Zanafilla 15:1-21
15 Pas këtyre gjërave, fjala e Jehovait iu drejtua Abramit në një vegim:* «Mos ki frikë+ Abram. Unë jam mburoja jote.+ Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh.»+
2 Abrami iu përgjigj: «Zotëri Sovran Jehova, ç’do të më japësh? Jam ende pa fëmijë dhe ai që do të trashëgojë shtëpinë time, është një burrë nga Damasku, Eliezeri.»+
3 Abrami shtoi: «S’më ke dhënë asnjë pasardhës,*+ prandaj një pjesëtar* i shtëpisë sime do të jetë trashëgimtari im.»
4 Por ja, fjala e Jehovait iu drejtua atij: «Trashëgimtari yt nuk do të jetë ky njeri, por do të jetë yt bir.»*+
5 Tani, Perëndia i tha Abramit të dilte jashtë tendës: «Të lutem, ngriji sytë drejt qiellit dhe numëro yjet, nëse mund t’i numërosh.» Dhe vazhdoi: «Kështu do të bëhet pasardhësi* yt.»+
6 Abrami tregoi besim te Jehovai,+ prandaj Ai e konsideroi Abramin të drejtë.*+
7 Pastaj i tha akoma: «Unë jam Jehovai, që të nxora nga Uri i kaldeasve për të të dhënë këtë vend si zotërim.»+
8 Abrami iu përgjigj: «Zotëri Sovran Jehova, nga ta di se do ta shtie në dorë këtë vend?»
9 Ai ia ktheu: «Më merr një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri.»
10 Kështu, ai i mori, i ndau më dysh dhe e vuri secilën pjesë përballë tjetrës, por zogjtë nuk i preu në copa.
11 Pastaj zogjtë grabitqarë nisën t’u vërsuleshin kafshëve të therura, por Abrami i dëbonte.
12 Pak para se të perëndonte dielli, Abrami ra në gjumë të thellë dhe e mbuloi një errësirë e madhe që të fuste frikën.
13 Pastaj Perëndia i tha Abramit: «Pa dyshim pasardhësit* e tu do të jenë të huaj në një vend që s’është i tyre, dhe njerëzit e atij vendi do t’i skllavërojnë e do t’i mundojnë ata për 400 vjet.+
14 Por unë do ta gjykoj kombin që do t’i skllavërojë,+ e pas kësaj kanë për të dalë që andej me shumë zotërime.+
15 Kurse ti do të shkosh te paraardhësit e tu në paqe dhe do të varrosesh në pleqëri të mbarë.+
16 Por pasardhësit e tu do të kthehen këtu+ në brezin e katërt, sepse amoritët* nuk e kanë mbushur ende kupën me fajet e tyre.»+
17 Kur dielli kishte perënduar dhe ishte bërë shumë errësirë, u shfaq një vatër zjarri që nxirrte tym dhe një pishtar i zjarrtë që kaloi mes copave.
18 Atë ditë Jehovai bëri një besëlidhje me Abramin+ dhe i tha: «Do t’ia jap këtë vend+ pasardhësit* tënd, nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin Eufrat:+
19 vendin e kenitëve,+ të kenizitëve, të kadmonitëve,
20 të hititëve,+ të perezitëve,+ të refaimëve,+
21 të amoritëve, të kananitëve, të girgasitëve dhe të jebusitëve.»+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «farë».
^ Fjalë për fjalë «bir».
^ Fjalë për fjalë «dikush që del nga pjesët e tua të brendshme».
^ Fjalë për fjalë «fara». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Ose «prandaj Ai ia llogariti si drejtësi». Domethënë, e konsideroi të drejtë në kuptimin relativ.
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Ky është një term përmbledhës për kananitët.
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.