraqitin akuzat para teje.» 31  Kështu ushtarët e morën Pavlin,+ siç ishin urdhëruar dhe e çuan natën në Antipatridë. 32  Të nesërmen, kalorësit shkuan me të, kurse pjesa tjetër e ushtarëve u kthyen në kazermë. 33  Kalorësit hynë në Cezare, i dhanë guvernatorit letrën dhe dorëzuan Pavlin. 34  Ai lexoi letrën, e pyeti nga ç’provincë ishte dhe kuptoi se ishte nga Kilikia.+ 35  Pastaj i tha: «Do ta dëgjoj deri në fund çështjen tënde kur të vijnë edhe paditësit e tu.»+ Dhe urdhëroi të ruhej në pallatin* e Herodit.

Shënimet

Ose «o hipokrit».
Ose «i shpallin publikisht».
Ose «zunë be me mallkim».
Ose «kemi zënë be me mallkim».
Ose «kanë zënë be me mallkim».
Domethënë, rreth orës 9 të mbrëmjes.
Ose «pretoriumin».