Zanafilla 6:1-22
6 Kur njerëzit filluan të shtoheshin mbi faqen e dheut dhe u lindën bija,
2 bijve të Perëndisë së vërtetë*+ u ra në sy që bijat e njerëzve ishin të bukura, kështu morën për gra të gjitha ato që zgjodhën.
3 Pastaj Jehovai tha: «Unë* nuk do të tregohem gjithmonë i duruar me njeriun,+ sepse ai s’është veçse mish e gjak.* Prandaj ditët e tij do të shkojnë deri në 120 vjet.»+
4 Në ato ditë, madje edhe më pas, në tokë kishte nefilimë,* sepse bijtë e Perëndisë së vërtetë patën marrëdhënie me bijat e njerëzve dhe ato u lindën bij; ata ishin të fuqishmit e kohëve të lashta, burra me famë.
5 Si pasojë, Jehovai pa që ligësia e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe se mendja e zemra e tij prireshin drejt së keqes gjithë kohën.+
6 Jehovait i erdhi keq* që kishte bërë njerëz në tokë dhe u hidhërua* shumë në zemër.+
7 Prandaj Jehovai tha: «Do t’i fshij nga faqja e dheut njerëzit që kam krijuar, si edhe kafshët e buta, kafshët zvarritëse dhe krijesat fluturuese të qiejve, sepse më vjen keq që i bëra.»
8 Kurse Noenë, Jehovai e pa me miratim.
9 Kjo është historia e Noesë.
Noeja ishte njeri i drejtë.+ Ai ishte i patëmetë* mes bashkëkohësve* të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.+
10 Me kalimin e kohës, i lindën tre djem: Semi, Kami dhe Jafeti.+
11 Por toka ishte prishur në sytë e Perëndisë së vërtetë dhe ishte plot dhunë.
12 Po, Perëndia e pa tokën dhe ajo ishte prishur,+ e çdo njeri* ecte në udhë të shtrembër.+
13 Pas kësaj Perëndia i tha Noesë: «Kam vendosur t’i jap fund çdo njeriu, sepse toka është plot dhunë për shkak të tyre, prandaj do të shkatërroj njerëzit dhe tokën.+
14 Bëj një arkë* me dru rrëshinor;+ bëje arkën me ndarje dhe mbuloje me zift*+ jashtë e brenda.
15 Ja si do ta bësh: arka duhet të jetë 300 kute* e gjatë, 50 kute e gjerë dhe 30 kute e lartë.
16 Bëji arkës një dritare për dritën* një kut poshtë kulmit. Hyrjen bëja anash+ dhe bëji një kat të poshtëm, një kat të dytë dhe një kat të tretë.
17 Dhe unë do të derdh mbi tokë ujërat e përmbytjes,+ që të shfaros nën qiej çdo qenie të gjallë* që ka frymën e jetës;* çdo gjë në tokë do të marrë fund.+
18 Kurse me ty po bëj një besëlidhje, dhe ti duhet të futesh në arkë bashkë me djemtë e tu, gruan dhe gratë e djemve të tu.+
19 Fut në arkë dy nga çdo lloj krijese të gjallë,+ mashkull dhe femër, për t’i ruajtur gjallë bashkë me ty.+
20 Nga krijesat fluturuese sipas llojeve të tyre, nga kafshët e buta sipas llojeve të tyre dhe nga të gjitha kafshët zvarritëse sipas llojeve të tyre, do të vijnë te ti dy nga secila, që të hyjnë në arkë për t’i ruajtur gjallë.+
21 Kurse ti mblidh dhe merr me vete ushqim të çdo lloji,+ që të hani ju dhe kafshët.»
22 Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.+
Shënimet
^ Idiomë hebraike që u referohet bijve engjëllorë të Perëndisë.
^ Fjalë për fjalë «Fryma ime».
^ Ose «sepse ai vepron sipas dëshirave të trupit të papërsosur».
^ Mund të ketë kuptimin «rrëzuesit», pra, ata që i rrëzojnë të tjerët. Shih Fjalorthin.
^ Ose «Jehovai u brengos».
^ Ose «u trishtua».
^ Ose «i paqortueshëm».
^ Fjalë për fjalë «brezave».
^ Fjalë për fjalë «çdo mish».
^ Fjalë për fjalë «kuti»; një mjet të madh lundrimi.
^ Ose «katran; serë».
^ Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
^ Hebraisht, cóhar. Një pikëpamje tjetër është se cóhar i referohet një çatie me kënd pjerrësie prej një kuti, e jo një të çare ose dritareje për dritën.
^ Ose «forcën e jetës».
^ Fjalë për fjalë «çdo mish».