Zanafilla 45:1-28
45 Atëherë Jozefi nuk mund ta mbante më veten para gjithë shërbëtorëve,+ prandaj thirri: «Nxirrini jashtë të gjithë!» Askush nuk qëndroi kur Jozefi u dha të njohur vëllezërve të tij.+
2 Pastaj qau aq fort, sa e dëgjuan edhe egjiptianët, dhe lajmi mbërriti deri te shtëpia e faraonit.
3 Në fund Jozefi u tha vëllezërve: «Unë jam Jozefi. A është ende gjallë babai im?» Por vëllezërit nuk i përgjigjeshin dot ngaqë mbetën të shtangur.
4 Prandaj Jozefi u tha vëllezërve: «Afrohuni, ju lutem.» Dhe ata iu afruan.
Atëherë u tha: «Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët në Egjipt.+
5 Por mos u trishtoni dhe mos ia hidhni fajin njëri-tjetrit që më shitët, sepse Perëndia më dërgoi përpara jush për të na ruajtur gjallë.+
6 Ky është viti i dytë i zisë së bukës në vend+ dhe do të ketë edhe pesë të tjera, gjatë të cilave toka as do të punohet, as do të korret.
7 Por Perëndia më dërgoi përpara jush, që t’ju mbante gjallë me anë të një shpëtimi të jashtëzakonshëm e që familjet tuaja të mos shuheshin.*+
8 Kështu nuk më dërguat ju këtu, por Perëndia i vërtetë, që të më caktonte si kryekëshilltar* për faraonin, zotëri për gjithë shtëpinë e tij dhe sundimtar mbi gjithë vendin e Egjiptit.+
9 Kthehuni shpejt tek im atë dhe thuajini: “Kështu thotë yt bir, Jozefi: ‘Perëndia më ka caktuar zotëri mbi gjithë Egjiptin.+ Eja tek unë e mos u vono,+
10 se do të banosh në vendin e Goshenit,+ ku do të jesh afër meje—ti, djemtë, nipërit, kopetë, tufat dhe çdo gjë që ke.
11 Unë do t’ju siguroj ushqim, sepse zia e bukës do të zgjatë edhe pesë vite të tjera.+ Përndryshe skamja do të të pllakosë ty, shtëpinë tënde dhe çdo gjë që ke.’ ”
12 Ju dhe vëllai im, Beniamini, tani mund të shihni me sytë tuaj se jam vërtet unë ai që po ju flet.+
13 Prandaj tregojini babait tim gjithë lavdinë që kam fituar në Egjipt dhe çdo gjë që keni parë. Nxitoni, pra, dhe silleni këtu tim atë.»
14 Pastaj iu hodh në qafë të vëllait, Beniaminit, dhe shpërtheu në lot; edhe Beniamini qante teksa e përqafonte.+
15 Jozefi i puthi gjithë vëllezërit e vet dhe qante teksa i përqafonte, e pas kësaj vëllezërit filluan të bisedonin me të.
16 S’kaloi shumë kohë dhe lajmi shkoi deri në shtëpinë e faraonit: «Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit!» Kjo i pëlqeu faraonit dhe shërbëtorëve të tij.
17 Kështu faraoni i tha Jozefit: «Thuaju vëllezërve të tu: ‘Ngarkoni kafshët e barrës dhe shkoni në vendin e Kananit.
18 Merrni babanë tuaj me gjithë familjet tuaja dhe ejani këtu tek unë. Do t’ju jap gjithë të mirat e Egjiptit, dhe do të hani* prodhimet më të mira të vendit.’+
19 Gjithashtu po të urdhëroj që t’u thuash edhe këtë:+ ‘Merrni karroca+ nga Egjipti për fëmijët e gratë tuaja, silleni babanë tuaj në një prej tyre dhe ejani këtu.+
20 Mos u bëni merak për zotërimet tuaja,+ sepse gjithë të mirat e vendit të Egjiptit janë tuajat.’»
21 Prandaj djemtë e Izraelit bënë ashtu, dhe Jozefi u dha karroca siç urdhëroi faraoni, si edhe ushqime për rrugën.
22 Të gjithëve u dha nga një palë rroba, kurse Beniaminit i dha 300 monedha argjendi dhe pesë palë rroba.+
23 Ndërsa babait të tij i dërgoi dhjetë gomarë të ngarkuar me gjëra të mira nga Egjipti dhe dhjetë gomarica me drithë, me bukë e me ushqime që t’i kishte për rrugën.
24 Kështu i përcolli vëllezërit dhe, kur ata u nisën, u tha: «Mos u mërzitni me njëri-tjetrin rrugës.»+
25 Kështu dolën nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kananit te babai i tyre, Jakobi.
26 Atëherë i thanë: «Jozefi është ende gjallë dhe sundon mbi gjithë vendin e Egjiptit!»+ Por kjo nuk ia ngrohu zemrën Jakobit, ngaqë nuk u besonte.+
27 Mirëpo, kur i thanë gjithë fjalët e Jozefit dhe kur pa karrocat që ai kishte dërguar për ta marrë, Jakobi* nisi të gjallërohej.
28 Atëherë Izraeli tha me zë të lartë: «Kaq më mjafton! Jozefi, im bir, është ende gjallë! Duhet të shkoj e ta shoh para se të vdes!»+