Zanafilla 50:1-26

  • Jozefi varros Jakobin në Kanan (1-14)

  • Jozefi i siguron se i ka falur (15-21)

  • Ditët e fundit të Jozefit dhe vdekja (22-26)

    • Urdhri i Jozefit për eshtrat e tij (25)

50  Atëherë Jozefi u lëshua mbi trupin e të atit,+ e puthte dhe qante.  Pastaj Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij, mjekët, që ta balsamosnin.+ Kështu mjekët e balsamosën Izraelin,  dhe për këtë harxhuan 40 ditë të plota, sepse kaq ditë duhen për balsamosjen, dhe egjiptianët e qanë Jakobin për 70 ditë.  Kur mbaruan ditët e zisë, Jozefi u tha njerëzve të oborrit* të faraonit: «Nëse kam miratimin tuaj, dërgojini faraonit këtë mesazh:  “Im atë më vuri në be+ dhe më tha: ‘Ja, unë jam në prag të vdekjes.+ Më varros në varret që gërmova në vendin e Kananit.’+ Prandaj, të lutem, më lër të shkoj e të varros tim atë, pastaj do të kthehem prapë.”»  Përgjigjja e faraonit ishte: «Shko dhe varrose babanë, ashtu siç iu betove.»+  Kështu Jozefi shkoi që të varroste të atin, dhe bashkë me të shkuan gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë+ e oborrit, gjithë pleqtë e vendit të Egjiptit,  gjithë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit.+ Në vendin e Goshenit mbetën vetëm fëmijët e vegjël, kopetë dhe tufat e tyre.  Bashkë me të shkuan edhe karroca+ e kalorës, dhe kortezhi ishte shumë i madh. 10  Pastaj mbërritën në lëmin* e Atadit, në rajonin e Jordanit, dhe atje qanë shumë të pikëlluar e mbajtën shtatë ditë zi për babanë e Jozefit. 11  Kur i panë që mbanin zi në lëmin e Atadit, banorët e vendit, kananitët, thanë: «Sa zi të madhe po mbajnë egjiptianët!» Ja pse ai vend u quajt Abel-Mizraim;* vendi ndodhet në rajonin e Jordanit. 12  Kështu djemtë e Jakobit bënë ashtu siç u la amanet babai.+ 13  E çuan në vendin e Kananit dhe e varrosën në shpellën e arës së Makpelahut, në arën përballë Mamresë, që Abrahami ia bleu Efronit, hititit, si pronë për varre.+ 14  Pasi e varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit dhe me gjithë ata që kishin shkuar me të për të varrosur të atin. 15  Pas vdekjes së të atit, vëllezërit e Jozefit thanë: «Mbase Jozefi ushqen mëri kundër nesh dhe do të na e kthejë gjithë të keqen që i bëmë.»+ 16  Prandaj i përcollën Jozefit këtë mesazh: «Para se të vdiste, yt atë urdhëroi: 17  “Thuajini Jozefit: ‘Të përgjërohem që t’ua falësh vëllezërve të tu fajin e mëkatin që kryen dhe gjithë të keqen që të bënë.’ ” Prandaj, të lutemi, falja fajin shërbëtorëve të Perëndisë së atit tënd.» Kur dëgjoi këto fjalë, Jozefi shpërtheu në lot. 18  Pastaj erdhën vetë vëllezërit dhe ranë përmbys e thanë: «Ja ku jemi, si skllevër para teje!»+ 19  Atëherë Jozefi u tha: «Mos kini frikë. Mos jam Perëndia unë?! 20  Edhe pse donit të më bënit keq,+ Perëndia e ktheu këtë të keqe në të mirë, që të ruante gjallë shumë njerëz, siç po bën sot.+ 21  Prandaj mos kini frikë. Unë do të vazhdoj t’ju siguroj ushqim, juve dhe fëmijëve tuaj të vegjël.»+ Kështu i ngushëlloi dhe i qetësoi. 22  Jozefi vazhdoi të banonte në Egjipt bashkë me shtëpinë e të atit; ai jetoi gjithsej 110 vjet. 23  Jozefi pa djemtë e Efraimit deri në brezin e tretë,+ si edhe djemtë e Makirit,+ djalit të Manaseut, dhe i donte si fëmijët e vet.* 24  Me kalimin e kohës, Jozefi u tha vëllezërve: «Unë jam në prag të vdekjes. Mirëpo Perëndia nuk ka për t’ju harruar,+ do t’ju nxjerrë nga ky vend dhe do t’ju çojë në vendin për të cilin iu betua Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.»+ 25  Pastaj Jozefi i vuri në be bijtë e Izraelit: «Me siguri Perëndia nuk ka për t’ju harruar, prandaj nxirrini eshtrat e mia që këtej.»+ 26  Pastaj Jozefi vdiq në moshën 110-vjeçare. Atë e balsamosën+ dhe e vunë në një arkivol në Egjipt.

Shënimet

Ose «atyre të shtëpisë».
Do të thotë «zia e egjiptianëve».
Fjalë për fjalë «ata lindën në gjunjët e Jozefit».