Zanafilla 43:1-34
43 Zia e bukës ishte e rëndë në vend,+
2 prandaj kur mbaruan drithin që kishin sjellë nga Egjipti,+ i ati u tha: «Kthehuni dhe na blini ca ushqim.»
3 Por Juda iu përgjigj: «Ai njeri na paralajmëroi prerazi: ‘Mos më dilni më përpara po s’më sollët me vete vëllanë tuaj!’+
4 Nëse e lë vëllanë tonë të vijë me ne, do të shkojmë e do të blejmë ushqim.
5 Por nëse nuk e lë, nuk do të shkojmë, sepse ai njeri na tha: ‘Mos më dilni më përpara, po s’më sollët me vete vëllanë tuaj!’»+
6 Atëherë Izraeli+ pyeti: «Pse ma bëtë këtë të keqe? Pse i thatë atij njeriu se kishit edhe një vëlla tjetër?»
7 Ata iu përgjigjën: «Ai pyeti drejtpërdrejt për ne dhe për familjen tonë: ‘A është ende gjallë babai juaj? A keni ndonjë vëlla tjetër?’ Dhe ne i treguam.+ Nga ta dinim që ai do të na thoshte: ‘Sillni vëllanë tuaj.’»+
8 Pastaj Juda iu përgjërua të atit, Izraelit: «Lëre djalin të vijë me mua+ dhe të nisemi për rrugë që të jetojmë e të mos vdesim+ ne, ti dhe fëmijët tanë.+
9 Do të dal unë garant për të+ dhe më kërko mua llogari. Nëse nuk ta sjell përsëri këtu shëndoshë e mirë, do të jem fajtor* ndaj teje përgjithnjë.
10 Po të mos ishim vonuar, do të kishim vajtur e do të ishim kthyer dy herë deri tani.»
11 Kështu Izraeli, i ati, u tha: «Nëse s’ka rrugë tjetër, bëni si ju them: futni nëpër thasë prodhimet më të mira të vendit dhe çojini atij njeriu si dhuratë+ pak balsam,+ pak mjaltë, labdan, lëvore rrëshinore,+ stika dhe bajame.
12 Merrni dyfishin e parave dhe merrni prapë me vete edhe paratë që ju kishin futur në grykën e thasëve,+ se mbase ishte një gabim.
13 Merrni vëllanë, shkoni dhe kthehuni tek ai njeri.
14 Perëndia i Plotfuqishëm ju ndihmoftë që t’i dhimbseni atij njeriu e të lirojë vëllanë tjetër dhe Beniaminin. E në rast se u dashka të mbetem pa fëmijë, ashtu qoftë!»+
15 Kështu morën me vete dhuratën, dyfishin e parave dhe Beniaminin. Pastaj morën rrugën për në Egjipt dhe dolën përsëri përpara Jozefit.+
16 Kur pa Beniaminin bashkë me ta, Jozefi i tha menjëherë përgjegjësit të shtëpisë së tij: «Çoji ata burra në shtëpi, ther kafshë dhe përgatit drekën, sepse në mesditë do të hanë bashkë me mua.»
17 Pa vonuar, ai bëri siç i tha+ dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit.
18 Por ata u frikësuan kur i çuan në shtëpinë e Jozefit dhe filluan të thoshin: «Na kanë sjellë këtu për shkak të parave që na futën në thasë herën e fundit. Tani do të na sulmojnë, do të na skllavërojnë dhe do të na marrin gomarët.»+
19 Prandaj iu afruan përgjegjësit të shtëpisë së Jozefit dhe i thanë në hyrje të shtëpisë:
20 «Na fal imzot! Herën e parë erdhëm të blinim ushqim.+
21 Por kur mbërritëm te një han dhe hapëm thasët, ç’të shihnim! Secili i kishte paratë e veta në grykë të thesit, me peshën e tyre të plotë,+ prandaj kishim dëshirë t’i kthenim me duart tona.
22 Nuk e dimë kush i vuri paratë në thasë.+ Veç kësaj kemi sjellë me vete edhe më shumë pará për të blerë ushqim.»
23 Atëherë ai u tha: «S’ka asnjë problem e mos kini frikë, sepse thesarin në thasët tuaj jua dha Perëndia juaj dhe Perëndia i atit tuaj. Tashmë m’i kanë dhënë paratë tuaja.» Më pas u solli Simeonin.+
24 Pastaj i çoi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe tagji për gomarët.
25 Atëherë ata bënë gati dhuratën+ për Jozefin, i cili do të vinte në mesditë, sepse morën vesh se do të hanin drekë atje.+
26 Kur Jozefi hyri në shtëpi, i sollën dhuratën që kishin marrë me vete dhe ranë përmbys para tij.+
27 Pastaj ai i pyeti si ishin me shëndet dhe u tha: «Po babai juaj i moshuar për të cilin më keni folur, si është? A është ende gjallë?»+
28 Ata iu përgjigjën: «Shërbëtori yt, babai ynë, është ende gjallë dhe është mirë me shëndet.» Pas kësaj ata u përkulën dhe ranë përmbys para tij.+
29 Kur ngriti sytë dhe pa Beniaminin, të vëllanë, djalin e nënës së tij,+ Jozefi tha: «Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më keni folur?»+ Pastaj shtoi: «Paç miratimin e Perëndisë, biri im!»
30 Jozefi s’po e mbante dot veten për shkak të vëllait të vet, prandaj u largua me nxitim dhe kërkoi një vend ku të qante. Kështu hyri në një dhomë ku s’kishte njeri dhe shpërtheu në lot.+
31 Pasi mblodhi veten, lau fytyrën, doli dhe tha: «Shtroni drekën.»
32 Kështu shtruan veç për të, veç për ta dhe veç për egjiptianët që ishin aty. Egjiptianët s’mund të hanin bashkë me hebrenjtë, sepse kjo ishte e neveritshme për egjiptianët.+
33 Vëllezërit* ishin ulur para tij sipas moshës, nga i parëlinduri, sipas së drejtës që kishte si i tillë,+ deri te më i vogli; dhe ata e shihnin njëri-tjetrin me habi.
34 Jozefi u dërgonte atyre racione nga ushqimet që kishte në tryezën e vet, por Beniaminit i jepte pesë herë më shumë se gjithë të tjerëve.+ Kështu vazhduan të hanin e të pinin me të derisa u ngopën.