Veprat e Apostujve 25:1-27

  • Gjyqi i Pavlit para Festit (1-12)

    • «Unë i apelohem Cezarit!» (11)

  • Festi këshillohet me mbret Agripën (13-22)

  • Pavli para Agripës (23-27)

25  Pasi Festi+ erdhi në provincë dhe mori detyrën, tri ditë më vonë u ngjit nga Cezarea në Jerusalem.  Krerët e priftërinjve dhe të parët e judenjve paraqitën akuzat kundër Pavlit.+ Kështu filluan t’i përgjëroheshin Festit  që t’u bënte një nder, pra të urdhëronte ta sillnin Pavlin në Jerusalem. Faktikisht po planifikonin t’i ngrinin kurth Pavlit për ta vrarë gjatë rrugës,+  megjithatë, Festi u përgjigj se duhej ta mbanin Pavlin në Cezare, dhe se ai vetë do të kthehej atje pas pak.  Ai tha: «Prandaj, ata që janë me pushtet ndër ju, të vijnë bashkë me mua e ta akuzojnë këtë njeri, nëse vërtet ka bërë ndonjë të keqe.»+  Kështu, si qëndroi tetë a dhjetë ditë me ta, ai zbriti në Cezare e të nesërmen u ul në fronin e gjykimit dhe urdhëroi të sillnin Pavlin.  Kur Pavli erdhi, judenjtë që zbritën nga Jerusalemi, e rrethuan dhe ngritën kundër tij akuza të shumta e të rënda, të cilat nuk mund t’i vërtetonin.+  Por Pavli tha në mbrojtje të vetes: «Nuk kam kryer asnjë mëkat, as kundër Ligjit të judenjve, as kundër tempullit e as kundër Cezarit.»+  Festi, që donte të fitonte pëlqimin e judenjve,+ iu përgjigj: «A do që të ngjitesh në Jerusalem e të gjykohesh atje para meje për këto gjëra?» 10  Por Pavli i tha: «Po qëndroj para fronit të gjykimit të Cezarit, ku duhet të gjykohem. Siç e kupton mirë edhe ti, nuk kam bërë asnjë padrejtësi kundër judenjve. 11  Nëse jam vërtet keqbërës a në kam kryer ndonjë gjë që meriton vdekjen,+ nuk i shmangem vdekjes. Por, nëse s’ka një bazë për akuzat që hedhin këta njerëz kundër meje, askush nuk ka të drejtë të më dorëzojë tek ata për t’u bërë qejfin. Unë i apelohem Cezarit!»+ 12  Atëherë Festi, pasi foli me këshilltarët e mbledhur, ia ktheu: «Cezarit i je apeluar, te Cezari do të shkosh!» 13  Pas disa ditësh, mbreti Agripa dhe Bernika mbërritën në Cezare për t’i bërë Festit një vizitë zyrtare në shenjë respekti. 14  Meqenëse do të rrinin disa ditë atje, Festi ia parashtroi mbretit çështjen e Pavlit: «Këtu kam një burrë që Feliksi e la të burgosur 15  dhe, kur isha në Jerusalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e judenjve e paditën+ e më kërkuan ta dënoj. 16  Por iu përgjigja se nuk është procedurë romake ta dorëzosh një njeri për t’u bërë qejfin të tjerëve, para se i akuzuari të dalë ballë për ballë me paditësit dhe të ketë mundësinë të mbrohet për akuzën.+ 17  Prandaj, kur arritën këtu, të nesërmen pa vonuar u ula në fronin e gjykimit dhe urdhërova të sillnin atë njeri. 18  Kur u paraqitën, paditësit nuk e akuzuan për asnjë nga ato të këqija që kisha menduar unë.+ 19  Kishin thjesht disa debate me të për fenë e tyre*+ dhe për një njeri që quhej Jezu, i cili kishte vdekur, por Pavli pohonte se ishte gjallë.+ 20  Meqë s’dija ç’të bëja për këtë debat, e pyeta nëse do të donte të shkonte në Jerusalem që të gjykohej për këtë çështje.+ 21  Por, kur Pavli apeloi dhe kërkoi ta mbanim në arrest, në pritje të vendimit nga Augusti,*+ unë urdhërova të mbahej derisa ta dërgoja te Cezari.» 22  Atëherë, Agripa i tha Festit: «Do të doja ta dëgjoja vetë atë njeri.»+ «Nesër do ta dëgjosh»,—iu përgjigj ai. 23  Të nesërmen Agripa dhe Bernika erdhën me shumë pompozitet e hynë në sallën e audiencës, bashkë me komandantët ushtarakë dhe me burrat e shquar të qytetit. Festi dha urdhër ta sillnin Pavlin. 24  Festi tha: «O mbret Agripa dhe të gjithë ju që jeni të pranishëm me ne! Keni para jush këtë njeri, për të cilin gjithë populli i judenjve, në Jerusalem, edhe këtu, më ka kërkuar me ngulm që ai të mos jetojë më.+ 25  Por kuptova se nuk kishte bërë asgjë që meriton vdekjen.+ Kështu, kur iu apelua Augustit, vendosa ta dërgoj. 26  Megjithatë nuk kam asgjë konkrete për t’i shkruar Zotërisë tim lidhur me të. Prandaj e solla para të gjithëve ju, e sidomos para teje, o mbret Agripa, që, pasi të merret në pyetje, të kem diçka për të shkruar. 27  Se më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur pa shpjeguar ç’akuza janë ngritur kundër tij.»

Shënimet

Ose «për adhurimin që i bëjnë hyjnisë».
Titull për perandorin romak.