Zbulesa e Gjonit 21:1-27
21 Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re,+ sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar+ dhe deti+ nuk ishte më.
2 Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri, të zbriste nga qielli, nga Perëndia,+ i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj.+
3 Atëherë dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta.+
4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre+ dhe nuk do të ketë më vdekje.+ Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.+ Gjërat e mëparshme shkuan.»
5 Ai që rri ulur në fron+ tha: «Ja, po bëj çdo gjë të re.»+ E shtoi: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme* dhe të vërteta.»
6 Pastaj më tha: «U plotësuan! Unë jam Alfa dhe Omega,* fillimi dhe mbarimi.+ Kujtdo që ka etje, do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës.+
7 Ai që del fitimtar, do t’i trashëgojë këto gjëra. Unë do të jem Perëndia i tij, dhe ai do të jetë biri im.
8 Kurse frikacakët, ata pa besim,+ ata që janë të pështirë me ndyrësinë e tyre, vrasësit,+ imoralët,*+ ata që merren me spiritizëm, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët,+ do të përfundojnë në liqenin me zjarr dhe squfur,+ që paraqet vdekjen e dytë.»+
9 Një nga shtatë engjëjt që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit,+ erdhi e më tha: «Eja, se do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.»+
10 Kështu, me anë të fuqisë së frymës, më çoi në një mal madhështor e të lartë ku më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,+
11 dhe kishte lavdinë e Perëndisë.+ Ai rrëzëllente si një gur shumë i çmuar, si një gur diaspri që shndrit porsi kristal.+
12 Kishte një mur madhështor e të lartë dhe 12 porta. Te portat kishte 12 engjëj dhe sipër portave ishin skalitur emrat e 12 fiseve të bijve të Izraelit.
13 Në lindje kishte tri porta, në veri tri porta, në jug tri porta dhe në perëndim tri porta.+
14 Muri i qytetit kishte edhe 12 gurë themeli, dhe mbi ta ishin 12 emrat e 12 apostujve+ të Qengjit.
15 Ai që po fliste me mua mbante një mjet matës, një kallam të artë, për të matur qytetin, portat dhe murin e tij.+
16 Qyteti kishte formë katrore dhe gjatësia e tij ishte po aq sa gjerësia. Ai e mati qytetin me kallam, dhe ishte 12.000 stadë;* gjatësia, gjerësia dhe lartësia e tij ishin të barabarta.
17 Mati edhe murin e tij dhe ishte 144 kute* sipas matjes që bën një njeri, por edhe sipas matjes që bën një engjëll.
18 Muri i tij ishte prej diaspri,+ dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, si qelq i pastër.
19 Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me çdo lloj guri të çmuar: themeli i parë ishte diaspër, i dyti safir, i treti kalcedon, i katërti smerald,
20 i pesti sardoniks, i gjashti sard, i shtati krizolit, i teti beril, i nënti topaz, i dhjeti krizopraz, i njëmbëdhjeti hiacint, i dymbëdhjeti ametist.
21 Edhe 12 portat ishin 12 margaritarë; secila nga portat ishte bërë prej një margaritari të vetëm. Ndërsa rruga kryesore e qytetit ishte prej ari të kulluar, si qelq i tejdukshëm.
22 Në të nuk pashë asnjë tempull, sepse Perëndia Jehova,* i Plotfuqishmi,+ është tempulli i tij, e po kështu edhe Qengji.
23 Qyteti nuk ka nevojë as për diellin, as për hënën që të ndriçojnë mbi të, sepse e ndriçon lavdia e Perëndisë,+ dhe llamba e tij është Qengji.+
24 Kombet do të ecin me anë të dritës së qytetit,+ dhe mbretërit e tokës do të sjellin lavdinë e tyre.
25 Portat e tij nuk do të mbyllen gjatë ditës dhe atje s’do të ketë fare natë.+
26 Ata do të sjellin në të lavdinë dhe nderimin e kombeve,+
27 por nuk do të hyjë kurrsesi asgjë e ndotur, askush që merret me ndonjë gjë të pështirë dhe që mashtron;+ do të hyjnë vetëm ata që i kanë emrat të shkruar në rrotullën e jetës të Qengjit.+
Shënimet
^ Ose «besnike».
^ Ose «A-ja dhe Zh-ja». Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse Omega është shkronja e fundit.
^ Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
^ Rreth 2.220 km. Një stad ishte 185 metra. Shih Shtojcën B14.
^ Rreth 64 metra. Shih Shtojcën B14.
^ Shih Shtojcën A5.