Zanafilla 29:1-35

  • Jakobi takon Rakelën (1-14)

  • Jakobi bie në dashuri me Rakelën (15-20)

  • Jakobi martohet me Lean dhe Rakelën (21-29)

  • Katër djemtë e Jakobit nga Lea: Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda (30-35)

29  Pastaj Jakobi vazhdoi udhën drejt vendit të popujve të Lindjes.  Ai pa në fushë një pus dhe pranë tij ishin shtrirë tri kope dhensh, sepse zakonisht nga ai pus u jepnin ujë kopeve; mbi grykën e pusit kishte një gur të madh.  Barinjtë e rrokullisnin gurin nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë kopeve kur i kishin mbledhur të gjitha atje, pastaj e vinin përsëri gurin në vend.  Atëherë Jakobi i pyeti: «Vëllezërit e mi, nga jeni?» Ata i thanë: «Nga Harani.»+  Pastaj u tha: «A e njihni Labanin,+ nipin e Nahorit?»+ Ata ia kthyen: «E njohim.»  Ai i pyeti: «A është mirë?» Ata iu përgjigjën: «Mirë është, dhe ja ku është e bija, Rakela,+ që po vjen me dhentë.»  Ai vazhdoi: «Është ende mesi i ditës. S’është koha për t’i mbyllur tufat. Jepuni ujë dhenve e shkoni t’i kullotni.»  Ata i thanë: «S’duhet t’u japim ujë pa u mbledhur më parë të gjitha kopetë. Vetëm atëherë mund ta rrokullisim gurin nga gryka e pusit e t’u japim ujë dhenve.»  Ndërsa ai po fliste me ta, erdhi Rakela me dhentë e të atit, sepse ishte bareshë. 10  Sa e pa Rakelën, vajzën e Labanit, vëllait të nënës, bashkë me dhentë, Jakobi u afrua menjëherë, rrokullisi gurin nga gryka e pusit dhe u dha ujë dhenve të Labanit. 11  Pastaj Jakobi e puthi Rakelën, shpërtheu në lot 12  dhe i tha se ishte i afërm* i babait të saj e se ishte djali i Rebekës. Atëherë ajo iku me vrap t’ia thoshte të atit. 13  Sapo dëgjoi për Jakobin, djalin e së motrës, Labani+ vrapoi që ta takonte. E përqafoi, e puthi dhe e mori brenda në shtëpi, e Jakobi nisi t’i tregonte Labanit gjithçka. 14  Ky i tha: «Ti je vërtet gjaku im.»* Kështu Jakobi qëndroi me të plot një muaj. 15  Më pas Labani i tha Jakobit: «S’ke për të më shërbyer pa marrë asgjë, vetëm ngaqë je i afërmi* im!+ Më thuaj, ç’pagë do?»+ 16  Tani, Labani kishte dy vajza; e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.+ 17  Lea kishte sy të shuar, kurse Rakela ishte shumë e hijshme dhe e bukur. 18  Jakobi kishte rënë në dashuri me Rakelën, prandaj i tha Labanit: «Jam gati të të shërbej shtatë vjet për vajzën tënde të vogël, Rakelën.»+ 19  Labani iu përgjigj: «Më mirë të ta jap ty, se ndonjë tjetri. Vazhdo të banosh këtu tek unë.» 20  Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën,+ dhe nga dashuria që kishte për të, iu dukën vetëm pak ditë. 21  Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Më jep nusen time sepse ditët që duhej të të shërbeja, mbaruan, dhe më lër të kem marrëdhënie me të.» 22  Kështu Labani mblodhi gjithë njerëzit e vendit dhe bëri dasmë. 23  Mirëpo gjatë mbrëmjes, mori vajzën tjetër, Lean, dhe ia çoi Jakobit që të flinte me të. 24  Gjithashtu, Labani i dha Leas si shërbyese+ Zilpën, shërbyesen e tij. 25  Jakobi e kuptoi që ishte Lea vetëm në mëngjes, prandaj i tha Labanit: «Ç’është kjo që më bëre?! A nuk të shërbeva për Rakelën? Pse ma punove kështu?!»+ 26  Labani ia ktheu: «Në vendin tonë nuk e kemi zakon të japim të voglën para së madhes. 27  Kaloje javën e dasmës me vajzën e madhe, e pastaj do të të jap edhe vajzën e vogël, për të cilën do të më shërbesh edhe shtatë vite të tjera.»+ 28  Prandaj Jakobi bëri ashtu dhe e kaloi javën e dasmës me vajzën e madhe. Pastaj Labani i dha për nuse edhe vajzën tjetër, Rakelën. 29  Gjithashtu i dha Rakelës si shërbyese+ Belhanë,+ shërbyesen e tij. 30  Jakobi pati marrëdhënie edhe me Rakelën. Ai e deshi më shumë Rakelën se Lean, dhe shërbeu për të edhe shtatë vite të tjera.+ 31  Kur Jehovai pa se Jakobi e donte më pak* Lean, i dha asaj mundësi të mbetej shtatzënë,*+ kurse Rakela nuk lindte fëmijë.+ 32  Kështu Lea mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë që e quajti Ruben,*+ sepse tha: «Jehovai e pa brengën time+ dhe tani im shoq do të fillojë të më dojë më shumë.» 33  Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë tjetër e tha: «Jehovai dëgjoi që im shoq s’më donte, prandaj më dha edhe këtë fëmijë.» Kështu e quajti Simeon.*+ 34  Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi edhe një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të lidhet më shumë me mua, sepse i kam lindur tre djem.» Prandaj e quajtën Levi.*+ 35  Ajo mbeti prapë shtatzënë dhe lindi edhe një djalë tjetër e tha: «Këtë herë do të lëvdoj Jehovain.» Prandaj e quajti Judë.*+ Pas kësaj, ajo nuk lindi më për njëfarë kohe.

Shënimet

Fjalë për fjalë «vëllai».
Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi im».
Fjalë për fjalë «vëllai».
Fjalë për fjalë «e urrente».
Fjalë për fjalë «ia çeli barkun».
Do të thotë «Ja, një djalë!»
Do të thotë «dëgjim».
Do të thotë «lidhje; bashkim».
Do të thotë «i lëvduar; objekt lëvdimi».