Zanafilla 32:1-32

  • Engjëjt takojnë Jakobin (1, 2)

  • Jakobi përgatitet për të takuar Esaun (3-23)

  • Jakobi përleshet me një engjëll (24-32)

    • Nga Jakob në Izrael (28)

32  Kurse Jakobi vazhdoi rrugën dhe engjëjt e Perëndisë i dolën përpara.  Kur i pa, Jakobi tha: «Ky është kampi i Perëndisë!» Prandaj e quajti atë vend Mahanaim.*  Pastaj Jakobi nisi përpara lajmëtarë tek i vëllai, Esau, në vendin e Seirit,+ në territorin* e Edomit,+  dhe i urdhëroi: «Ja çfarë do t’i thoni zotërisë tim, Esaut: “Shërbëtori yt, Jakobi, thotë: ‘Kam banuar* me Labanin për një kohë të gjatë.+  Kam grumbulluar dema dhe gomarë, dhen, shërbyes e shërbyese,+ dhe po të dërgoj fjalë se po vij zotëria im, që të kem miratimin tënd.’ ”»  Kur lajmëtarët u kthyen te Jakobi, i thanë: «Takuam vëllanë tënd, Esaun, dhe ai po vjen të të takojë, bashkë me 400 burra.»+  Atëherë Jakobi u frikësua shumë dhe e pushtoi ankthi.+ Prandaj i ndau në dy kampe njerëzit që ishin me të, si edhe kopetë, gjedhët dhe devetë  sepse tha: «Nëse Esau sulmon njërin kamp, atëherë kampi tjetër mund të shpëtojë.»  Pastaj Jakobi tha: «O Perëndi i atit tim Abraham dhe Perëndi i atit tim Isak, o Jehova, ti më thua: ‘Kthehu në vendin tënd, te të afërmit e tu dhe unë do të të bekoj’,+ 10  mirëpo unë nuk jam i denjë për gjithë dashurinë* dhe besnikërinë që ke treguar ndaj shërbëtorit tënd,+ sepse kur e kalova Jordanin kisha vetëm këtë bastun, kurse tani jam bërë me dy kampe.+ 11  Më shpëto, të lutem,+ nga dora e tim vëllai, Esaut, sepse kam frikë se mos vjen e më sulmon mua,+ si edhe nënat e fëmijët. 12  Dhe ti vetë më the: ‘Pa pikë dyshimi do të të bekoj dhe do ta bëj pasardhësin* tënd si kokrrizat e rërës së detit, aq shumë sa s’mund të numërohet.’»+ 13  Pasi kaloi natën atje, Jakobi vuri mënjanë një pjesë të zotërimeve të veta si dhuratë për Esaun, të vëllanë:+ 14  200 dhi, 20 cjep, 200 dele, 20 desh, 15  30 deve me të vegjlit e tyre, 40 lopë, 10 dema, 20 gomarica dhe 10 gomarë.+ 16  Pastaj tufat ua dorëzoi shërbëtorëve, njërën pas tjetrës, dhe u tha: «Kaloni përpara meje dhe lini hapësirë mes njërës tufë dhe tjetrës.» 17  Pastaj e urdhëroi të parin: «Në rast se im vëlla, Esau, të takon dhe të pyet: ‘Kujt i përket, ku po shkon dhe të kujt janë këto që ke përpara?’, 18  atëherë thuaji: ‘Të shërbëtorit tënd, Jakobit; janë dhuratë për zotërinë tim, Esaun,+ ndërsa ai vetë është pas nesh.’» 19  Po kështu urdhëroi edhe të dytin, të tretin dhe ata që ndiqnin tufat: «Kështu do t’i thoni Esaut kur ta takoni. 20  Gjithashtu thuajini: ‘Ja, shërbëtori yt, Jakobi, po vjen pas nesh’», sepse thoshte me vete: «Nëse e qetësoj me anë të dhuratës që po dërgoj përpara,+ ndoshta më mirëpret kur ta shoh.» 21  Prandaj e nisi dhuratën përpara, ndërsa vetë e kaloi natën në kamp. 22  Më vonë, gjatë natës u ngrit, mori dy gratë,+ dy shërbyeset+ e 11 djemtë e vegjël dhe kaloi vaun* e Jabokut.+ 23  Kështu i mori dhe i kaloi matanë përroit* bashkë me gjithë ç’kishte. 24  Kur Jakobi mbeti vetëm, një burrë* nisi të përleshej me të deri në agim.+ 25  Kur pa se nuk po e mposhtte, ai i preku zgavrën e legenit dhe Jakobit i doli këllku nga vendi ndërsa përleshej me të.+ 26  Më pas i tha: «Lërmë të shkoj sepse po agon.» Por Jakobi ia ktheu: «S’të lë të ikësh derisa të më bekosh.»+ 27  Atëherë ai e pyeti: «Si e ke emrin?» Ai iu përgjigj: «Jakob.» 28  Kështu i tha: «Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Izrael,*+ sepse u ndeshe me Perëndinë+ e me njerëzit, dhe më në fund ia dole mbanë.» 29  Edhe Jakobi i tha: «Të lutem, më thuaj emrin tënd.» Por ai iu përgjigj: «Pse do ta dish emrin tim?»+ E pasi tha këtë, e bekoi. 30  Prandaj Jakobi e quajti atë vend Peniel,*+ sepse tha: «E kam parë Perëndinë ballë për ballë, e megjithatë m’u kursye jeta.»*+ 31  Dielli po ngrihej kur Jakobi kaloi Penuelin,* mirëpo ai çalonte për shkak të legenit.+ 32  Ja pse bijtë e Izraelit deri sot e kësaj dite nuk e kanë zakon të hanë dellin e kofshës* që është në zgavrën e legenit, sepse ai i preku Jakobit zgavrën e legenit, te delli i kofshës.

Shënimet

Do të thotë «dy kampe».
Fjalë për fjalë «fushën».
Ose «Kam banuar si i huaj».
Ose «dashurinë besnike».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Ose «vadit». Shih Fjalorthin.
«Një burrë» i referohet një engjëlli që kishte marrë trup njerëzor.
Do të thotë «ai që ndeshet (ngulmon) me Perëndinë» ose «Perëndia ndeshet».
Do të thotë «fytyra e Perëndisë».
Ose «shpirti».
Ose «Penielin».
Fjalë për fjalë «dellin e nervit të kofshës».