Zanafilla 17:1-27
17 Kur Abrami ishte 99 vjeç, Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm. Ec në udhët e mia dhe ji i patëmetë.*
2 Unë do ta mbaj besëlidhjen që bëra mes meje e teje+ dhe do të të shumoj pa masë.»+
3 Me të dëgjuar këtë, Abrami u përkul me fytyrë përtokë dhe Perëndia vazhdoi t’i thoshte:
4 «Ja, unë bëra një besëlidhje me ty+ dhe ti ke për t’u bërë ati i shumë kombeve.+
5 Emri yt nuk do të jetë më Abram,* por Abraham,* sepse do të të bëj atin e shumë kombeve.
6 Do të të bëj shumë, shumë të frytshëm, dhe nga ti do të dalin kombe e mbretër.+
7 Do të respektoj besëlidhjen mes meje e teje+ dhe pasardhësit* tënd, brez pas brezi, si një besëlidhje të përhershme, që të jem Perëndi për ty dhe për pasardhësin tënd.
8 Ty dhe pasardhësit* tënd do t’ju jap vendin ku banove si i huaj,+ gjithë vendin e Kananit, si zotërim të përhershëm, dhe unë do të jem Perëndia i tij.»+
9 Perëndia i tha më tej Abrahamit: «Kurse ti duhet ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit* e tu, brez pas brezi.
10 Kjo është besëlidhja mes meje e teje, që do të respektoni ti dhe pasardhësit* e tu: çdo mashkull mes jush duhet të rrethpritet.+
11 Pra duhet të rrethpriteni,* dhe kjo do të jetë si shenjë e besëlidhjes mes meje dhe teje.+
12 Brez pas brezi, çdo mashkull tetëditësh mes jush duhet të rrethpritet,+ si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, edhe ai që nuk është një nga pasardhësit* e tu dhe që iu ble me pará një të huaji.
13 Çdo burrë i lindur në shtëpinë tënde dhe çdo burrë që ke blerë me pará duhet të rrethpritet.+ Kjo shenjë në mishin tuaj duhet të shërbejë si provë e besëlidhjes sime të pandryshueshme me ty.
14 Nëse ndonjë mashkull nuk pranon të rrethpritet, ai duhet shfarosur* nga gjiri i popullit. Ai ka shkelur besëlidhjen time.»
15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: «Kurse Sarajën,*+ gruan tënde, mos e quaj më Sarajë, sepse emri i saj do të jetë Sara.*
16 Unë do ta bekoj, e nga ajo do të të jap një djalë.+ Unë do ta bekoj, e nga ajo do të vijnë kombe dhe mbretër.»
17 Me të dëgjuar këtë, Abrahami u përkul me fytyrë përtokë dhe nisi të qeshte e të thoshte me vete:+ «A do t’i lindë vallë një burri 100-vjeçar një djalë? Po Sara, një grua 90 vjeçe, a thua të lindë?»+
18 Pas kësaj Abrahami i tha Perëndisë së vërtetë: «Të lutem, beko Ismaelin!»+
19 Perëndia ia ktheu: «Sara, gruaja jote, do të të lindë pa dyshim një djalë dhe do t’ia vësh emrin Isak.*+ Me të dhe me pasardhësin* e tij do ta mbaj besëlidhjen time, besëlidhjen time të përhershme.+
20 Sa për Ismaelin, të kam dëgjuar; do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shtoj pa masë. Prej tij do të dalin 12 prijës, dhe unë do ta bëj një komb të madh.+
21 Megjithatë, besëlidhjen time do ta mbaj me Isakun,+ të cilin Sara do të ta lindë vitin tjetër tamam në këtë kohë.»+
22 Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia u largua nga Abrahami.
23 Atëherë Abrahami mori Ismaelin, të birin, gjithë burrat e lindur në shtëpinë e tij dhe gjithë ata që i kishte blerë me pará, pra çdo mashkull të shtëpisë së vet, dhe i rrethpreu po atë ditë, pikërisht siç i kishte thënë Perëndia.+
24 Abrahami ishte 99 vjeç kur u rrethpre.+
25 Ndërsa Ismaeli, i biri, ishte 13 vjeç kur u rrethpre.+
26 Po atë ditë u rrethpre Abrahami dhe djali i vet, Ismaeli.
27 Gjithashtu, bashkë me të u rrethprenë gjithë burrat e shtëpisë së tij, ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe ata që i kishte blerë me pará nga një i huaj.
Shënimet
^ Ose «i paqortueshëm».
^ Do të thotë «ati është i lartë (i lartësuar)».
^ Do të thotë «ati i një shumice (turme); ati i shumë vetave».
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Fjalë për fjalë «të rrethpritni mishin e lafshës».
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
^ Mund të ketë kuptimin «grindavece».
^ Do të thotë «princeshë».
^ Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Do të thotë «qeshje».