Zanafilla 42:1-38
42 Kur mori vesh se në Egjipt kishte drithë,+ Jakobi u tha djemve: «Ç’më shikoni njëri-tjetrin?!»
2 Pastaj shtoi: «Kam dëgjuar se në Egjipt ka drithë. Shkoni e na blini ca, që të mbajmë frymën gjallë e të mos vdesim urie.»+
3 Kështu dhjetë nga vëllezërit e Jozefit+ shkuan që të blinin drithë në Egjipt.
4 Por Jakobi nuk e dërgoi me vëllezërit Beniaminin,+ vëllanë e Jozefit, sepse thoshte: «Se mos i ndodh ndonjë e keqe.»*+
5 Kështu djemtë e Izraelit vajtën në Egjipt bashkë me të tjerët që po shkonin atje të blinin ushqim, sepse zia e bukës kishte pllakosur edhe vendin e Kananit.+
6 Jozefi kishte autoritet të plotë mbi gjithë Egjiptin+ dhe pikërisht ai ua shiste drithin njerëzve nga të gjitha vendet.+ Prandaj vëllezërit e Jozefit shkuan dhe u përkulën para tij me fytyrën përtokë.+
7 Kur i pa vëllezërit, Jozefi i njohu menjëherë, por nuk u dha të njohur,+ e madje u foli ashpër dhe i pyeti: «Nga keni ardhur?» Ata iu përgjigjën: «Nga vendi i Kananit për të blerë ushqim.»+
8 Kështu Jozefi i njohu vëllezërit, kurse ata jo.
9 Në çast Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre+ dhe u tha: «Ju jeni spiunë! Keni ardhur të shikoni ku janë pikat e dobëta* të vendit.»
10 Atëherë ata ia kthyen: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqim.
11 Ne jemi të gjithë bij të një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë.»
12 Por ai u tha: «S’është e vërtetë! Ju keni ardhur të shikoni ku janë pikat e dobëta të vendit.»
13 Ata iu përgjigjën: «Shërbëtorët e tu janë 12 vëllezër.+ Jemi bij të një njeriu+ në vendin e Kananit. Vëllai i vogël tani është me babanë,+ ndërsa vëllai tjetër nuk është më.»+
14 Megjithatë Jozefi u tha: «Është ashtu si ju thashë: ‘Jeni spiunë!’
15 Ja si do të viheni në provë: siç është e vërtetë që faraoni rron, ju s’keni për të dalë që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël.+
16 Dërgoni njërin nga ju të marrë vëllanë tuaj, kurse ju të tjerëve do t’ju mbajmë këtu, e në këtë mënyrë do të provohet nëse po thoni të vërtetën. Përndryshe, siç është e vërtetë që faraoni rron, ju jeni spiunë.»
17 Pastaj i vuri bashkë në arrest për tri ditë.
18 Ditën e tretë Jozefi u tha: «Unë nderoj thellësisht Perëndinë e vërtetë,* prandaj bëni siç ju them e do të jetoni.
19 Nëse jeni të ndershëm, njëri nga ju të qëndrojë në arrest këtu, ndërsa ju të tjerët shkoni të çoni drithë në shtëpitë tuaja, që ta përballojnë zinë e bukës.+
20 Pastaj më sillni vëllanë tuaj të vogël, që fjalët tuaja të dalin të vërteta; atëherë s’keni për të vdekur.» Prandaj ata bënë ashtu.
21 Kështu i thanë njëri-tjetrit: «Me siguri po ndëshkohemi për shkak të vëllait tonë,+ sepse e pamë sa po vuante kur na përgjërohej të kishim mëshirë për të, por ne nuk ia vumë veshin. Ja pse na ka rënë gjithë ky hall.»
22 Atëherë Rubeni iu përgjigj: «A s’ju thashë: ‘Mos i bëni keq* djalit’, por ju s’më dëgjuat.+ Tani po na kërkohet llogari për gjakun e tij.»+
23 Mirëpo ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse me të merreshin vesh me anë të një përkthyesi.
24 Prandaj ai u largua dhe filloi të qante me dënesë.+ Kur u kthye dhe foli përsëri me ta, mori Simeonin+ dhe e lidhi në sy të tyre.+
25 Pas kësaj Jozefi dha urdhër t’ua mbushnin thasët me drithë, t’ua kthenin e t’ua futnin paratë secilit në thesin e vet, si dhe t’u jepnin ushqime për rrugën; dhe kështu u bë.
26 Pastaj ngarkuan drithin në gomarë dhe u nisën.
27 Kur ndaluan në një han, njëri prej tyre hapi thesin që t’i jepte tagji gomarit dhe pa në grykë të thesit paratë e veta.
28 Atëherë u tha vëllezërve të tij: «M’i paskan kthyer paratë dhe ja tek i kam në thes!» Prandaj u ngriu zemra dhe duke u dridhur nga frika i thanë njëri-tjetrit: «Ç’na ka bërë kështu Perëndia?!»
29 Kur mbërritën në vendin e Kananit, te Jakobi, babai i tyre, i treguan gjithçka që u kishte ndodhur:
30 «Njeriu që është zot i vendit na foli ashpër+ dhe na akuzoi se ishim spiunë.
31 Por ne i thamë: ‘Jemi njerëz të ndershëm, nuk jemi spiunë.+
32 Jemi 12 vëllezër,+ bij të atit tonë. Njëri nuk është më+ dhe më i vogli është me babanë në vendin e Kananit.’+
33 Por njeriu që është zot i vendit na tha: ‘Kështu do ta marr vesh nëse jeni të ndershëm: lini një nga vëllezërit tuaj me mua,+ pastaj merrni diçka që shtëpitë tuaja ta përballojnë zinë e bukës dhe shkoni.+
34 Më sillni vëllanë tuaj të vogël që ta marr vesh se nuk jeni spiunë, por të ndershëm. Atëherë do t’jua kthej vëllanë dhe ju mund të vazhdoni të blini drithë në vend.’»
35 Kur po boshatisnin thasët, panë që secili kishte në thes qesen e vet me pará. Kur panë qeset e parave, ata dhe babai i tyre u frikësuan.
36 Atëherë Jakobi, babai i tyre, u bërtiti: «Ju më latë pa fëmijë!+ Jozefi s’është më,+ Simeoni s’është më+ dhe tani do të më merrni edhe Beniaminin! Ç’më ranë mbi kokë gjithë këto halle?!»
37 Por Rubeni i tha të atit: «Lëre djalin nën kujdesin tim dhe do të ta kthej prapë.+ Po nuk ta ktheva prapë, merrja jetën dy djemve të mi!»+
38 Por ai u përgjigj: «Djali im nuk do të vijë me ju, sepse vëllai i tij ka vdekur dhe vetëm ai ka mbetur.+ Nëse i ndodh rrugës ndonjë e keqe,* atëherë do të më shtini në Varr*+ flokëzbardhur e të pikëlluar.»+
Shënimet
^ Ose «aksident vdekjeprurës».
^ Ose «gjendjen e mjeruar».
^ Fjalë për fjalë «i frikësohem Perëndisë së vërtetë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «Mos mëkatoni kundër».
^ Ose «aksident vdekjeprurës».
^ Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.