Zanafilla 44:1-34

  • Kupa e argjendtë e Jozefit në thesin e Beniaminit (1-17)

  • Juda përgjërohet për Beniaminin (18-34)

44  Më vonë ai e urdhëroi përgjegjësin e shtëpisë së tij: «Mbushi thasët e atyre burrave me sa më shumë ushqim të mundesh dhe vëri paratë e secilit në grykën e thesit.+  Por në grykën e thesit të më të voglit bashkë me paratë e drithit vër edhe kupën time, atë prej argjendi.» Kështu ai bëri siç e urdhëroi Jozefi.  Në mëngjes, kur zbardhi, ata i nisën për rrugë bashkë me gomarët.  Nuk ishin shumë larg qytetit kur Jozefi i tha përgjegjësit të shtëpisë së tij: «Ngrihu! Vihu pas atyre burrave! Kur t’i arrish, thuaju: ‘Pse e kthyet të mirën me të keqe?  Pse e morët kupën ku pi zotëria im, të cilën e përdor me mjeshtëri për të interpretuar oguret?* Keni vepruar me ligësi.’»  Kështu ai i arriti dhe u tha këto fjalë.  Por ata iu përgjigjën: «Pse thua kështu imzot? Shërbëtorëve të tu nuk u ka shkuar kurrë ndër mend të bëjnë një gjë të tillë.  Ne t’i kthyem nga vendi i Kananit paratë që gjetëm në grykën e thasëve.+ Si mund të vidhnim vallë argjend ose ar nga shtëpia e zotërisë tënd?  Nëse kupa gjendet te ndonjë nga skllevërit e tu, të dënohet me vdekje, kurse ne të tjerët do të bëhemi skllevër të zotërisë tonë.» 10  Prandaj ai tha: «U bëftë si thoni ju! Ai tek i cili do të gjendet, do të bëhet skllav, kurse ju të tjerët do të jeni të pafajshëm.» 11  Menjëherë secili e uli me të shpejtë thesin e vet dhe e hapi. 12  Ai kontrolloi me kujdes thasët e secilit, duke nisur nga vëllai më i madh deri te më i vogli. Si përfundim, kupa u gjend në thesin e Beniaminit.+ 13  Në çast ata shqyen rrobat, ngarkuan thasët në gomarë dhe u kthyen në qytet. 14  Kur Juda+ dhe vëllezërit e tij hynë në shtëpinë e Jozefit, ai ishte ende atje dhe ata u përkulën para tij.+ 15  Jozefi u tha: «Ç’është kjo që bëtë? A s’e dini që një njeri si unë mund të interpretojë me mjeshtëri oguret?»+ 16  Juda iu përgjigj: «Çfarë t’i themi zotërisë tonë? Si të tregojmë se jemi të pafajshëm?* Perëndia i vërtetë i ka zënë në faj skllevërit e tu.+ Tani jemi skllevër të zotërisë tonë, ne dhe ai të cilit iu gjet kupa.» 17  Megjithatë Jozefi tha: «As më shkon kurrë ndër mend një gjë e tillë! Njeriu të cilit iu gjet kupa, ai do të bëhet skllavi im.+ Ju të tjerët, shkoni në paqe te babai juaj.» 18  Juda iu afrua dhe i tha: «Të përgjërohem imzot, lejoje skllavin tënd të thotë një fjalë e mos u zemëro me skllavin tënd, sepse ti je si faraoni.+ 19  Imzot i pyeti skllevërit e tij: ‘A keni baba ose vëlla?’ 20  Dhe ne iu përgjigjëm: ‘Kemi babanë të moshuar dhe djalin e pleqërisë së tij, më të voglin.+ Por vëllai i tij ka vdekur+ dhe vetëm ai ka mbetur nga nëna e tij,+ prandaj i ati e do shumë.’ 21  Më pas, ti u the skllevërve të tu: ‘Ma sillni këtu që ta shoh me sytë e mi.’+ 22  Por ne i thamë zotërisë: ‘Djali s’mund të largohet nga i ati, përndryshe babai me siguri do të vdesë.’+ 23  Atëherë ti u the skllevërve të tu: ‘Mos më dilni më përpara po s’më sollët me vete vëllanë tuaj të vogël.’+ 24  Prandaj u kthyem te skllavi yt, babai ynë, dhe i thamë fjalët e zotërisë tonë. 25  Më vonë babai ynë tha: ‘Kthehuni dhe na blini ca ushqim.’+ 26  Por ne iu përgjigjëm: ‘S’mund të shkojmë. Do të shkojmë vetëm nëse vëllai i vogël vjen me ne, sepse s’mund t’i dalim më përpara atij njeriu nëse vëllai i vogël s’është me ne.’+ 27  Atëherë skllavi yt, babai ynë, na tha: “Ju e dini mirë se gruaja më lindi vetëm dy djem.+ 28  Por njëri më la, dhe unë thashë: ‘Me siguri do ta ketë shqyer ndonjë kafshë grabitqare!’+ Dhe s’e kam parë më. 29  Nëse ma largoni nga sytë edhe këtë tjetrin dhe nëse i ndodh ndonjë e keqe,* atëherë do të më shtini në Varr*+ flokëzbardhur e të mjeruar.”+ 30  E meqë ai e do djalin sa jeta e vet,* po të shkoj pa të te skllavi yt, babai im, 31  ai do të vdesë sapo të shohë se djali nuk është. Atëherë skllevërit e tu do ta shtien në Varr* flokëzbardhur e të pikëlluar skllavin tënd, babanë tonë. 32  Skllavi yt doli garant për djalin dhe i thashë tim eti: ‘Nëse nuk ta sjell përsëri këtu, atëherë do të jem fajtor* ndaj teje përgjithnjë.’+ 33  Ndaj të lutem, le të rri unë si skllav i zotërisë tim në vend të djalit, që ai të kthehet me vëllezërit e tij. 34  Si të shkoj tek im atë pa djalin? S’do të duroja dot po ta shihja tim atë t’i ndodhte një tragjedi e tillë.»

Shënimet

Ose «shenjat».
Ose «të drejtë?»
Ose «aksident vdekjeprurës».
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Ose «shpirti i vet».
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mëkatar».