MËSIMI 15

Pse duhet të vazhdosh?

Pse duhet të vazhdosh?

1. Ç’dobi do të kesh nëse vazhdon studimin e Biblës?

Me siguri, tani që u ke hedhur një sy mësimeve themelore të Biblës të është forcuar dashuria për Jehovain. Kjo dashuri duhet ushqyer vazhdimisht. (1 Pjetrit 2:2) Ke shpresën të jetosh përgjithmonë vetëm nëse vazhdon t’i afrohesh Perëndisë duke studiuar Fjalën e tij.​—Lexo Gjonin 17:3; Judën 21.

Sa më shumë ta njohësh Perëndinë, aq më shumë do të të forcohet besimi dhe kjo do të të ndihmojë t’i pëlqesh atij. (Hebrenjve 11:1, 6) Do të të nxitë të pendohesh e të bësh ndryshime dobiprurëse në jetë.​—Lexo Veprat 3:19.

2. Ç’dobi mund të kenë të tjerët nga njohuria jote për Perëndinë?

Mund të lidhësh një marrëdhënie të veçantë me Jehovain

Natyrisht, ke qejf t’ua tregosh edhe të tjerëve ato që ke mësuar, se të gjithëve na pëlqen të themi lajme të mira. Ndërsa vazhdon ta studiosh Biblën, do të mësosh si ta përdorësh për të shpjeguar lajmin e mirë dhe besimin tënd te Jehovai.​—Lexo Romakëve 10:13-15.

Shumica e njerëzve në fillim ua thonë lajmin e mirë miqve ose të afërmve. Trego takt kur ta bësh këtë. Folu për premtimet e Perëndisë, në vend që t’u thuash se ajo që besojnë është e gabuar. Veç kësaj, mos harro se shpesh njerëzve u bën më tepër përshtypje dashamirësia që tregon sesa ajo që thua.​—Lexo 2 Timoteut 2:24, 25.

3. Ç’marrëdhënie mund të kesh me Perëndinë?

Falë studimit të Fjalës së Perëndisë, do ta thellosh miqësinë me Të. Më pas, mund të lidhësh një marrëdhënie shumë të veçantë me Jehovain. Mund t’i përkasësh vërtet atij si pjesëtar i familjes së tij.​—Lexo 2 Korintasve 6:18.

4. Si të vazhdosh të përparosh?

Mund të përparosh frymësisht duke vazhduar ta studiosh Fjalën e Perëndisë. (Hebrenjve 5:13, 14) Kërkoji një Dëshmitari të Jehovait të studiojë Biblën me ty duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Sa më shumë të mësosh nga Fjala e Perëndisë, aq më mbarë do të të shkojë jeta.​—Lexo Psalmin 1:1-3; 73:27, 28.

Lajmi i mirë vjen nga Jehovai, Perëndia i lumtur. Mund të lidhesh më ngushtë me të duke u afruar me popullin e tij. (Hebrenjve 10:24, 25) Dora-dorës që përpiqesh t’i pëlqesh Jehovait, po ecën drejt synimit të jetës së vërtetë​—jetës së përhershme. T’i afrohesh Perëndisë është vërtet gjëja më e mirë që mund të bësh.​—Lexo 1 Timoteut 1:11; 6:19.