ARTIKULLI I STUDIMIT 37
KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»
Një letër për të qëndruar besnikë deri në fund
«E mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim.»—HEBR. 3:14.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shqyrtojmë mësime praktike nga letra e hebrenjve, që do të na ndihmojnë të qëndrojmë besnikë deri në fund të sistemit.
1-2. (a) Në çfarë situate ndodheshin të krishterët hebrenj në Jude kur Pavli u shkroi letrën? (b) Pse ishte në kohën e duhur ajo letër e frymëzuar?
TË KRISHTERËT hebrenj që jetonin në Jerusalem dhe në Jude kaluan goxha peripeci pas vdekjes së Jezuit. Pak pasi u formua kongregacioni i krishterë, kundër tyre nisi një përndjekje e egër. (Vep. 8:1) Pastaj, afro 20 vjet më vonë, dishepujt e Krishtit hasën vështirësi të mëdha ekonomike, ka shumë të ngjarë si pasojë e një zie buke që kishte rënë më parë në vend. (Vep. 11:27-30) Gjithsesi, rreth vitit 61 të e.s., të krishterët po gëzonin një kohë disi të qetë në krahasim me atë që i priste. Gjatë asaj periudhe, apostulli Pavël u shkroi një letër të frymëzuar—letër që doli se ishte fiks në kohën e duhur.
2 Letra që u shkroi hebrenjve ishte në kohën e duhur, sepse paqja që po shijonin nuk do të zgjaste shumë. Në të Pavli përfshiu këshilla praktike, të cilat do t’i ndihmonin t’i bënin ballë shtrëngimit që do të përjetonin së shpejti. Po afrohej shkatërrimi i sistemit judaik që kishte parathënë Jezui. (Luka 21:20) Natyrisht, as Pavli dhe as të krishterët në Jude nuk e dinin kohën e saktë kur do të ndodhte ai shkatërrim. Sidoqoftë mund ta përdornin kohën e mbetur për t’u përgatitur duke zhvilluar cilësi, si besimi dhe qëndrueshmëria.—Hebr. 10:25; 12:1, 2.
3. Pse duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë letrës së hebrenjve?
3 Së shpejti do të përballemi me një shtrëngim shumë më të madh se ai që përjetuan të krishterët hebrenj. (Mat. 24:21; Zbul. 16:14, 16) Ndaj, le të ndalemi te disa këshilla praktike që u dha Jehovai atyre të krishterëve, që do të na sjellin dobi edhe neve.
‘SULU DREJT PJEKURISË’
4. Cilat sfida hasën të krishterët judenj? (Shihni edhe figurën.)
4 Të krishterët me prejardhje judaike hasën një sfidë të madhe. Dikur judenjtë kishin qenë populli i zgjedhur i Jehovait. Për shekuj me radhë, Jerusalemi kishte qenë selia tokësore e Mbretërisë së Perëndisë, ndërsa tempulli, qendra e adhurimit të pastër. Të gjithë judenjtë besnikë ndiqnin Ligjin e Moisiut, të cilin ua mësonin krerët fetarë. Mësimet e Ligjit ishin udhërrëfyese për ta kur bëhej fjalë për ushqimin, rrethprerjen dhe shoqërimin me njerëzit e kombeve. Mirëpo pas vdekjes së Jezuit, Ligji u shfuqizua dhe judenjtë nuk duhej të paraqitnin më flijime në tempull. Kjo ishte sfidë për të krishterët judenj, të cilët ishin mësuar të ndiqnin Ligjin. (Hebr. 10:1, 4, 10) Madje edhe të krishterë të pjekur si apostulli Pjetër, nuk e patën të lehtë të përshtateshin me disa nga ndryshimet. (Vep. 10:9-14; Gal. 2:11-14) Për shkak të bindjeve të reja, ata të krishterë u bënë shënjestra e përndjekjes nga krerët fetarë judenj.
5. Nga se duhej të ruheshin të krishterët?
5 Të krishterët hebrenj përballeshin me presione nga dy drejtime. Nga njëra anë ishin krerët fetarë judenj që i trajtonin si apostatë. E nga ana tjetër, disa që thoshin se ishin të krishterë, këmbëngulnin se dishepujt e Krishtit duhej t’u bindeshin akoma disa kërkesave specifike të Ligjit të Moisiut. Ndoshta e bënin këtë për të shmangur përndjekjen. (Gal. 6:12) Çfarë do t’i ndihmonte të krishterët besnikë të ecnin pa u lëkundur në të vërtetën?
6. Çfarë nxitje u dha Pavli bashkëbesimtarëve? (Hebrenjve 5:14–6:1)
6 Në letrën që u shkroi bashkëbesimtarëve hebrenj, Pavli i nxiti të gërmonin më thellë në Fjalën e Perëndisë. (Lexo Hebrenjve 5:14–6:1.) Me anë të Shkrimeve Hebraike, ai u shpjegoi vëllezërve pse mënyra e adhurimit si të krishterë qëndronte shumë më lart se mënyra e adhurimit në judaizëm. a Pavli e dinte se po t’i njihnin e t’i kuptonin më mirë Shkrimet, do të ishin më të aftë të dallonin dhe të hidhnin poshtë mësimet e rreme. Kështu nuk do të devijonin nga udha e së vërtetës.
7. Me cilat sfida përballemi sot?
7 Ashtu si të krishterët hebrenj, edhe ne gjendemi para informacioneve dhe ideve që bien ndesh me standardet e drejta të Jehovait. Shpesh kundërshtarët sulmojnë bindjet tona të bazuara në Bibël që lidhen me moralin, duke pretenduar se jemi jotolerantë dhe mizorë. Qëndrimet dhe opinionet e botës po i largohen gjithnjë e më shumë mënyrës si mendon Perëndia. (Prov. 17:15) Prandaj duhet të bëhemi më të aftë që të dallojmë dhe të hedhim poshtë idetë që përdorin kundërshtarët për të na shkurajuar ose për të na mashtruar.—Hebr. 13:9.
8. Si mund të përparojmë drejt pjekurisë?
8 Bëjmë mirë t’i vëmë veshin këshillës që u dha Pavli të krishterëve hebrenj: të sulemi drejt pjekurisë. Kjo përfshin ta njohim thellë Jehovain dhe të mësojmë të mendojmë si ai. E ky proces vazhdon edhe pas kushtimit e pagëzimit. Sado kohë të kemi në të vërtetën, të gjithë duhet ta lexojmë e ta studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë. (Psal. 1:2) Një program i mirë për studimin personal do të na ndihmojë të forcojmë besimin, një cilësi që Pavli e theksoi goxha në letrën drejtuar hebrenjve.—Hebr. 11:1, 6.
‘KI BESIM QË TË SHPËTOSH JETËN’
9. Pse ishte jetësore që të krishterët hebrenj të kishin besim të fortë?
9 Të krishterëve hebrenj u duhej besim i fortë që t’i mbijetonin shtrëngimit që po afrohej në Jude. (Hebr. 10:37-39) Jezui i kishte paralajmëruar dishepujt të iknin me të shpejtë në male kur ta shihnin Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë. Këshilla e tij vlente për të gjithë të krishterët, pavarësisht nëse jetonin në qytet a në fshat. (Luka 21:20-24) Asokohe, në rast sulmi nga një ushtri armike, njerëzit normalisht kërkonin mbrojtje brenda një qyteti të rrethuar me mure, siç ishte Jerusalemi. Ka shumë mundësi që urdhri për të ikur me të shpejtë në male t’u jetë dukur i palogjikshëm të krishterëve, ndaj do t’u jetë dashur besim i fortë për ta zbatuar.
10. Si vepronin të krishterët me besim të fortë? (Hebrenjve 13:17)
10 Të krishterët hebrenj duhej edhe t’u besonin atyre që po përdorte Jezui për të drejtuar kongregacionin. Ka shumë gjasa që ata që merrnin drejtimin, të kenë dhënë udhëzime specifike për t’i ndihmuar të gjithë në kongregacion ta ndiqnin urdhrin e Jezuit në kohën e duhur dhe në mënyrë të organizuar. (Lexo Hebrenjve 13:17.) Fjala greke e përkthyer «jini të bindur» te Hebrenjve 13:17, mbart idenë që të është mbushur mendja të bindesh, ngaqë ke besim tek ai që jep drejtimin. Kjo nuk do të thotë se po bindesh vetëm ngaqë ai ka autoritetin të japë drejtim. Pra, të krishterët hebrenj duhej të mësonin t’u besonin vëllezërve që merrnin drejtimin para se të vinte shtrëngimi. Nëse në kohë paqeje u bindeshin udhëzimeve të atyre që merrnin drejtimin, do ta kishin shumë më të lehtë ta bënin këtë në kohë sprove.
11. Pse është jetësore të kemi besim të fortë sot?
11 Ashtu si të krishterët hebrenj, edhe neve na duhet besim i fortë. Jetojmë në një kohë kur shumica e njerëzve s’duan t’ia dinë për paralajmërimin e Biblës se po afrohet fundi i këtij sistemi, e madje tallen me ne. (2 Pjet. 3:3, 4) Veç kësaj, ndonëse Bibla zbulon disa hollësi se çfarë do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh, ka edhe shumë gjëra që nuk i dimë. Na duhet besim i patundur se fundi i këtij sistemi do të vijë fiks në kohën e caktuar dhe se Jehovai do të kujdeset për ne.—Hab. 2:3.
12. Çfarë do të na ndihmojë t’i mbijetojmë shtrëngimit të madh?
12 Gjithashtu duhet të forcojmë besimin te kanali që përdor sot Jehovai për të na drejtuar—«skllavi besnik dhe i mençur». (Mat. 24:45) Kur të nisë shtrëngimi i madh, mund të marrim udhëzime specifike jetëshpëtuese, siç mund të kenë marrë edhe të krishterët hebrenj kur erdhi ushtria romake. Tani është koha të forcojmë besimin te vëllezërit që marrin drejtimin në organizatën e Jehovait. Nëse sot e kemi të vështirë t’i bindemi drejtimit të tyre, s’ka si ta ndjekim plot besim drejtimin që do të na japin gjatë shtrëngimit të madh.
13. Pse ishte me vend këshilla te Hebrenjve 13:5?
13 Ndërsa pritnin shenjën për t’u larguar, të krishterët hebrenj duhej edhe të mbanin një jetë të thjeshtë, pa u infektuar nga ‘lakmia për pará’. (Lexo Hebrenjve 13:5.) Disa prej tyre e kishin provuar në kurriz zinë e bukës dhe varfërinë. (Hebr. 10:32-34) Edhe pse dikur kishin qenë të gatshëm të përballonin vështirësi për hir të lajmit të mirë, disa mund të kishin filluar ta shihnin pasurinë si mbrojtja e vetme. Ama, asnjë shumë parash s’mund t’i mbronte nga shkatërrimi që po afrohej. (Jak. 5:3) Në fakt, ata që i donin gjërat materiale do ta kishin më të vështirë të largoheshin e të linin pas shtëpinë dhe zotërimet.
14. Si mund të ndikojë besimi i fortë te vendimet që marrim për gjërat materiale?
14 Nëse kemi besim të patundur se fundi i sistemit është te pragu, nuk do t’i shohim paratë ose të mirat materiale si gjëja më e rëndësishme. Gjatë shtrëngimit të madh njerëzit «do ta hedhin argjendin nëpër rrugë», sepse do të kuptojnë se «as argjendi dhe as ari i tyre nuk do t’i çlirojë dot ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait». (Ezek. 7:19) Ndaj, në vend që të përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë pará, duhet të marrim vendime që na ndihmojnë të bëjmë një jetë të thjeshtë dhe të ekuilibruar. Kjo përfshin t’i rezistojmë tundimit për t’u futur në borxhe të panevojshme ose për t’u dhënë tepër pas kujdesit për gjërat materiale. Gjithashtu tregohemi të kujdesshëm që të mos lidhemi tepër me gjërat që kemi. (Mat. 6:19, 24) Teksa i afrohemi fundit të sistemit, mund të na sprovohet besimi, pra të na duhet të zgjedhim nëse do të mbështetemi te Jehovai apo te pasuria.
‘KE NEVOJË PËR QËNDRUESHMËRI’
15. Pse kishin jashtëzakonisht nevojë për qëndrueshmëri të krishterët hebrenj?
15 Të krishterët hebrenj duhej të tregonin qëndrueshmëri në sprovat e besimit, ndërsa kushtet në Jude sa vinin e keqësoheshin. (Hebr. 10:36) Vërtet, disa prej tyre kishin hasur përndjekje të egër, por shumë e kishin përqafuar krishterimin gjatë një periudhe relativisht të qetë. Pavli u tha të krishterëve hebrenj se ndonëse kishin përballuar me sukses sprova të rënda besimi, nuk kishin vuajtur ende sa Jezui, pra deri në vdekje. (Hebr. 12:4) Mirëpo me përhapjen e krishterimit, kundërshtarët judenj po bëheshin gjithnjë e më armiqësorë dhe fanatikë. Vetëm pak vjet para se t’u shkruante hebrenjve, Pavlin e sulmoi një turmë e zemëruar në Jerusalem. Më shumë se 40 judenj «zunë be se as do të hanin, as do të pinin, derisa të vritnin Pavlin». (Vep. 22:22; 23:12-14) Edhe mes asaj atmosfere urrejtjeje dhe fanatizmi fetar, të krishterët duhej të vazhdonin të mblidheshin për të adhuruar Jehovain, të predikonin lajmin e mirë dhe ta mbanin të fortë besimin.
16. Si na ndihmon letra e hebrenjve të kemi pikëpamjen e duhur për përndjekjen? (Hebrenjve 12:7)
16 Çfarë do t’i ndihmonte të krishterët hebrenj të qëndronin përballë përndjekjes? Pavli e dinte se ata kishin nevojë të zhvillonin pikëpamjen e duhur për sprovat. Ndaj u shpjegoi se Perëndia mund t’i lejonte disa sprova besimi si pjesë e stërvitjes së tyre. (Lexo Hebrenjve 12:7.) Një stërvitje e tillë mund ta ndihmojë një të krishterë që të zhvillojë e të përmirësojë cilësi jetësore që e kënaqin Jehovain. Nëse të krishterët hebrenj përqendroheshin te dobitë që do të sillnin sprovat, do ta kishin më kollaj të qëndronin besnikë.—Hebr. 12:11.
17. Çfarë dinte Pavli në lidhje me përndjekjen?
17 Pavli i nxiti të krishterët hebrenj t’i përballonin sprovat me guxim e pa u dorëzuar. Dhe kush më mirë se Pavli mund t’u jepte këshilla të tilla?! Meqë më parë i kishte përndjekur të krishterët, ai e dinte mirë çfarë hiqnin. Dinte edhe si të tregonte qëndrueshmëri përballë përndjekjes. Tekefundit kishte provuar në kurriz lloj-lloj kundërshtimesh pasi u bë i krishterë. (2 Kor. 11:23-25) Pra e dinte nga përvoja se çfarë nevojitej për të treguar qëndrueshmëri. Ai u rikujtoi bashkëbesimtarëve se ndërsa përballonin sprova, nuk duhej të mbështeteshin te vetja, por te Jehovai. Pikërisht ngaqë mbështetej te Jehovai, Pavli tha plot guxim: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë.»—Hebr. 13:6.
18. Çfarë presim në të ardhmen dhe çfarë duhet të bëjmë sot?
18 Disa nga vëllezërit tanë po tregojnë qëndrueshmëri përballë përndjekjeve sot. Mund t’i mbështetim me besnikëri duke u lutur, e me raste duke bërë diçka praktike për ta. (Hebr. 10:33) Gjithsesi Bibla e thotë troç se «të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen». (2 Tim. 3:12) Për këtë arsye të gjithë duhet të përgatitemi për kohët e vështira që na presin. Le të vazhdojmë t’i besojmë Jehovait pa rezerva, të sigurt se do të na ndihmojë t’i bëjmë ballë çdo sprove që mund të na sjellë jeta. E në kohën e duhur, ai do t’u sjellë lehtësim të gjithë adhuruesve të tij besnikë.—2 Sel. 1:7, 8.
19. Cilët hapa praktikë do të na ndihmojnë të përgatitemi për shtrëngimin e madh? (Shihni edhe figurën.)
19 Me siguri letra që shkroi Pavli i ndihmoi të krishterët hebrenj të përgatiteshin për shtrëngimin që do të vinte. Pavli i nxiti vëllezërit t’i studionin me kujdes e t’i kuptonin më mirë Shkrimet. Kështu do të ishin më të aftë të dallonin dhe të hidhnin poshtë ato mësime që do t’ua dobësonin besimin. Ai i inkurajoi të forconin besimin, që të ndiqnin pa vonesë drejtimin e Jezuit dhe udhëzimet e vëllezërve që merrnin drejtimin në kongregacion. Gjithashtu i ndihmoi të krishterët të shfaqnin më shumë qëndrueshmëri duke zhvilluar pikëpamjen e duhur për sprovat dhe duke i parë si një mundësi që të stërviteshin nga Ati i tyre i dashur. Le t’i zbatojmë edhe ne këto këshilla të frymëzuara. Kështu do t’ia dalim të qëndrojmë besnikë deri në fund.—Hebr. 3:14.
KËNGA 126 Rri syçelë, i fuqishëm, i patundur
a Vetëm në kapitullin e parë Pavli citoi shtatë herë nga Shkrimet Hebraike, për të treguar se mënyra e adhurimit si të krishterë qëndronte shumë më lart se mënyra e adhurimit në judaizëm.—Hebr. 1:5-13.
KULLA E ROJËS—BOTIMI PËR STUDIM