ARTIKULLI I STUDIMIT 39
KËNGA 125 «Lum të mëshirshmit!»
Provo lumturinë e madhe që vjen kur jep
«Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» —VEP. 20:35.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të shqyrtojmë disa mënyra si ta ruajmë e madje ta shtojmë gëzimin që vjen kur japim.
1-2. Si nxjerrim dobi ngaqë Jehovai na krijoi me aftësinë që të jemi më të lumtur kur japim?
KUR Jehovai bëri njerëzit, i krijoi me aftësinë që të ndienin më tepër lumturi kur jepnin se sa kur merrnin. (Vep. 20:35) A do të thotë kjo se nuk jemi fare të lumtur kur marrim? Jo. Të gjithë e kemi provuar sa mirë ndihemi kur marrim një dhuratë. Gjithsesi jemi edhe më të lumtur kur u japim të tjerëve. Sa mirë që Jehovai na bëri me këtë aftësi! Pse e themi këtë?
2 Duke na krijuar kështu, Jehovai na e ka lënë neve në dorë të vendosim sa të lumtur dëshirojmë të jemi. Mund ta shtojmë gëzimin tonë duke kërkuar më tepër mundësi për t’u dhënë të tjerëve. A nuk është e mrekullueshme që Jehovai na krijoi në këtë mënyrë?—Psal. 139:14.
3. Pse Jehovai quhet ‘Perëndia i lumtur’?
3 Shkrimet na sigurojnë se dhënia sjell lumturi, ndaj nuk habitemi që Bibla e quan Jehovain ‘Perëndia i lumtur’. (1 Tim. 1:11) Ai është Dhënësi i parë dhe më i madh. Siç tha apostulli Pavël, falë tij «kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë». (Vep. 17:28) Vërtet, «çdo dhuratë e mirë dhe e përsosur» vjen nga Jehovai.—Jak. 1:17.
4. Si mund të provojmë lumturi në një masë më të madhe?
4 Ka mundësi që të gjithëve na pëlqen ta provojmë në masë më të madhe lumturinë që vjen kur jep. E këtë mund ta arrijmë duke imituar bujarinë e Jehovait. (Efes. 5:1) Teksa ndalemi te shembulli i tij i shkëlqyer, le të shohim si të veprojmë nëse na duket sikur të tjerët nuk i vlerësojnë të mirat që bëjmë për ta. Kjo do të na ndihmojë ta ruajmë e madje ta shtojmë gëzimin që vjen kur japim.
JI BUJAR SI JEHOVAI
5. Cilat gjëra materiale na jep Jehovai?
5 Cilat janë disa mënyra si tregon bujari Jehovai? Le të mendojmë për disa shembuj. Jehovai na jep gjërat e nevojshme materiale. Mbase jo gjithmonë mund të bëjmë një jetë tepër të rehatshme, ama falë Jehovait, shumica prej nesh kemi çfarë na nevojitet. Për shembull, ai na siguron ushqim, veshje dhe strehë. (Mat. 6:31-33; 1 Tim. 6:6-8) Mirëpo, a na i jep këto gjëra thjesht i shtyrë nga ndjenja e detyrës? Aspak! Atëherë, çfarë e motivon?
6. Çfarë mësojmë nga Mateu 6:25, 26?
6 Jehovai na i siguron gjërat e nevojshme sepse na do. Le të shqyrtojmë fjalët e Jezuit te Mateu 6:25, 26. (Lexoje.) Këtu ai përdori disa shembuj nga krijimi. Duke folur për zogjtë, Jezui tha: «Ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo.» Mirëpo, vër re si vazhdoi: «Ati juaj qiellor i ushqen.» Pastaj Jezui pyeti: «A nuk vleni ju më shumë se ata?» Cili është mësimi? Jehovai i konsideron adhuruesit e tij ku e ku më të çmuar se kafshët. E nëse ai kujdeset për nevojat e kafshëve, mund të jemi absolutisht të sigurt se do të kujdeset edhe për ne! Ashtu si një baba i kujdesshëm, Jehovai i siguron gjërat e nevojshme familjes së tij i nxitur nga dashuria.—Psal. 145:16; Mat. 6:32.
7. Cila është një mënyrë si e imitojmë bujarinë e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)
7 Dashuria mund të na motivojë edhe ne t’u japim të tjerëve çfarë u nevojitet, njësoj si Jehovai. A njeh ndonjë bashkëbesimtar që ka nevojë për ushqim ose për veshje? Jehovai mund të të përdorë ty për t’ia plotësuar atë nevojë. Bujaria e popullit të Jehovait spikat sidomos në raste katastrofash. Për shembull, gjatë pandemisë së COVID-19, vëllezërit e motrat u dhanë ushqim, veshje dhe gjëra të tjera të domosdoshme atyre që kishin nevojë. Veç kësaj, mjaft të tjerë dhuruan bujarisht pará për veprën mbarëbotërore. Kjo bëri të mundur që të jepej ndihma e nevojshme në raste katastrofash kudo në botë. Këta vëllezër e motra bujarë ndoqën këshillën e Hebrenjve 13:16: «Mos harroni të bëni mirë dhe të ndani me të tjerët atë që keni, sepse Perëndia kënaqet shumë me flijime të tilla.»
8. Çfarë mund të bëjmë falë fuqisë që na jep Jehovai? (Filipianëve 2:13)
8 Jehovai na jep fuqi. Jehovai ka fuqi të pakufishme dhe ndien lumturi kur u jep fuqi edhe shërbëtorëve të tij besnikë. (Lexo Filipianëve 2:13.) A je lutur ndonjëherë për forcë që t’i rezistosh një tundimi ose që të tregosh qëndrueshmëri në një sprovë të rëndë? Mbase je lutur edhe që thjesht të kesh energjinë e mjaftueshme të kryesh aktivitetet e ditës. E kur Jehovai iu përgjigj lutjeve të tua duke të dhënë forcë, mund të jesh ndier njësoj si apostulli Pavël, që shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filip. 4:13.
9. Si mund të jemi bujarë si Jehovai kur përdorim fuqinë tonë? (Shihni edhe figurën.)
9 Ndonëse jemi të papërsosur, mund ta imitojmë Jehovain duke e përdorur me bujari fuqinë tonë. Sigurisht ne s’mund t’u japim të tjerëve fuqi ose energji në kuptimin e mirëfilltë. Ama mund ta përdorim fuqinë tonë në dobi të të tjerëve. Për shembull, mund t’i bëjmë pazarin apo punët e shtëpisë ndonjë vëllai a motre të moshuar ose të sëmurë. Nëse kemi rrethanat e përshtatshme, mund të dalim vullnetarë për të pastruar dhe për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë. Kur e përdorim fuqinë tonë në këtë mënyrë, mund t’u bëjmë goxha të mira vëllezërve e motrave.
10. Si mund ta përdorim fuqinë e fjalëve në dobi të të tjerëve?
10 Mos harro edhe se fjalët kanë fuqi. A të vjen ndër mend dikush që do të inkurajohej nga lavdërimi yt i sinqertë? A njeh dikë që ka nevojë për ngushëllim? Nëse po, pse të mos marrësh iniciativën që t’i tregosh se e ke për zemër? Mund të shkosh ta takosh, ta marrësh në telefon a ndoshta t’i dërgosh një kartolinë, një email ose një mesazh. Mos ki merak nëse të duket sikur s’ia thua shumë për këto gjëra. Pak fjalë zemre mund të jenë fiks ato që i duhen vëllait a motrës të qëndrojë besnik atë ditë ose ta shohë me sy më optimist situatën e vet.—Prov. 12:25; Efes. 4:29.
11. Si e përdor Jehovai mençurinë e vet?
11 Jehovai na jep mençuri. Dishepulli Jakov shkroi: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, t’ia kërkojë pareshtur Perëndisë, e do t’i jepet, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i kritikuar.» (Jak. 1:5) Siç na tregojnë këto fjalë, Jehovai nuk e mban vetëm për vete mençurinë. Përkundrazi, ua jep plot bujari edhe të tjerëve. Veç kësaj, Jakovi tha se kur Jehovai u jep njerëzve mençuri, e bën këtë «pa i kritikuar» ose «pa i qortuar». Ai kurrë nuk na bën të ndihemi keq ngaqë pranojmë se kemi nevojë për drejtimin e tij. Ç’është e vërteta, na nxit ta kërkojmë këtë drejtim.—Prov. 2:1-6.
12. Në cilat raste mund t’u japim të tjerëve nga përvoja që kemi fituar?
12 A mund ta imitojmë edhe ne Jehovain duke ua dhënë të tjerëve mençurinë që kemi? (Psal. 32:8) Shërbëtorët e Jehovait kanë plot raste të japin nga përvoja që kanë fituar. Për shembull, shpesh na jepet mundësia të stërvitim lajmëtarët e rinj në veprën e predikimit. Pleqtë u mësojnë me durim shërbëtorëve të kongregacionit dhe vëllezërve të tjerë të pagëzuar si t’i përmbushin caktimet në kongregacion. Kurse ata që kanë përvojë në ndërtim dhe në mirëmbajtje, stërvitin të tjerë që të punojnë në godina teokratike.
13. Si mund ta imitojmë mënyrën si jep mençuri Jehovai kur stërvitim të tjerët?
13 Nëse po stërvitim të tjerë, bëjmë mirë të imitojmë mënyrën si jep mençuri Jehovai. Të mos harrojmë se Jehovai e jep bujarisht mençurinë e vet. Po njësoj, ne u tregojmë gjithçka që dimë e që kemi mësuar atyre që po stërvitim. Nuk përpiqemi t’i mbajmë ca gjëra për vete nga frika se mos na zënë vendin. Dhe as nuk mendojmë: «Mua s’më stërviti njeri. Le të mësojë edhe ai vetë siç mësova unë!» Në popullin e Jehovait nuk ka vend për një qëndrim të tillë. Në fakt, ne u japim me kënaqësi vëllezërve e motrave që stërvitim jo vetëm gjithë sa dimë, «por edhe vetë shpirtin tonë». (1 Sel. 2:8) Dhe shpresojmë që ata «të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë». (2 Tim. 2:1, 2) Në këtë mënyrë bëhemi një hallkë e një zinxhiri bujarie që sjell si rezultat një zinxhir lumturie.
NËSE TË DUKET SE AJO QË JEP, NUK ÇMOHET
14. Si reagojnë shumica e njerëzve kur jemi bujarë?
14 Kur jemi bujarë, sidomos me vëllezërit e motrat, shpesh na shprehin mirënjohje. Mund të na dërgojnë një mesazh falënderimi ose ta tregojnë vlerësimin në mënyra të tjera. (Kolos. 3:15) Patjetër që kur na falënderojnë, ndihemi edhe më të lumtur.
15. Çfarë duhet të mbajmë ndër mend kur disa nuk na e shprehin mirënjohjen?
15 Mirëpo të jemi realistë, jo të gjithë e shprehin mirënjohjen. Me raste harxhojmë kohë, energji ose pará për të tjerët, ama na duket sikur nuk e vlerësuan fare atë që bëmë. Nëse të ndodh diçka e tillë, si mund ta ruash gëzimin e të mos zhgënjehesh? Kujto fjalët e shkrimit kryesor të artikullit, Veprat 20:35. Lumturia që vjen kur japim, nuk varet nga mënyra si reagojnë të tjerët. Ne mund të zgjedhim të gëzojmë ndërsa u japim të tjerëve, edhe kur duket se ata s’janë mirënjohës. Ç’mund të na ndihmojë? Le të shohim disa sugjerime.
16. Çfarë nuk duhet të harrojmë kur japim?
16 Mos harro se po imiton Jehovain. Ai u bën të mira njerëzve, pavarësisht nëse i çmojnë apo jo. (Mat. 5:43-48) Jehovai na premton se, në qoftë se edhe ne japim ‘duke mos shpresuar të na kthehet gjë, shpërblimi ynë do të jetë i madh’. (Luka 6:35) Fjala «gjë» në këtë varg mund të përfshijë edhe një shprehje mirënjohjeje. Pavarësisht nëse na e shprehin ose jo mirënjohjen, Jehovai na shpërblen përherë kur bëjmë të mira për të tjerët dhe ‘japim me gëzim’.—Prov. 19:17; 2 Kor. 9:7.
17. Si të mbajmë pikëpamjen e duhur kur japim? (Luka 14:12-14)
17 Te Luka 14:12-14 (Lexoje.) gjejmë një parim me vlerë, që na ndihmon të mbajmë pikëpamjen e duhur kur japim. Nuk është gabim të ftojmë për një vakt ose t’u tregojmë bujari në mënyra të tjera atyre që mund të bëjnë të njëjtën gjë për ne. Ama, po nëse kuptojmë se shpesh japim ngaqë presim diçka në këmbim? Në këtë rast mund të zbatojmë sugjerimin e Jezuit. Mund t’i tregojmë mikpritje dikujt që e dimë se s’ka mundësi të na e kthejë mikpritjen. Atëherë do të provojmë lumturi sepse po imitojmë Jehovain. Kjo pikëpamje do të na ndihmojë të ruajmë gëzimin edhe kur të tjerët nuk na e shprehin mirënjohjen.
18. Çfarë do të na ndihmojë t’i tolerojmë vëllezërit e motrat?
18 Mos dysho te motivet e të tjerëve. (1 Kor. 13:7) Nëse dikush nuk na shpreh mirënjohje, mund të pyesim veten: «A është vërtet mosmirënjohës apo thjesht ka harruar të më falënderojë?» Mbase ka arsye të tjera pse dikush nuk na ka treguar mirënjohjen që prisnim. Ndoshta ndihet tejet mirënjohës, por e ka të vështirë ta shprehë. Ose mbase i vjen zor ta ndihmojnë, sidomos nëse në të kaluarën i ka ndihmuar ai të tjerët. Sido që të jetë, dashuria e krishterë do të na nxitë t’i tolerojmë vëllezërit e motrat dhe të vazhdojmë të gjejmë gëzim ndërsa japim.—Efes. 4:2.
19-20. Pse ia vlen të jemi të duruar kur u japim të tjerëve? (Shihni edhe figurën.)
19 Ji i duruar. Mbreti i mençur Solomon tha në lidhje me bujarinë: «Hidhe bukën tënde në valët e ujit, sepse pas shumë ditëve do ta gjesh përsëri.» (Ekl. 11:1) Siç e tregojnë këto fjalë, disa mund ta shprehin «pas shumë ditëve» mirënjohjen për bujarinë që u kemi treguar. Le të shohim një rast që nxjerr në pah sa e vërtetë është kjo.
20 Vite më parë, gruaja e një mbikëqyrësi qarkor i dërgoi një kartolinë të përzemërt një motre të sapopagëzuar, ku e nxiste të qëndronte besnike. Pas 8 vjetësh, motra i dërgon një letër në të cilën shkruante: «E ndieja se duhej të të shkruaja për të treguar sa shumë më ke ndihmuar gjithë këto vite edhe pse ti nuk e di.» Ajo vazhdonte: «[Kartolina jote] ishte mjaft e ngrohtë dhe shkrimi që kishe vendosur më preku thellë në zemër; nuk e kam harruar sot e kësaj dite.» a Pasi i shpjegonte disa nga sfidat që kishte hasur, motra thoshte: «Kishte raste kur doja të hiqja dorë nga gjithçka: nga e vërteta, nga përgjegjësitë—të lija gjithçka. Por ai shkrim më therte në zemër . . . dhe nuk dorëzohesha.» Ajo shtonte: «Në këto 8 vjet, asgjë s’ka ndikuar më fuqishëm në jetën time se kartolina jote dhe ai shkrim.» Vetëm imagjino sa e lumtur duhet të jetë ndier gruaja e mbikëqyrësit që mori këtë letër «pas shumë ditëve»! Edhe neve mund të na e shprehin mirënjohjen shumë kohë pasi kemi bërë diçka të mirë.
21. Pse jemi të vendosur të imitojmë bujarinë e Jehovait?
21 Siç u përmend në fillim të artikullit, Jehovai na ka krijuar me një aftësi speciale. Edhe pse provojmë lumturi kur marrim, ndihemi edhe më të lumtur kur u japim të tjerëve. Ndihemi mirë kur u vijmë në ndihmë vëllezërve e motrave. Dhe na gëzon zemra kur na e shprehin mirënjohjen. Gjithsesi, na e shprehin ose jo vlerësimin, mund të jemi të kënaqur ngaqë bëmë gjënë e duhur. Të mos harrojmë asnjëherë se pavarësisht nga sa japim, ‘Jehovai mund të na japë shumë më tepër’. (2 Kron. 25:9) Thjesht s’mund t’ia kalojmë Jehovait për nga bujaria! S’ka kënaqësi më të madhe se të na shpërblejë vetë Jehovai! Ndaj, le të jemi të vendosur të vazhdojmë të jemi bujarë si Ati ynë qiellor.
KËNGA 17 «Po, dua!»
a Shkrimi që gruaja e mbikëqyrësit i shkroi motrës ishte 2 Gjonit 8, që thotë: «Hapni sytë që të mos ju ikë nga duart fryti i punës sonë, por që të merrni një shpërblim të plotë.»
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në këtë inskenim, gruaja e një mbikëqyrësi qarkor i shkruan një kartolinë inkurajuese një motre. Vite më vonë, ajo merr një letër falënderimi.
KULLA E ROJËS—BOTIMI PËR STUDIM