Zanafilla 28:1-22

  • Isaku dërgon Jakobin në Padan-Aram (1-9)

  • Ëndrra e Jakobit në Bethel (10-22)

    • Perëndia i ripohon Jakobit premtimin e tij (13-15)

28  Atëherë Isaku thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos u marto me ndonjë nga bijat e Kananit.+  Shko në Padan-Aram, në shtëpinë e Betuelit, babait të nënës sate, dhe atje martohu me një nga bijat e Labanit,+ vëllait të nënës sate.  Perëndia i Plotfuqishëm do të të bekojë, do të të bëjë të frytshëm e do të të shumojë, dhe nga ti do të vijnë shumë fise.+  Ai do të të japë bekimin e Abrahamit,+ ty dhe pasardhësit* tënd, që të shtiesh në dorë vendin ku banon si i huaj, që Perëndia ia ka dhënë Abrahamit.»+  Kështu Isaku e nisi Jakobin, dhe ky mori rrugën për në Padan-Aram, te Labani, djali i Betuelit, aramaitit,+ vëllai i Rebekës,+ nënës së Jakobit dhe Esaut.  Esau e mori vesh që Isaku e kishte bekuar Jakobin dhe e kishte nisur në Padan-Aram që të merrte grua, pasi e kishte urdhëruar: «Mos u marto me ndonjë nga bijat e Kananit.»+  Mori vesh edhe që Jakobi iu bind babait e nënës dhe u nis për në Padan-Aram.+  Kështu Esau e kuptoi që bijat e Kananit nuk kishin pëlqimin e të atit, Isakut,+  prandaj, përveç grave që kishte tashmë,+ Esau shkoi te familja e Ismaelit dhe mori për grua Mahalatën, vajzën e Ismaelit, djalit të Abrahamit, motrën e Nebajotit. 10  Kurse Jakobi u nis nga Ber-Sheba dhe vazhdoi rrugën për në Haran.+ 11  Pas një copë rruge arriti në një vend dhe u bë gati të kalonte natën atje, sepse dielli kishte perënduar. Prandaj mori një gur, e vuri që të mbështeste kokën dhe u shtri.+ 12  Pastaj pa në ëndërr një shkallë të mbështetur në tokë me majën që arrinte deri në qiej. Dhe ja, engjëjt e Perëndisë ngjiteshin e zbritnin nëpër të.+ 13  Pa edhe Jehovain që rrinte mbi të dhe thoshte: «Unë jam Jehovai, Perëndia i Abrahamit, paraardhësit tënd, dhe Perëndia i Isakut.+ Vendin ku je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësit* tënd.+ 14  Pasardhësi* yt do të bëhet si grimcat e pluhurit të tokës+ dhe do të shpërndahet kudo, në perëndim e në lindje, në veri e në jug. Nëpërmjet teje dhe pasardhësit tënd do të bekohen* gjithë familjet e tokës.+ 15  Unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të shkosh e do të të kthej përsëri në këtë vend.+ Nuk do të të lë dhe do ta plotësoj me siguri premtimin që të kam bërë.»+ 16  Atëherë Jakobi u zgjua dhe tha: «Jehovai është vërtet në këtë vend dhe unë nuk e dija.» 17  Pastaj e zuri frika dhe shtoi: «Ky vend të ngjall nderim të thellë! S’mund të jetë gjë tjetër veçse shtëpia e Perëndisë+ dhe porta e qiejve.»+ 18  Kështu Jakobi u çua herët në mëngjes, mori gurin ku kishte mbështetur kokën, e ngriti si një shtyllë dhe derdhi vaj mbi të.+ 19  Prandaj e quajti atë vend Bethel;* më parë qyteti quhej Luz.+ 20  Pastaj Jakobi bëri një zotim dhe tha: «Nëse Perëndia do të vazhdojë të jetë me mua dhe do të më mbrojë gjatë rrugës, nëse do të më japë bukë për të ngrënë e rroba për të veshur 21  dhe nëse kthehem shëndoshë e mirë në shtëpinë e tim eti, atëherë Jehovai me siguri do të ketë treguar se është Perëndia im. 22  Ky gur që kam ngritur si shtyllë, do të bëhet shtëpi e Perëndisë,+ dhe ty, o Perëndi, do të të jap gjithmonë të dhjetën e çdo gjëje që do të më japësh.»

Shënimet

Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «do të marrin bekime».
Do të thotë «shtëpi e Perëndisë».