Zanafilla 11:1-32

  • Kulla e Babelit (1-4)

  • Jehovai ngatërron gjuhën (5-9)

  • Nga Semi tek Abrami (10-32)

    • Familja e Terahut (27)

    • Abrami largohet nga Uri (31)

11  Tani, gjithë toka fliste vetëm një gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.*  Ndërsa udhëtonin drejt lindjes, njerëzit zbuluan një rrafshinë në vendin e Shinarit+ dhe filluan të banonin atje.  Atëherë i thanë njëri-tjetrit: «Oburra! Të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr.» Kështu përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum si llaç.  Pastaj thanë: «Hajde! Të ndërtojmë një qytet për veten tonë, si edhe një kullë, maja e së cilës të prekë qiejt, dhe të bëhemi të famshëm, që të mos shpërndahemi në mbarë faqen e dheut.»+  Atëherë Jehovai zbriti për të parë qytetin dhe kullën që kishin ndërtuar bijtë e njerëzve.  Pastaj Jehovai tha: «Ata janë një popull i vetëm, flasin një gjuhë të vetme+ dhe ja çfarë kanë filluar të bëjnë. Tani, çdo gjë që do t’u vijë ndër mend, do ta arrijnë patjetër.  Eja, le të zbresim+ e t’ua ngatërrojmë gjuhën, që të mos e kuptojnë më njëri-tjetrin.»  Kështu Jehovai i shpërndau nga atje në mbarë faqen e dheut,+ dhe pak nga pak ata e ndërprenë ndërtimin e qytetit.  Ja pse u quajt Babel,*+ sepse atje Jehovai ngatërroi gjuhën e gjithë tokës; nga atje Jehovai i shpërndau në mbarë faqen e dheut. 10  Kjo është historia e Semit.+ Semi ishte 100 vjeç kur i lindi Arpakshadi,+ dy vjet pas Përmbytjes. 11  Pas lindjes së Arpakshadit, Semi jetoi edhe 500 vjet dhe i lindën bij e bija.+ 12  Arpakshadi ishte 35 vjeç kur i lindi Shelahu.+ 13  Pas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi edhe 403 vjet dhe i lindën bij e bija. 14  Shelahu ishte 30 vjeç kur i lindi Eberi.+ 15  Pas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi edhe 403 vjet dhe i lindën bij e bija. 16  Eberi ishte 34 vjeç kur i lindi Pelegu.+ 17  Pas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi edhe 430 vjet dhe i lindën bij e bija. 18  Pelegu ishte 30 vjeç kur i lindi Reu.+ 19  Pas lindjes së Reut, Pelegu jetoi edhe 209 vjet dhe i lindën bij e bija. 20  Reu ishte 32 vjeç kur i lindi Serugu. 21  Pas lindjes së Serugut, Reu jetoi edhe 207 vjet dhe i lindën bij e bija. 22  Serugu ishte 30 vjeç kur i lindi Nahori. 23  Pas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi edhe 200 vjet dhe i lindën bij e bija. 24  Nahori ishte 29 vjeç kur i lindi Terahu.+ 25  Pas lindjes së Terahut, Nahori jetoi edhe 119 vjet dhe i lindën bij e bija. 26  Pasi kishte mbushur 70 vjeç, Terahut i lindi Abrami,+ Nahori+ dhe Harani. 27  Kjo është historia e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani. Haranit i lindi Loti.+ 28  Harani vdiq në vendlindje, në Ur+ të kaldeasve,+ ndërsa ishte ende gjallë i ati, Terahu. 29  Abrami dhe Nahori u martuan; gruaja e Abramit quhej Saraja,+ ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka+ dhe ishte bijë e Haranit, i cili ishte i ati i Milkës dhe i Iskës. 30  Mirëpo Saraja ishte shterpë,+ nuk kishte fëmijë. 31  Pastaj Terahu mori me vete të birin, Abramin, nipin e tij,+ Lotin, pra birin e Haranit, dhe nusen e Abramit, Sarajën, e të gjithë këta dolën nga Uri i kaldeasve për të shkuar në vendin e Kananit.+ Me kalimin e kohës arritën në Haran+ dhe filluan të banonin atje. 32  Terahu jetoi 205 vjet, pastaj vdiq në Haran.

Shënimet

Ose «të njëjtin fjalor».
Do të thotë «ngatërrim».