Zanafilla 22:1-24

  • Abrahami urdhërohet të flijojë Isakun (1-19)

    • Bekime falë pasardhësit të Abrahamit (15-18)

  • Familja e Rebekës (20-24)

22  Pas kësaj, Perëndia i vërtetë e vuri Abrahamin në provë+ dhe i tha: «Abraham!» Ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!»  Perëndia vazhdoi: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë,+ Isakun,+ dhe merr rrugën për në vendin e Moriahut.+ Atje flijoje si një blatim të djegur në një nga malet që do të të tregoj.»  Kështu Abrahami u çua herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit dhe mori dy shërbëtorë dhe të birin, Isakun. Çau edhe drutë për blatimin e djegur dhe pastaj u nis e mori rrugën për në vendin që i tregoi Perëndia i vërtetë.  Ditën e tretë, Abrahami ngriti sytë, pa nga larg vendin  dhe u tha shërbëtorëve: «Ju rrini këtu me gomarin, ndërsa unë dhe djali do të shkojmë atje që të adhurojmë Perëndinë e pastaj do të kthehemi.»  Abrahami mori drutë e blatimit të djegur dhe ia ngarkoi Isakut, të birit, kurse vetë mori zjarrin* dhe thikën, e të dy vazhduan rrugën së bashku.  Atëherë Isaku i tha të atit, Abrahamit: «Baba!» Ai iu përgjigj: «Po, biri im!» Ai vazhdoi: «Ja ku janë zjarri dhe drutë. Po delja për blatimin e djegur, ku është?»  Abrahami i tha: «Vetë Perëndia do ta sigurojë delen për blatimin e djegur,+ biri im.» Dhe të dy vazhduan të ecnin së bashku.  Së fundi arritën në vendin që i kishte treguar Perëndia i vërtetë dhe Abrahami ndërtoi atje një altar, sistemoi drutë mbi të, e lidhi këmbë e duar të birin, Isakun, dhe e vuri mbi altar, sipër druve.+ 10  Pastaj Abrahami zgjati dorën dhe mori thikën që ta vriste të birin,+ 11  por engjëlli i Jehovait i thirri nga qiejt: «Abraham, Abraham!» Dhe ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!» 12  Engjëlli vazhdoi: «Mos e vrit djalin dhe mos i bëj asgjë të keqe, sepse tani e di vërtet që ke nderim të thellë për Perëndinë,* pasi nuk ma kurseve birin tënd, të vetmin që ke.»+ 13  Menjëherë Abrahami ngriti sytë dhe pak më tutje pa një dash me brirët të ngatërruar te një shkurre. Prandaj Abrahami shkoi, mori dashin dhe e flijoi si blatim të djegur në vend të të birit. 14  Abrahami e quajti atë vend Jehova-Jireh.* Ja pse thuhet sot e kësaj dite: «Në malin e tij, Jehovai do të sigurojë atë që është e nevojshme.»+ 15  Engjëlli i Jehovait e thirri Abrahamin për herë të dytë nga qiejt: 16  «Meqë ti bëre këtë gjë dhe nuk e kurseve birin tënd, të vetmin që ke,+ betohem për veten time,—thotë Jehovai,+—​ 17  se me siguri do të të bekoj dhe do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit e si kokrrizat e rërës në breg të detit.+ Pasardhësi yt do të shtjerë në dorë portat* e armiqve të vet,+ 18  e me anë të pasardhësit* tënd+ do të bekohen* gjithë kombet e tokës, sepse ti e dëgjove zërin tim.»+ 19  Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët; ata u ngritën e së bashku u kthyen në Ber-Shebë,+ dhe Abrahami vazhdoi të banonte në Ber-Shebë. 20  Pas kësaj Abrahami mori këtë lajm: «Ja, edhe Milka i ka lindur djem Nahorit, vëllait tënd:+ 21  Uzin, të parëlindurin, Buzin, të vëllanë, Kemuelin, babanë e Aramit, 22  Kesedin, Hazonin, Fildashin, Jidlafin dhe Betuelin.»+ 23  Betueli u bë babai i Rebekës.+ Këta të tetë i lindi Milka Nahorit, vëllait të Abrahamit. 24  Edhe konkubina* e tij, e cila quhej Reuma, i lindi djem: Tebahun, Gahamin, Tahashin dhe Makahun.

Shënimet

Mund t’u referohet thëngjijve të ndezur.
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia». Shih Fjalorthin.
Do të thotë «Jehovai do të sigurojë; Jehovai do të kujdeset».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «qytetet».
Ose «do të arrijnë të marrin bekime».