Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 A2

Veçoritë e këtij rishikimi

Në vitin 1950 u botua në anglisht Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke, kurse më 1961 doli i plotë Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta. Që nga ajo kohë, Shkrimet e Shenjta janë përkthyer në mbi 180 gjuhë, bazuar në gjuhët origjinale. Nga ky përkthim i saktë e që lexohet lehtë, kanë nxjerrë dobi dhjetëra milionë lexues.

Megjithatë, gjatë 50 viteve të fundit gjuhët kanë ndryshuar shumë. Komiteti i tanishëm i Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re e pa të nevojshme t’u kushtohej vëmendje këtyre ndryshimeve gjuhësore, për të prekur zemrën e lexuesve të sotëm. Prandaj në rishikimin e këtij përkthimi janë bërë ndryshime të stilit dhe të fjalorit të përdorur, duke pasur parasysh këto objektiva:

  • Të përdoret një gjuhë e kohës dhe e kuptueshme. Le të përmendim disa shembuj. Termi që më parë ishte përkthyer «shpirtgjerësi», tani është zëvendësuar me fjalën «durim»; fjala «kurvëri» me shprehjen «imoralitet seksual»; shprehja «sjellja e shthurur» me shprehjen «sjellja e pacipë», kurse shprehja «ahengjet e shfrenuara» me shprehjen «festat e shfrenuara». (Galatasve 5:​19-22) Shprehja «kohë e pacaktuar» është zëvendësuar me shprehjen «shumë të hershme» ose me fjalën «përgjithmonë», për të përcjellë kuptimin e duhur sipas kontekstit.​—Mikea 5:2; Hozea 2:19; 1 Kronikave 28:4.

    Fjala «farë» në hebraishten dhe në greqishten e lashtë mund t’i referohej farës së bimëve ose të njerëzve, si edhe pasardhësve njerëzorë. Meqë në shqipen e sotme nuk është e zakonshme që fjala «farë» të përdoret për njerëzit, ky term shpesh është zëvendësuar me fjalën ‘pasardhës’. (Zanafilla 1:11; 22:17; 48:4; Mateu 22:24; Gjoni 8:37) Në shumicën e rasteve fjala «pasardhës» është përdorur për t’iu referuar premtimit në Eden, të përmendur te Zanafilla 3:15.

  • Të qartësohen disa fjalë të Biblës. Disa fjalë në botimet e mëparshme të Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re shpesh duhej të shpjegoheshin për t’u kuptuar. Për shembull, termi hebraik «Sheol» ose termi grek «Hades» përdoren në Bibël për t’iu referuar vendit ku përfundojnë të gjithë njerëzit që vdesin, domethënë varrit. Mirëpo shumë njerëz nuk i njohin këta terma dhe termi «Hades» ka dy kuptime, ngaqë përdoret edhe në mitologjinë greke. Prandaj të dy këta terma janë zëvendësuar me fjalën që përcjell atë që kishin vërtet ndër mend shkrimtarët e Biblës, domethënë me fjalën «Varr». Megjithatë, termat «Sheol» dhe «Hades» janë vendosur te shënimet.​—Psalmi 16:10; Veprat 2:27.

    Në botimet e mëparshme, fjala hebraike néfesh dhe fjala greke psihé janë përkthyer gjithmonë «shpirt». Duke pasur parasysh idetë e shumta të gabuara për fjalën «shpirt», lexuesit mund të kuptonin në ç’kontekste i përdornin shkrimtarët e frymëzuar të Biblës këta terma të gjuhëve origjinale. Sipas kontekstit, këto fjalë mund t’i referohen (1) një personi, (2) jetës së një personi, (3) krijesave të gjalla, (4) dëshirave apo oreksit të një personi, ose në disa raste, (5) edhe dikujt që ka vdekur. Meqë sot fjala «shpirt» nuk përdoret në këto kuptime, u vendos që këta terma të gjuhëve origjinale të përkthehen sipas kuptimit që kishin ndër mend shkrimtarët e Biblës, dhe shpesh të vendoset shënimi: ose «shpirt». (Shih Zanafillën 1:20; 2:7; Levitikun 19:28; Psalmin 3:2; Proverbat 16:26; Mateun 6:25.) Megjithatë, në disa vargje poetike ose mjaft të njohura, fjala «shpirt» është lënë në tekst e shoqëruar me një shënim që të drejton te Fjalorthi.​—Ligji i përtërirë 6:5; Psalmi 131:2; Proverbat 2:10; Mateu 22:37.

    Po ashtu, fjala «veshkë» është lënë në tekst kur i referohet organit të trupit njerëzor. Gjithsesi, kur përdoret në mënyrë të figurshme në vargje të tilla si Psalmi 7:9, Psalmi 26:2 dhe Zbulesa 2:23, është përkthyer «skutat më të thella të mendjes» dhe është vendosur edhe ky shënim: ose «ndjenjat më të thella». Fjalë për fjalë «veshkat».

    Fjala «zemër» në shqip, njëlloj si në hebraisht dhe në greqisht, mund të merret si në kuptim të mirëfilltë, ashtu edhe në atë të figurshëm, prandaj shpeshherë është lënë në tekst. Megjithatë, në disa kontekste, kur kuptimi nuk ishte i qartë, është përkthyer në një mënyrë më të drejtpërdrejtë. Për shembull, në librin e Proverbave, shprehja që dikur ishte përkthyer «një zemër pa gjykim të mirë», tani është përkthyer «nuk ka gjykim të mirë» dhe është vendosur ky shënim: fjalë për fjalë «i mungon zemra». Fjalë të tjera, si «majmem», «mish» dhe «bri» janë përkthyer sipas kuptimit që marrin në kontekste të ndryshme dhe në shënim është vendosur përkthimi fjalë për fjalë. (Proverbat 11:25; Gjoni 1:14; Jobi 16:15) Disa nga këto fjalë gjenden edhe në Fjalorthin e termave të Biblës.

  • Të lexohet sa më kollaj teksti. Në botimet e mëparshme të Përkthimit Bota e Re ndonjëherë janë përdorur folje gjysmëndihmëse, për të treguar se folja në hebraisht ishte në kohën e pakryer ose të kryer. Për shembull, për të treguar kohën e pakryer të një foljeje, janë përdorur folje gjysmëndihmëse të tilla, si «nisi të» ose «vazhdoi të». Kurse për të treguar kohën e kryer të një foljeje janë përdorur fjalë për theksim, si «patjetër», «duhet» dhe «vërtet». Si rrjedhojë, këto fjalë dilnin shumë herë në tekst. Në këtë botim të rishikuar, këto shprehje ndihmëse nuk përdoren më, përveç rasteve kur ka ndonjë arsye të vlefshme për të treguar një veprim të vazhdueshëm. (Proverbat 2:4; Mateu 6:33) Megjithatë, kur nuk janë thelbësore për kuptimin e tekstit, janë hequr, që të lexohet sa më lehtë.

  • Të përcillet ideja e saktë kur bëhet fjalë për gjininë. Në hebraisht dhe në greqisht emrat janë në gjininë mashkullore ose femërore, madje, në greqisht mund të ketë edhe emra pa gjini. Megjithatë, theksimi i gjinisë së fjalëve origjinale mund të errësojë kuptimin. Si në hebraisht, edhe në greqisht, emrat në shumës zakonisht janë në gjininë mashkullore jo vetëm kur bëhet fjalë për meshkujt, por edhe kur bëhet fjalë për meshkujt dhe femrat bashkë. Për shembull, edhe pse shprehja «bijtë e Izraelit» mund t’u referohet 12 djemve të Jakobit, në shumicën e rasteve i referohet tërë kombit të Izraelit, qoftë meshkujve, qoftë femrave. (Zanafilla 46:5; Eksodi 35:29) Prandaj në këtë rishikim, kjo shprehje shpesh është përkthyer «izraelitët», për të treguar se i referohet gjithë kombit. Në mënyrë të ngjashme, shprehja në gjuhën origjinale «bir pa baba» është përkthyer «jetim» ose «fëmijë pa baba», për të treguar se mund t’i referohet si një djali, ashtu edhe një vajze. Nga ana tjetër, meqë në gjuhën origjinale në Bibël përdoret gjinia mashkullore kur i referohet Perëndisë, Birit të tij, si edhe disa engjëjve ose demonëve, nuk ka arsye të vlefshme për të përdorur një term pa gjini, siç kanë bërë disa përkthime moderne.

    Të gjitha këto rregullime në tekstin e Biblës janë bërë me merak shumë të madh, si dhe me lutje të shumta dhe me respekt të thellë për punën e shkëlqyer të Komitetit fillestar të Përkthimit Bota e Re.

Veçori të tjera të këtij rishikimi:

Ky botim i Biblës përmban një numër të konsiderueshëm shënimesh. Në përgjithësi, shënimet janë të ndara në këto kategori:

  • «Ose» Një mënyrë tjetër si mund të përkthehet teksti hebraik, aramaik ose grek, e cila përcjell të njëjtën ide.​—Zanafilla 1:​2, shënimi te «forca vepruese»; Josiu 1:​8, «nën zë».

  • «Një mundësi tjetër» Një mënyrë tjetër si mund të përkthehet teksti, e cila përcjell një ide të ndryshme, por që ka një bazë të vlefshme.​—Zanafilla 21:​6, «do të qeshë bashkë me mua»; Zakaria 14:​21, «kananit».

  • «Fjalë për fjalë» Një përkthim fjalë për fjalë i tekstit hebraik, aramaik apo grek, ose kuptimi bazë i një shprehjeje në gjuhën origjinale.​—Zanafilla 30:​22, «shtatzënë»; Eksodi 32:​9, «kryeneç».

  • Domethënia dhe informacione shtesë Domethënia e emrave (Zanafilla 3:​17, «Adamit»; Eksodi 15:​23, «Mara»); hollësi për peshat dhe për masat (Zanafilla 6:​15, «kute»); shpjegime për përemrat (Zanafilla 38:​5, «ata»); informacione shpjeguese te Shtojca dhe te Fjalorthi.​—Zanafilla 37:​35, «Varr»; Mateu 5:​22, «Gehenën».

Në hyrje të Biblës ka një pjesë me titull «Njihu me Fjalën e Perëndisë», e cila rendit disa mësime bazë që gjenden në Bibël. Menjëherë pas librit të Zbulesës renditen «Tabela e librave të Biblës», «Renditja e fjalëve të Biblës» dhe «Fjalorthi i termave të Biblës». Fjalorthi i ndihmon lexuesit të kuptojnë si janë përdorur në Bibël fjalë ose shprehje të veçanta. Shtojca A përmban pjesët e mëposhtme: «Parimet e përkthimit të Biblës», « Veçoritë e këtij rishikimi», «Bibla​—Si erdhi deri te ne», «Emri i Perëndisë në Shkrimet Hebraike», «Emri i Perëndisë në Shkrimet e Krishtere Greke», «Tabela: Profetët dhe mbretërit e Judës dhe të Izraelit» dhe «Ngjarje kryesore nga jeta e Jezuit në tokë». Shtojca B përmban harta, tabela dhe informacione të tjera të dobishme për studentët e zellshëm të Biblës.

Për çdo libër të Biblës, në fillim tregohet përmbajtja e kapitujve, e cila u jep lexuesve një ide të përgjithshme të të gjithë librit. Te kolona në mes të faqeve ka shkrime referuese që lidhen me vargun përkatës. Ato janë shkrimet më të spikatshme nga referimet që kishin përkthimet e mëparshme.