MËSIMI 9

Si të kesh familje të lumtur?

Si të kesh familje të lumtur?

1. Pse martesa është jetësore për lumturinë familjare?

Lajmi i mirë vjen nga Jehovai, Perëndia i lumtur, i cili dëshiron që familjet të jenë të lumtura. (1 Timoteut 1:11) Martesën e themeloi ai. Martesa e ligjshme është jetësore për lumturinë familjare, sepse siguron një vatër të sigurt ku të rriten fëmijët.

Si e sheh Perëndia martesën? Ai do që të jetë një lidhje e përhershme mes burrit e gruas. Ata që duan t’i binden Perëndisë duhet të respektojnë ligjet e vendit për regjistrimin e martesës. (Luka 2:1, 4, 5) Jehovai do që bashkëshortët të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit. (Hebrenjve 13:4) Ai e urren divorcin. (Malakia 2:16) Megjithatë, i lejon divorcin dhe rimartesën nëse bashkëshorti tjetër kryen kurorëshkelje.​—Lexo Mateun 19:3-6, 9.

2. Si duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin bashkëshortët?

Jehovai i krijoi burrin e gruan në një mënyrë që të plotësojnë njëri-tjetrin kur martohen. (Zanafilla 2:18) Si kryefamiljar, burri duhet të marrë drejtimin që t’i sigurojë familjes të mirat materiale dhe ta mësojë për Perëndinë. Duhet të ketë dashuri vetëmohuese për të shoqen. Bashkëshortët duhet ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin. Meqë nuk ka bashkëshort të përsosur, të mësosh të falësh është një çelës për një martesë të lumtur.​—Lexo Efesianëve 4:31, 32; 5:22-25, 33; 1 Pjetrit 3:7.

3. A duhet t’i jepni fund një martese të palumtur?

Nëse hasni vështirësi në martesë, të dy duhet të mundoheni ta trajtoni me dashuri shoqi-shoqin. (1 Korintasve 13:4, 5) Fjala e Perëndisë nuk këshillon ndarjen si rrugëdalje për problemet e zakonshme martesore.​—Lexo 1 Korintasve 7:10-13.

4. Fëmijë, çfarë dëshiron Perëndia për ju?

Jehovai do që të jeni të lumtur. Ai ju jep këshillat më të mira se si ta gëzoni fëmijërinë. Do që të nxirrni dobi nga mençuria dhe përvoja e prindërve. (Kolosianëve 3:20) Jehovai do edhe të kënaqeni duke bërë vullnetin e Krijuesit dhe të Birit të tij.​—Lexo Eklisiastiun 11:9–12:1; Mateun 19:13-15; 21:15, 16.

5. Prindër, çfarë u duhet fëmijëve që të jenë të lumtur?

Patjetër, duhet të derdhni djersë që t’u siguroni fëmijëve ushqim, strehim dhe veshje. (1 Timoteut 5:8) Por ama, që ata të jenë të lumtur, duhet t’i mësoni të duan Perëndinë e të mësojnë nga ai. (Efesianëve 6:4) Shembulli juaj ndërsa tregoni dashuri për Perëndinë mund të lërë gjurmë të thella në zemrën e fëmijës. Kur mësimi juaj bazohet te Fjala e Perëndisë, mund ta brumosë fëmijën me gjykim të mirë.​—Lexo Ligjin e përtërirë 6:4-7; Proverbat 22:6.

Fëmijëve u bën mirë kur u jepni zemër dhe i lavdëroni. Ata kanë nevojë edhe për ndreqje e disiplinë. Ky edukim i mbron nga ajo lloj sjelljeje që mund t’u grabitë lumturinë. (Proverbat 22:15) Gjithsesi, disiplina s’duhet të jetë asnjëherë e ashpër ose mizore.​—Lexo Kolosianëve 3:21.

Dëshmitarët e Jehovait botojnë një sërë librash enkas për të ndihmuar prindërit e fëmijët. Këta libra bazohen në Bibël.​—Lexo Psalmin 19:7, 11.