Zanafilla 38:1-30
-
Juda dhe Tamara (1-30)
38 Në atë kohë, Juda u nda nga vëllezërit dhe e ngriti tendën pranë një adulamiti që quhej Hirah.
2 Atje Juda pa vajzën e Shuait, një kananiti,+ kështu e mori për grua dhe pati marrëdhënie me të.
3 Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë, dhe ai e quajti Eri.+
4 Ajo mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë, që ia vuri emrin Onan.
5 Lindi edhe një djalë tjetër dhe e quajti Shelah; ata* ndodheshin në Akzib+ kur ajo lindi Shelahun.
6 Me kalimin e kohës, Juda mori një grua për Erin, të parëlindurin, dhe ajo quhej Tamara.+
7 Por Eri, i parëlinduri i Judës, i sillte pakënaqësi Jehovait, prandaj Jehovai ia mori jetën.
8 Atëherë Juda i tha Onanit: «Martohu me gruan e vëllait tënd, ki marrëdhënie me të dhe bëj detyrën që i takon kunatit, që t’i lësh pasardhës vëllait tënd.»+
9 Por Onani e dinte se ata nuk do të quheshin pasardhësit e tij.+ Prandaj, kur kryente marrëdhënie me gruan e të vëllait, e derdhte farën përtokë, që të mos i linte pasardhës të vëllait.+
10 Por kjo ishte e keqe në sytë e Jehovait, prandaj ai ia mori jetën edhe atij.+
11 Juda i tha Tamarës, nuses së djalit: «Qëndro në shtëpinë e babait tënd dhe mos u marto përsëri derisa të rritet Shelahu, im bir», sepse kishte merak se mos vdiste edhe ai si vëllezërit e vet.+ Prandaj Tamara shkoi dhe jetoi në shtëpinë e të atit.
12 Kaloi ca kohë dhe gruaja e Judës, vajza e Shuait,+ vdiq. Pasi kaloi koha e zisë, Juda, bashkë me shokun e tij Hirahun, adulamitin,+ shkoi në Timnah+ te qethësit e dhenve të tij.
13 Këtë e mori vesh edhe Tamara, sepse i thanë: «Ja, vjehrri yt po shkon në Timnah për të qethur dhentë.»
14 Prandaj ajo hoqi rrobat e vejërisë, vuri një vel në fytyrë, u mbështoll me një shall dhe u ul te porta e Enaimit, që ndodhet rrugës për në Timnah; këtë e bëri sepse Shelahu ishte rritur dhe ajo nuk ishte bërë ende gruaja e tij.+
15 Kur e pa, Juda e mori për prostitutë, sepse ajo kishte mbuluar fytyrën.
16 Mirëpo ai nuk e dinte që ishte nusja e djalit,+ prandaj shkoi tek ajo dhe i tha: «Më lejo të kem marrëdhënie me ty.» Por ajo e pyeti: «Ç’do të më japësh që të kesh marrëdhënie me mua?»
17 Ai i tha: «Do të të dërgoj një kec nga kopeja.» Por ajo ia ktheu: «Më lër një peng derisa ta dërgosh.»
18 Ai vazhdoi: «Çfarë pengu të lë?» Ajo i tha: «Unazën tënde me vulë,+ kordonin tënd dhe bastunin që ke në dorë.» Atëherë ky ia dha, pati marrëdhënie me të, dhe ajo mbeti shtatzënë.
19 Pas kësaj, ajo u ngrit dhe u largua, hoqi shallin dhe u vesh me rrobat e vejërisë.
20 Juda e dërgoi kecin me anë të shokut të tij adulamit,+ që të merrte pengun nga duart e asaj gruaje, por ai s’e gjeti dot,
21 prandaj pyeti njerëzit e vendit të saj: «Ku është ajo prostituta e tempullit që rrinte në Enaim, anës rrugës?» Por ata i thanë: «Në këtë vend s’ka pasur kurrë ndonjë prostitutë tempulli.»
22 Së fundi ai u kthye te Juda dhe i tha: «S’e gjeta dot, dhe veç kësaj njerëzit e vendit më thanë: ‘Në këtë vend s’ka pasur kurrë ndonjë prostitutë tempulli.’»
23 Atëherë Juda tha: «Le t’i mbajë, përndryshe do të bëhemi gazi i botës. Sido që të jetë, unë e dërgova kecin, por ti nuk e gjete dot.»
24 Mirëpo gati tre muaj më vonë, Judës i thanë: «Tamara, nusja e djalit, është bërë prostitutë dhe ka mbetur shtatzënë.» Atëherë Juda tha: «Nxirreni jashtë, vriteni dhe pastaj digjeni.»+
25 Kur po e nxirrnin jashtë, ajo i dërgoi fjalë të vjehrrit: «Kam mbetur shtatzënë me burrin që i takojnë këto gjëra. Shihi me kujdes, të lutem, të kujt janë unaza me vulë, kordoni dhe bastuni.»+
26 Atëherë Juda i pa me kujdes dhe tha: «Ajo është më e drejtë se unë, sepse nuk ia dhashë për grua djalit tim, Shelahut.»+ Pas kësaj nuk pati më marrëdhënie me të.
27 Kur i erdhi koha për të lindur, ajo kishte binjakë.
28 Ndërsa po lindte, njëri prej tyre nxori dorën, dhe mamia mori menjëherë një fill në të kuqe të ndezur, ia lidhi rreth dorës dhe tha: «Ky doli i pari.»
29 Sapo ky e tërhoqi dorën, doli i vëllai, dhe mamia thirri: «Pse e çave kështu nënën tënde?!» Prandaj ia vunë emrin Perez.*+
30 Pastaj doli i vëllai që kishte rreth dorës fillin në të kuqe të ndezur, dhe atij ia vunë emrin Zerah.+