MËSIMI 12

Si t’i afrohesh Perëndisë?

Si t’i afrohesh Perëndisë?

1. A i dëgjon Perëndia të gjitha lutjet?

Perëndia i fton njerëzit e të gjitha kombeve t’i afrohen me anë të lutjes. (Psalmi 65:2) Gjithsesi, ai nuk i dëgjon, ose nuk i pranon, të gjitha lutjet. Për shembull, lutjet e një burri që keqtrajton gruan e vet mund të pengohen. (1 Pjetrit 3:7) Gjithashtu, kur izraelitët nuk hiqnin dorë nga e keqja, Perëndia nuk ua dëgjonte lutjet. Pa diskutim, lutja është një privilegj. Megjithatë, Perëndia i pranon edhe lutjet e atyre që mëkatojnë rëndë po të pendohen.​—Lexo Isainë 1:15; 55:7.

2. Si duhet të lutemi?

Lutja është pjesë e adhurimit, prandaj duhet t’i lutemi vetëm Krijuesit tonë, Jehovait. (Mateu 4:10; 6:9) Veç kësaj, meqë jemi të papërsosur, duhet të lutemi në emër të Jezuit, se ai vdiq për mëkatet tona. (Gjoni 14:6) Jehovai nuk do që të përsëritim lutje të mësuara përmendsh a të shkruara. Dëshiron t’i lutemi nga zemra.​—Lexo Mateun 6:7; Filipianëve 4:6, 7.

Krijuesi ynë mund t’i dëgjojë edhe lutjet që i bëjmë heshturazi. (1 Samuelit 1:12, 13) Ai na fton t’i lutemi në çdo rast, si për shembull, kur çel e mbyllet dita, para një vakti dhe kur kemi halle.​—Lexo Psalmin 55:22; Mateun 15:36.

3. Pse të krishterët mblidhen së bashku?

Nuk është e lehtë t’i afrohesh Perëndisë, pasi jetojmë mes njerëzve që nuk besojnë tek ai dhe tallen me premtimin e tij se në tokë do të ketë paqe. (2 Timoteut 3:1, 4; 2 Pjetrit 3:3, 13) Ja pse kemi nevojë për shoqërinë inkurajuese të bashkëbesimtarëve, siç kanë nevojë edhe ata për ne.​—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.

Shoqëria me ata që e duan Perëndinë na ndihmon t’i afrohemi atij. Mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait janë raste të shkëlqyera që të marrim zemër nga besimi i njëri-tjetrit.​—Lexo Romakëve 1:11, 12.

4. Si t’i afrohesh Perëndisë?

Mund t’i afrohesh Jehovait duke menduar thellë për ato që ke mësuar nga Fjala e tij. Bluaji në mend veprat, këshillat dhe premtimet e tij. Kur mendon thellë ndërkohë që lutesh, të mbushet zemra me çmueshmëri për dashurinë dhe për mençurinë e Perëndisë.​—Lexo Josiun 1:8; Psalmin 1:1-3.

Mund të lidhesh ngushtë me Perëndinë vetëm nëse ke besim dhe mbështetesh plotësisht tek ai. Veçse besimi është si një bimë që duhet ushqyer. Duhet ta ushqesh vazhdimisht duke shqyrtuar themelin e bindjeve të tua.​—Lexo Mateun 4:4; Hebrenjve 11:1, 6.

5. Ç’dobi do të kesh duke iu afruar Perëndisë?

Jehovai kujdeset për ata që e duan. Ka fuqi t’i mbrojë nga çdo gjë që u kërcënon besimin dhe shpresën e jetës së përhershme. (Psalmi 91:1, 2, 7-10) Ai na paralajmëron për ato mënyra jetese që na vënë në rrezik shëndetin dhe lumturinë. Jehovai na mëson si ta jetojmë jetën në mënyrën më të mirë.​—Lexo Psalmin 73:27, 28; Jakovin 4:4, 8.