Zanafilla 39:1-23
39 Ndërkohë Jozefin e kishin çuar në Egjipt.+ Atje Potifari,+ një zyrtar i oborrit të faraonit, kreu i rojave, një egjiptian, e bleu nga ismaelitët,+ që e kishin çuar atje.
2 Mirëpo Jehovai ishte me Jozefin,+ prandaj ky u bë i suksesshëm dhe me përgjegjësi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian.
3 Zotëria i tij e pa që Jehovai ishte me të dhe se Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.
4 Kështu Jozefi fitoi gjithnjë e më shumë pëlqimin e zotërisë së tij dhe u bë shërbëtori i tij personal. Prandaj e caktoi në krye të shtëpisë së vet dhe i la nën kujdes gjithçka.
5 Që nga ajo kohë, Jehovai e bekonte shtëpinë e egjiptianit falë Jozefit dhe bekimi i Jehovait ishte mbi gjithçka që ai kishte në shtëpi e në arë.+
6 Si përfundim ai i la në dorë Jozefit gjithçka dhe nuk merakosej për asgjë, përveç bukës që hante. Veç kësaj, Jozefi u bë djalë i pashëm dhe truplidhur.
7 Pas ca kohësh, gruaja e zotërisë së tij ia vuri syrin Jozefit dhe i thoshte: «Fli me mua.»
8 Por ai nuk pranonte dhe i thoshte: «Imzot nuk merakoset për asgjë që më ka lënë në shtëpi dhe ma ka besuar mua gjithçka që ka.
9 Në këtë shtëpi s’ka asnjë më të madh se unë, dhe ai s’më ka mbajtur asgjë tjetër veç teje, sepse ti je gruaja e tij. Prandaj, si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?»+
10 Ndonëse ajo i fliste Jozefit ditë për ditë që t’ia mbushte mendjen, ai kurrë nuk pranoi të flinte a të rrinte me të.
11 Një ditë Jozefi shkoi në shtëpi për të bërë punët e tij, mirëpo atje nuk ishte asnjë nga shërbëtorët.
12 Atëherë ajo e mbërtheu nga rrobat dhe i tha: «Fli me mua!» Por ai ia mbathi përjashta dhe ia la rrobën në dorë.
13 Kur pa që i la rrobën në dorë dhe iku jashtë,
14 ajo filloi t’u thërriste shërbëtorëve të shtëpisë së saj e t’u thoshte: «Shihni! Ky hebre që im shoq e solli në shtëpi, do që të na bëjë gazin e botës, sepse erdhi që të flinte me mua, por unë fillova të ulërija me sa të më hante zëri.
15 Me të dëgjuar që fillova të bërtisja e të ulërija, ai e la rrobën pranë meje dhe ia mbathi përjashta.»
16 Pastaj e mbajti afër vetes rrobën e tij derisa erdhi në shtëpi Potifari, zotëria i Jozefit.
17 Atëherë ajo i tha edhe atij të njëjtën gjë: «Shërbëtori hebre që na solle ti, erdhi tek unë për të më bërë gazin e botës.
18 Por, sapo fillova të bërtisja e të ulërija, ai e la rrobën këtu pranë meje dhe ia mbathi përjashta.»
19 Me të dëgjuar fjalët e së shoqes, që i tha: «Kështu e kështu ma bëri shërbëtori yt», zotëria i tij u tërbua nga zemërimi.
20 Prandaj e mori Jozefin dhe e futi në burg, në vendin ku mbaheshin nën arrest të burgosurit e mbretit, dhe Jozefi mbeti atje.+
21 Por Jehovai vazhdoi të ishte me Jozefin e t’i tregonte dashuri besnike dhe, falë bekimit të tij, Jozefi fitoi pëlqimin e përgjegjësit të burgut.+
22 Prandaj e caktoi Jozefin të mbikëqyrte gjithë të burgosurit, dhe gjithçka që bëhej atje, bëhej me urdhër të tij.+
23 Përgjegjësi nuk merakosej fare për punët që i ishin besuar Jozefit, sepse Jehovai ishte me Jozefin dhe Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.+