Veprat e Apostujve 3:1-26
3 Tani, Pjetri dhe Gjoni shkuan në tempull për orën e lutjes, orën e nëntë.*
2 Atje sollën një burrë që kishte lindur i çalë. Atë e vinin përditë pranë portës së tempullit që quhej Porta e Bukur, për t’u kërkuar lëmoshë* atyre që hynin në tempull.
3 Kur vuri re se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, ai nisi t’u kërkonte lëmoshë.*
4 Por Pjetri e Gjoni e vështruan dhe i thanë: «Na shiko!»
5 Atëherë ai ua nguli sytë duke pritur të merrte diçka prej tyre,
6 por Pjetri i tha: «Argjend e ar s’kam, por të jap atë që kam. Në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, çohu dhe ec!»+
7 Pastaj e kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti.+ Në çast, këmbët dhe kyçet iu forcuan,+
8 u ngrit+ e filloi të ecte. Hyri me ta në tempull duke ecur, duke hovur e duke lëvduar Perëndinë,
9 dhe të gjithë njerëzit e panë tek ecte e lëvdonte Perëndinë.
10 Ata e njohën se ishte ai që ulej në Portën e Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë,*+ prandaj mbetën pa fjalë dhe u mahnitën për çka i kishte ndodhur.
11 Ndërsa burri mbahej ende te Pjetri dhe Gjoni, të gjithë njerëzit, krejt të habitur, vrapuan drejt tyre tek ajo që quhej Kolonada e Solomonit.+
12 Kur e pa këtë, Pjetri u tha: «Burra të Izraelit, pse çuditeni kaq shumë?! Pse na i ngulni sytë a thua se këtë njeri e bëmë të ecte me fuqinë ose me përkushtimin tonë ndaj Perëndisë?!*
13 Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit,+ Perëndia i paraardhësve tanë, i dha lavdi Shërbëtorit të tij,+ Jezuit,+ të cilin ju e dorëzuat+ dhe e mohuat para Pilatit, edhe pse ai kishte vendosur ta lironte.
14 Po, ju e mohuat të shenjtin e të drejtin dhe kërkuat të lirohej një njeri që ishte vrasës,+
15 kurse Kryepërfaqësuesin* e jetës e vratë.+ Megjithatë Perëndia e ngriti nga të vdekurit, dhe për këtë ne jemi dëshmitarë.+
16 Nëpërmjet emrit të tij, e ngaqë kemi besim tek emri i tij, u bë i fortë ky njeri që shihni dhe njihni. Besimi që kemi te Jezui i dha këtij njeriu shëndet të plotë para të gjithëve ju.
17 E pra, vëllezër, e di se vepruat në padije,+ ashtu si bënë edhe krerët tuaj.+
18 Por Perëndia lejoi të ndodhnin këto gjëra që të përmbusheshin ato që paratha nëpërmjet tërë profetëve, se Krishti i tij do të vuante.+
19 Prandaj pendohuni+ dhe kthehuni,+ që t’ju fshihen mëkatet,+ që nga vetë Jehovai* të vijnë stinë freskuese
20 e të dërgojë Krishtin e emëruar për ju, Jezuin.
21 Ai duhet të qëndrojë në qiell* deri në kohën e rivendosjes së të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë.
22 Në fakt, Moisiu tha: ‘Jehovai,* Perëndia juaj, do të nxjerrë një profet si unë nga vëllezërit tuaj.+ Duhet të dëgjoni gjithçka që do t’ju thotë.+
23 Kushdo* që nuk e dëgjon atë Profet, do të shfaroset nga populli.’+
24 Edhe të gjithë profetët, që nga Samueli e me radhë, folën qartë për këto ditë.+
25 Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që Perëndia bëri me paraardhësit tuaj+ kur i tha Abrahamit: ‘Me anë të pasardhësit* tënd do të bekohen të gjitha familjet e tokës.’+
26 Pasi e ngriti Shërbëtorin e tij, Perëndia e dërgoi që t’ju bekonte më parë juve,+ duke e ndihmuar secilin të pendohet për veprat e liga.»
Shënimet
^ Domethënë, rreth orës 3 të pasdites.
^ Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «përkushtimin hyjnor». Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «nga fytyra e Jehovait». Shih Shtojcën A5.
^ Ose «Atë duhet ta mbajë brenda vetes qielli».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «Çdo shpirt».
^ Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.