Parathënie
Perëndia komunikon me të gjithë ne me anë të Biblës së Shenjtë, prandaj duhet ta studiojmë që të njihemi me Autorin e saj. (Gjoni 17:3; 2 Timoteut 3:16) Në faqet e saj, Perëndia Jehova zbulon qëllimin e tij për njerëzit dhe për shtëpinë e tyre, Tokën.—Zanafilla 3:15; Zbulesa 21:3, 4.
Asnjë libër tjetër nuk ndikon në jetën e njerëzve kaq shumë sa Bibla. Ajo na nxit të pasqyrojmë cilësitë e Jehovait, si dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë. Na jep shpresë dhe na ndihmon të përballojmë edhe hallet më të mëdha. Gjithashtu nxjerr sheshit gjërat që i përkasin kësaj bote, të cilat nuk pajtohen me vullnetin e përsosur të Perëndisë.—Psalmi 119:105; Hebrenjve 4:12; 1 Gjonit 2:15-17.
Bibla, e cila fillimisht u shkrua në hebraisht, në aramaisht dhe në greqisht, është përkthyer e plotë ose pjesërisht në më shumë se 3.000 gjuhë. Pa diskutim është libri më i përkthyer e më i përhapur gjatë gjithë historisë njerëzore dhe nuk ka pse të habitemi aspak për këtë. Në fakt, një profeci e Biblës thotë: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë (mesazhi më i rëndësishëm i Biblës) do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.
Përderisa mesazhi i Biblës është me rëndësi jetësore, synimi ynë ishte të nxirrnim një përkthim që nuk është vetëm besnik ndaj teksteve origjinale, por edhe i qartë e i thjeshtë për t’u lexuar. Te Shtojcat gjejmë argumente të tilla si «Parimet e përkthimit të Biblës», «Veçoritë e këtij rishikimi» dhe «Bibla—Si erdhi deri te ne», të cilat shpjegojnë disa parime përkthimi që janë ndjekur, si edhe veçoritë e këtij botimi.
Ata që e duan dhe e adhurojnë Perëndinë Jehova, janë të etur për një përkthim të saktë dhe të kuptueshëm të Fjalës së tij. (1 Timoteut 2:4) Prandaj, me dëshirën që Përkthimi Bota e Re të disponohet në sa më shumë gjuhë të jetë e mundur, ky rishikim është bërë edhe në gjuhën shqipe. I dashur lexues, shpresojmë dhe lutemi të nxjerrësh dobi nga ky botim i Shkrimeve të Shenjta, ndërsa ‘përpiqesh të kërkosh Perëndinë dhe ta gjesh vërtet’.—Veprat 17:27.
Komiteti i Përkthimit Bota e Re
Gusht 2013