MËSIMI 11

Ç’dobi nxjerrim nga parimet e Biblës?

Ç’dobi nxjerrim nga parimet e Biblës?

1. Pse kemi nevojë për drejtim?

Çfarë na nxit të bëjmë parimi biblik se jeta është dhuratë nga Perëndia?​—PSALMI 36:9.

Krijuesi ynë është më i mençur se ne. Si një Atë i dashur, ai interesohet për ne. Veç kësaj, nuk na krijoi që të jemi të pavarur prej tij. (Jeremia 10:23) Prandaj, ashtu si një fëmijë i vogël ka nevojë për drejtim nga prindërit, të gjithë ne kemi nevojë për drejtim nga Perëndia. (Isaia 48:17, 18) Ky drejtim është një dhuratë që Ai na jep nëpërmjet parimeve të Biblës.​—Lexo 2 Timoteut 3:16.

Ligjet dhe parimet e Jehovait na mësojnë si të jetojmë në mënyrën më të mirë sot dhe na tregojnë si të gëzojmë bekime të përhershme në të ardhmen. Meqë jemi krijesa të tij, është me vend t’i përgjigjemi me mirënjohje drejtimit të Perëndisë.​—Lexo Psalmin 19:7, 11; Zbulesën 4:11.

2. Çfarë janë parimet e Biblës?

Parimet biblike janë të vërteta themelore, kurse ligjet nganjëherë mund të jenë për rrethana specifike. (Ligji i përtërirë 22:8) Që të kuptojmë si zbatohet një parim në një situatë të caktuar, duhet të vëmë në punë mendjen. (Proverbat 2:10-12) Për shembull, Bibla na mëson se jeta është dhuratë nga Perëndia. Ky parim bazë mund të na drejtojë në punë, në shtëpi ose kur udhëtojmë. Si pasojë, marrim masa që të mos rrezikojmë jetën.​—Lexo Veprat 17:28.

3. Cilat janë dy parimet më të rëndësishme?

Jezui foli për dy parime që janë më të rëndësishmet nga të gjitha. I pari nxjerr në pah qëllimin e vetë ekzistencës së njeriut​—të njohë Perëndinë, ta dojë dhe t’i shërbejë me besnikëri. Këtë parim duhet ta mbajmë parasysh në çdo vendim që marrim. (Proverbat 3:6) Ata që veprojnë sipas tij, fitojnë miqësinë me Perëndinë, lumturi të vërtetë dhe jetën e përhershme.​—Lexo Mateun 22:36-38.

Parimi i dytë na prin që të gëzojmë marrëdhënie paqësore me të tjerët. (1 Korintasve 13:4-7) Që të zbatojmë këtë parim, duhet të imitojmë mënyrën si i trajton Perëndia njerëzit.​—Lexo Mateun 7:12; 22:39, 40.

4. Ç’dobi nxjerrim nga parimet e Biblës?

Parimet e Biblës i mësojnë familjet si të jenë të bashkuara me anë të dashurisë. (Kolosianëve 3:12-14) Fjala e Perëndisë i mbron familjet edhe duke u mësuar një parim tjetër udhërrëfyes​—martesa duhet të jetë një lidhje e përhershme.​—Lexo Zanafillën 2:24.

Ndjekja e mësimeve të Biblës mund të na mbrojë nga ana materiale dhe emocionale. Për shembull, punëdhënësit shpesh preferojnë të punësojnë njerëz të cilët jetojnë sipas parimeve biblike që nxitin ndershmërinë dhe papërtueshmërinë. (Proverbat 10:4, 26; Hebrenjve 13:18) Gjithashtu, Fjala e Perëndisë na mëson se, po të kemi gjërat e nevojshme, duhet të jemi të kënaqur me kaq, si edhe ta çmojmë miqësinë me Perëndinë më shumë se gjërat materiale.​—Lexo Mateun 6:24, 25, 33; 1 Timoteut 6:8-10.

Zbatimi i parimeve të Biblës mund të na mbrojë shëndetin. (Proverbat 14:30; 22:24, 25) Për shembull, kur i përmbahemi ligjit të Perëndisë kundër dehjes, jemi të mbrojtur nga sëmundje dhe aksidente fatale. (Proverbat 23:20) Jehovai nuk i ndalon pijet alkoolike, por duhet të pimë me karar. (Psalmi 104:15; 1 Korintasve 6:10) Parimet e Perëndisë na sjellin dobi se na mësojnë të kujdesemi jo vetëm për veprimet, por edhe për mendimet tona. (Psalmi 119:97-100) Sidoqoftë, të krishterët e vërtetë nuk i respektojnë normat hyjnore thjesht për dobinë e vet, por për të nderuar Jehovain.​—Lexo Mateun 5:14-16.