MËSIMI 6

Çfarë shprese ka për të vdekurit?

Çfarë shprese ka për të vdekurit?

1. Ç’lajm të mirë ka për të vdekurit?

Gjatë kohës që Jezui shërbeu në tokë, vdiq miku i tij Lazari, i cili jetonte në Betani, një fshat afër Jerusalemit. Kur Jezui vajti atje, ai kishte vdekur prej katër ditësh, prandaj shkoi te varri me Martën dhe Marinë, motrat e të ndjerit. S’kaloi shumë e u mblodh një turmë. A e merr dot me mend gëzimin e Martës e të Marisë kur Jezui ktheu në jetë Lazarin?​—Lexo Gjonin 11:21-24, 38-44.

Marta tanimë e njihte lajmin e mirë për të vdekurit. Ajo e dinte se Jehovai do t’i ringjallë të vdekurit që të jetojnë sërish në tokë.​—Lexo Jobin 14:14, 15.

2. Në ç’gjendje janë të vdekurit?

Perëndia i tha Adamit: «Ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»​—ZANAFILLA 3:19.

Njerëzit janë bërë nga pluhuri. (Zanafilla 2:7; 3:19) Ne s’jemi shpirtra që jetojmë në një trup fizik. Jemi krijesa prej mishi e gjaku, prandaj asnjë pjesë jona nuk mbijeton pas vdekjes. Kur vdesim, edhe truri ynë vdes, e kështu mendimet tona marrin fund. Prandaj, Lazari nuk tregoi hiçgjë për ditët kur kishte qenë i vdekur, sepse të vdekurit janë të pavetëdijshëm.​—Lexo Psalmin 146:4; Eklisiastiun 9:5, 6, 10.

A i torturon Perëndia njerëzit në zjarr pas vdekjes? Përderisa Bibla tregon se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, është e qartë se ferri i zjarrtë është një mësim i rremë dhe shpifje për Perëndinë. Atij i ngjall neveri edhe thjesht mendimi se njerëzit mund të torturohen në zjarr.​—Lexo Jereminë 7:31.

3. A mund të na flasin të vdekurit?

Të vdekurit as flasin, as dëgjojnë dot. (Psalmi 115:17) Megjithatë, ka disa engjëj të ligj që mund të flasin me njerëzit e të shtiren si të vdekurit. (2 Pjetrit 2:4) Jehovai dënon çdo përpjekje për të pyetur të vdekurit.​—Lexo Ligjin e përtërirë 18:10, 11.

4. Cilët do të kthehen në jetë?

Miliona e miliona njerëz që kanë vdekur do të kthehen në jetë në tokë. Do të ringjallen edhe disa që nuk e njihnin Perëndinë dhe që bënin gjëra të këqija.​—Lexo Lukën 23:43; Veprat 24:15.

Të ringjallurit do të kenë mundësi të mësojnë të vërtetën për Perëndinë dhe të tregojnë besim te Jezui duke iu bindur. (Zbulesa 20:11-13) Ata që do të bëjnë gjëra të mira pasi të kthehen në jetë, do të jetojnë në tokë përgjithmonë.​—Lexo Gjonin 5:28, 29.

5. Ç’na tregon për Jehovain ringjallja?

Të vdekurit kanë shpresë sepse Perëndia dërgoi Birin e vet që të vdiste për ne. Pra, ringjallja na flet për dashurinë dhe për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait. Kur të vdekurit të kthehen në jetë, kë dëshiron të takosh në veçanti?​—Lexo Gjonin 3:16; Romakëve 6:23.