Zanafilla 12:1-20

  • Abrami largohet nga Harani për në Kanan (1-9)

    • Premtimi i Perëndisë ndaj Abramit (7)

  • Abrami dhe Saraja në Egjipt (10-20)

12  Tani, Jehovai i tha Abramit: «Largohu nga vendi yt, nga farefisi yt dhe nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj.+  Unë do të të bëj një komb të madh, do të të bekoj e do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të bëhesh bekim për të tjerët.+  Do t’i bekoj ata që të bekojnë dhe do t’i mallkoj ata që të mallkojnë.+ Pa dyshim, gjithë familjet e tokës do të bekohen* nëpërmjet teje.»+  Atëherë Abrami iku, ashtu siç i kishte thënë Jehovai, dhe Loti shkoi me të. Abrami ishte 75 vjeç kur iku nga Harani.+  Abrami mori të shoqen, Sarajën,+ djalin e të vëllait, Lotin,+ gjithë zotërimet që kishin grumbulluar,+ gjithë shërbëtorët që ishin me ta në Haran, dhe u nisën për në vendin e Kananit.+ Kur mbërritën në Kanan,  Abrami e përshkoi vendin deri në rajonin e Sikemit,+ pranë pemëve të mëdha të Morehut.+ Në atë kohë, në vend ndodheshin kananitët.  Atëherë Jehovai iu shfaq Abramit dhe i tha: «Unë do t’ia jap këtë vend pasardhësit*+ tënd.»+ Kështu Abrami ndërtoi një altar për Jehovain, që i ishte shfaqur atje.  Më vonë iku që andej e shkoi në rajonin malor në lindje të Bethelit+ dhe e ngriti tendën mes Bethelit dhe Ait; Bethelin e kishte në perëndim dhe Ain+ në lindje. Atje ndërtoi një altar për Jehovain+ dhe nisi t’i thurte lavde emrit të Jehovait.+  Pastaj Abrami e mblodhi kampin dhe mori rrugën drejt Negebit,+ duke e lëvizur kampin nga një vend në tjetrin. 10  Tani, në vend ra zi buke, e meqë zia ishte e rëndë,+ Abrami zbriti që të banonte në Egjipt për ca kohë.*+ 11  Kur po hynte në Egjipt, i tha së shoqes, Sarajës: «Më dëgjo, të lutem! Unë e di që je një grua shumë e bukur+ 12  dhe, kur të të shohin, egjiptianët me siguri do të thonë: ‘Kjo është gruaja e tij.’ Pastaj mua do të më vrasin, ndërsa ty do të të lënë gjallë. 13  Të lutem, thuaj se je motra ime që të më trajtojnë mirë për hatrin tënd dhe të më kursehet jeta.»*+ 14  Sapo Abrami hyri në Egjipt, egjiptianët vunë re që gruaja ishte shumë e bukur. 15  E panë edhe princat e faraonit dhe nisën ta lavdëronin gruan para tij, prandaj Sarajën e çuan në shtëpinë e faraonit. 16  Ai e trajtoi mirë Abramin për hatër të saj dhe i dha dhen, gjedhë, gomarë e gomarica, shërbyes e shërbyese dhe deve.+ 17  Mirëpo Jehovai e goditi me plagë të rënda faraonin dhe familjen e shërbëtorët e tij për shkak të Sarajës, gruas së Abramit.+ 18  Atëherë faraoni e thirri Abramin dhe i tha: «Ç’është kjo që më bëre? Pse nuk më the që ishte gruaja jote? 19  Pse the: ‘Është motra ime.’+ Për pak sa s’e mora për grua! Ja tek e ke gruan tënde. Merre dhe shko!» 20  Kështu faraoni u dha urdhër njerëzve të vet ta largonin Abramin bashkë me gruan e gjithë ç’kishte, dhe ata i larguan.+

Shënimet

Ose «do të marrin bekime».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «të jetonte atje si i huaj».
Ose «shpirti im të jetojë».