Zakaria 1:1-21
1 Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit,+ profetit Zakaria,*+ birit të Berekiahut, birit të Idos, Jehovai i drejtoi këtë fjalë:
2 «Jehovai u indinjua shumë me etërit tuaj.+
3 Thuaju atyre: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Kthehuni tek unë,—thotë Jehovai i ushtrive,—dhe unë do të kthehem te ju’,+—thotë Jehovai i ushtrive.
4 Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e mëparshëm u shpallën: ‘Kështu thotë Jehovai i ushtrive: “Largohuni,* ju lutem, nga udhët dhe nga veprimet tuaja të liga.”+
“Por ata nuk më dëgjuan dhe nuk më kushtuan vëmendje”,+—thotë Jehovai.
5 “E pra, ku janë tani etërit tuaj?! Po profetët, mos vallë do të jetonin përgjithnjë?!
6 Megjithatë, a nuk arritën deri tek etërit tuaj fjalët dhe dekretet që u urdhërova shërbëtorëve të mi, profetëve?”+ Kështu, ata u kthyen tek unë dhe thanë: “Jehovai i ushtrive ka vepruar me ne si kishte vendosur, sipas udhëve e veprimeve tona.”’”»+
7 Ditën e 24-t të muajit të 11-të, domethënë në muajin shebat,* në vitin e dytë të mbretërimit të Darit,+ Jehovai i drejtoi këtë fjalë profetit Zakaria, birit të Berekiahut, birit të Idos:
8 «Natën pashë një vegim.* Një burrë po kalëronte mbi një kalë të kuq dhe u ndal mes mërsinave në një luginë të thellë. Pas tij vinin kuaj të kuq, kafe në të kuqërremë dhe të bardhë.»
9 Atëherë pyeta: «Cilët janë këta, imzot?»
Engjëlli që po fliste me mua më tha: «Do të të tregoj se cilët janë.»
10 Pastaj, burri që ishte ndalur mes mërsinave u përgjigj: «Këta i ka dërguar Jehovai për të përshkuar tokën.»
11 Ata i thanë engjëllit të Jehovait që po rrinte mes mërsinave: «E kemi përshkuar tokën dhe ja, tërë toka është e qetë e s’ka trazira.»+
12 Atëherë engjëlli i Jehovait tha: «O Jehova i ushtrive, deri kur nuk do t’i tregosh mëshirë Jerusalemit dhe qyteteve të Judës,+ me të cilat ke qenë i indinjuar këta 70 vjet?»+
13 Dhe Jehovai iu përgjigj me fjalë të këndshme e ngushëlluese engjëllit që po fliste me mua.
14 Pastaj engjëlli që po më fliste, tha: «Thirr: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Do ta mbroj me zell Jerusalemin dhe Sionin, po, me shumë zell.+
15 Jam tejet i indinjuar me kombet krenare,+ sepse vërtet u indinjova deri në njëfarë mase,+ por ato e tepruan dhe vepruan më keq.’”+
16 Prandaj kështu thotë Jehovai: ‘Unë do të kthehem në Jerusalem dhe do t’i tregoj mëshirë.+ Atje do të ndërtohet shtëpia ime,+—thotë Jehovai i ushtrive,—dhe mbi Jerusalem do të shtrihet një litar për matje.’+
17 Thirr përsëri: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Në qytetet e mia do të gufojë prapë mirësia. Jehovai do ta ngushëllojë prapë Sionin+ dhe do ta zgjedhë sërish Jerusalemin.’”»+
18 Pastaj ngrita sytë dhe pashë katër brirë.+
19 Kështu që i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Çfarë janë këta?» Ai m’u përgjigj: «Janë brirët* që shpërndanë Judën,+ Izraelin+ dhe Jerusalemin.»+
20 Më pas, Jehovai më tregoi katër artizanë.
21 Unë pyeta: «Pse vijnë këta? Çfarë do të bëjnë?»
Ai u përgjigj: «Brirët e shpërndanë Judën aq sa askush nuk mund të ngrinte kokën. Kurse këta artizanë vijnë për t’i tmerruar, për t’i rrëzuar brirët e kombeve që ngritën brirët kundër vendit të Judës, me qëllim që ta shpërndanin.»
Shënimet
^ Do të thotë «Jehovai ka kujtuar».
^ Ose «Kthehuni».
^ Shih Shtojcën B15.
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.