MËSIMI 14

Pse Perëndia ka një organizatë?

Pse Perëndia ka një organizatë?

1. Pse e organizoi Perëndia Izraelin e lashtë?

Perëndia i organizoi pasardhësit e patriarkut Abraham duke i bërë një komb e u dha një sërë ligjesh. E quajti kombin ‘Izrael’ dhe e bëri kujdestar të adhurimit të vërtetë e të fjalës së tij. (Psalmi 147:19, 20) Kështu, nga Izraeli mund të nxirrnin dobi njerëz të të gjitha kombeve.​—Lexo Zanafillën 22:18.

Perëndia i zgjodhi izraelitët që të ishin dëshmitarë të tij. Historia e tyre e lashtë është provë e gjallë që tregon si nxjerrin dobi njerëzit kur u binden ligjeve të Perëndisë. (Ligji i përtërirë 4:6) Pra, nëpërmjet izraelitëve, të tjerët mund të njihnin Perëndinë e vërtetë.​—Lexo Isainë 43:10, 12.

2. Pse të krishterët e vërtetë janë të organizuar?

Me kalimin e kohës, Izraeli e humbi miratimin e Perëndisë Jehova, dhe ai e zëvendësoi atë komb me kongregacionin e krishterë. (Mateu 21:43; 23:37, 38) Sot, në vend të izraelitëve, si dëshmitarë të Jehovait shërbejnë të krishterët e vërtetë.​—Lexo Veprat 15:14, 17.

Jezui i organizoi dishepujt e tij që të predikonin e të bënin dishepuj në të gjitha kombet. (Mateu 10:7, 11; 24:14; 28:19, 20) Kjo vepër po arrin kulmin sot, në përfundim të këtij sistemi. Për të parën herë në histori, Jehovai ka bashkuar miliona veta nga tërë kombet në adhurimin e vërtetë. (Zbulesa 7:9, 10) Të krishterët e vërtetë janë të organizuar që të inkurajojnë e t’i bëhen krah njëri-tjetrit. Anekënd globit, ata ndjekin të njëjtin program arsimimi biblik në mbledhjet e tyre.​—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.

3. Si filloi organizata e Dëshmitarëve të Jehovait në kohët moderne?

Pas vitit 1870, një grup i vogël studentësh të Biblës nisi të zbulonte nga e para të vërteta biblike të humbura prej kohësh. Ata e dinin se Jezui e kishte organizuar kongregacionin e krishterë që të predikonte, prandaj filluan një fushatë ndërkombëtare predikimi për Mbretërinë. Më 1931 morën emrin Dëshmitarë të Jehovait.​—Lexo Veprat 1:8; 2:1, 4; 5:42.

4. Si janë të organizuar Dëshmitarët e Jehovait?

Në shekullin e parë, kongregacionet e krishtere në shumë vende nxirrnin dobi nga një trup udhëheqës qendror, i cili pranonte Jezuin si Kreun e kongregacionit. (Veprat 16:4, 5) Edhe sot, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën nxjerrin dobi nga një Trup Udhëheqës i përbërë nga pleq të krishterë me përvojë. Ai mbikëqyr zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait që përkthejnë, shtypin e shpërndajnë materiale për studimin e Biblës në më shumë se 600 gjuhë. Në këtë mënyrë, Trupi Udhëheqës u jep inkurajim e drejtim nga Shkrimet më se 100.000 kongregacioneve anekënd botës. Në çdo kongregacion ka burra të kualifikuar që shërbejnë si pleq ose mbikëqyrës. Ata kujdesen me dashuri për kopenë e Perëndisë.​—Lexo 1 Pjetrit 5:2, 3.

Dëshmitarët e Jehovait janë të organizuar që të predikojnë lajmin e mirë e të bëjnë dishepuj. Ashtu si apostujt, ne predikojmë shtëpi më shtëpi. (Veprat 20:20) Ata që e kërkojnë sinqerisht të vërtetën, i ftojmë të studiojnë Biblën me ne. Sidoqoftë, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë thjesht një organizatë. Jemi një familje me një Atë të dashur. Jemi vëllezër e motra që interesohemi për njëri-tjetrin. (2 Selanikasve 1:3) Populli i Jehovait është i organizuar që të kënaqë Perëndinë dhe të ndihmojë njerëzit, prandaj është familja më e lumtur në tokë.​—Lexo Psalmin 33:12; Veprat 20:35.