Zanafilla 47:1-31

  • Jakobi takon faraonin (1-12)

  • Administrimi i mençur i Jozefit (13-26)

  • Izraeli fillon të banojë në Goshen (27-31)

47  Kështu Jozefi vajti dhe i tha faraonit:+ «Im atë, vëllezërit e mi, kopetë, tufat dhe gjithë ç’kanë, erdhën nga vendi i Kananit dhe janë në vendin e Goshenit.»+  Ai mori me vete pesë nga vëllezërit e tij dhe ia prezantoi faraonit.+  Faraoni i pyeti: «Me çfarë merreni?» Ata iu përgjigjën: «Shërbëtorët e tu janë barinj dhensh, siç ishin paraardhësit tanë.»+  Pastaj shtuan: «Kemi ardhur të banojmë si të huaj në këtë vend,+ ngaqë s’ka më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse zia e bukës ka pllakosur vendin e Kananit.+ Të lutemi, lëri shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit.»+  Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Meqë babai yt dhe vëllezërit e tu kanë ardhur te ti  dhe vendin e Egjiptit e ke ti në dorë, caktoji të banojnë në pjesën më të mirë të vendit.+ Të banojnë në vendin e Goshenit dhe, nëse mes tyre ka burra të zotë, lëri bagëtitë e mia nën kujdesin e tyre.»  Atëherë Jozefi e solli të atin, Jakobin, dhe ia prezantoi faraonit, dhe Jakobi e bekoi faraonin.  Faraoni e pyeti Jakobin: «Ç’moshë ke?»  Ai iu përgjigj: «Kam banuar në dhé të huaj* për 130 vjet. Vitet e jetës sime+ kanë qenë të pakta e plot vuajtje, por nuk janë asgjë në krahasim me vitet që u endën në dhé të huaj etërit e mi.»+ 10  Pastaj Jakobi e bekoi faraonin dhe u largua. 11  Kështu Jozefi u dha një pronë në Egjipt babait dhe vëllezërve të tij, në pjesën më të mirë të vendit, në vendin e Ramsesit,+ dhe i çoi të banonin atje, ashtu siç urdhëroi faraoni. 12  Jozefi u siguronte ushqim* babait, vëllezërve dhe gjithë shtëpisë së të atit, sipas fëmijëve që kishin. 13  Ndërkaq, në gjithë vendin nuk kishte ushqim,* sepse zia e bukës ishte shumë e rëndë. Po, zia e bukës e dërrmoi vendin e Egjiptit dhe vendin e Kananit.+ 14  Gjithë paratë e vendit të Egjiptit dhe të Kananit, që populli sillte në këmbim të drithit,+ Jozefi i mblidhte dhe i çonte në thesarin e faraonit. 15  Me kalimin e kohës, paratë e vendit të Egjiptit dhe të Kananit u harxhuan, prandaj gjithë egjiptianët nisën të shkonin te Jozefi e t’i thoshin: «Na jep bukën e gojës! Do të na lësh të vdesim vetëm se na mbaruan paratë?» 16  Atëherë Jozefi u tha: «Nëse ju kanë mbaruar paratë, sillni bagëtitë tuaja dhe unë do t’ju jap ushqim në këmbim.» 17  Prandaj ata filluan t’i çonin Jozefit bagëtitë, dhe Jozefi u jepte ushqim në këmbim të kuajve, të bagëtive, të gjedhëve dhe të gomarëve; atë vit ai u siguroi ushqim në këmbim të të gjitha bagëtive. 18  Mbaroi ai vit, kështu vitin pasues ata filluan të shkonin tek ai dhe t’i thoshin: «Nuk ta fshehim dot zotëria ynë që të kemi dhënë tashmë gjithë paratë dhe bagëtitë. Tani s’na ka mbetur gjë tjetër për zotërinë tonë veç trupave tanë dhe tokës sonë. 19  Do të na lësh të marrim fund ne dhe toka jonë? Na bli qoftë ne, qoftë tokën tonë në këmbim të ushqimit; ne dhe toka jonë do të bëhemi skllevër të faraonit, veç na jep farë për të mbjellë, që të jetojmë e të mos vdesim, dhe toka jonë të mos shkretohet.» 20  Atëherë Jozefi bleu gjithë tokën e egjiptianëve për faraonin, sepse të gjithë e shitën arën e vet, ngaqë zia e bukës ishte shumë e rëndë; kështu toka u bë e faraonit. 21  Pastaj i shpërnguli njerëzit nëpër qytete, nga njëri skaj i Egjiptit, në skajin tjetër.+ 22  Vetëm tokat e priftërinjve nuk bleu,+ sepse ata e merrnin racionin e tyre nga faraoni dhe jetonin me atë që u jepte ai, prandaj ata nuk i shitën tokat. 23  Atëherë Jozefi i tha popullit: «Siç e shihni, sot ju kam blerë ju dhe tokën tuaj për faraonin. Ja ku e keni farën që do të mbillni. 24  Kur të japë prodhim, një të pestën do t’ia jepni faraonit,+ ndërsa katër të pestat do t’i mbani për vete, si farë për arat dhe si ushqim që të hani ju, njerëzit e shtëpisë suaj dhe fëmijët tuaj.» 25  Prandaj i thanë: «Ti na shpëtove jetën!+ E nëse kemi miratimin e zotërisë tonë, ne do të bëhemi skllevër të faraonit!»+ 26  Atëherë Jozefi nxori një dekret, i cili vlen sot e kësaj dite në gjithë vendin e Egjiptit, që një e pesta e të korrave i përket faraonit; vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë të faraonit.+ 27  Shtëpia e Izraelit banoi në vendin e Egjiptit, në Goshen;+ ata u vendosën atje dhe ishin të frytshëm e u shtuan shumë.+ 28  Jakobi jetoi 17 vjet në vendin e Egjiptit; kështu Jakobi jetoi gjithsej 147 vjet.+ 29  Kur iu afrua dita e vdekjes,+ Izraeli thirri djalin e vet, Jozefin, dhe i tha: «Nëse kam miratimin tënd, të lutem vëre dorën nën kofshën time* dhe tregomë dashuri* dhe besnikëri. Të lutem, mos më varros në Egjipt.+ 30  Kur të vdes,* mos më lër në Egjipt, por më varros në varrin e etërve të mi.»+ Prandaj Jozefi iu përgjigj: «Do të bëj si thua ti.» 31  Atëherë ai i tha: «M’u beto.» Kështu ai iu betua.+ Pastaj Izraeli u mbështet në kokën e shtratit dhe u përkul përpara Perëndisë.+

Shënimet

Ose «Kam jetuar si banor i përkohshëm».
Fjalë për fjalë «bukë».
Fjalë për fjalë «bukë».
Ka të ngjarë të ishte një zakon i lashtë për të vërtetuar një betim.
Ose «dashuri besnike».
Fjalë për fjalë «të shtrihem me etërit e mi».