ARTIKULLI I STUDIMIT 16
KËNGA 64 Bashkëpunojmë me gëzim në korrje
Si të kemi më shumë gëzim në shërbim
«Shërbejini Jehovait me gëzim!»—PSAL. 100:2.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shohim çfarë mund të na ndihmojë të provojmë më shumë gëzim në shërbim.
1. Si ndihen disa kur duhet të flasin me të tjerët në shërbim? (Shihni edhe figurën.)
SI POPULLI i Jehovait, predikojmë ngaqë e duam Atin tonë qiellor dhe dëshirojmë t’i ndihmojmë njerëzit që ta njohin. Shumë lajmëtarë e shijojnë shërbimin. Kurse të tjerë e kanë të vështirë të gjejnë gëzim në këtë vepër. Pse? Disa mund të jenë goxha të ndrojtur dhe ndihen të pasigurt. Të tjerë kanë siklet të shkojnë në shtëpitë e njerëzve pa qenë të ftuar. Disa të tjerë mund të kenë frikë se mos njerëzit nuk duan t’i dëgjojnë. E disave u është mësuar qysh në fëmijëri t’i shmangin debatet. Edhe pse e duan pa masë Jehovain, këtyre vëllezërve e motrave u duket sfidë t’u flasin të panjohurve për lajmin e mirë. Prapëseprapë, e kuptojnë sa e rëndësishme është kjo dhe dalin rregullisht në shërbim. Pa dyshim që ata ia bëjnë zemrën mal Jehovait!
2. Pse nuk duhet të shkurajohesh nëse e ke të vështirë të gjesh gëzim në shërbim?
2 A e ke të vështirë ndonjëherë të gjesh gëzim në shërbim për shkak të ndjenjave të tilla? Nëse po, mos u shkurajo. Pasiguria mund të tregojë se je i përulur dhe se nuk dëshiron ta tërheqësh vëmendjen te vetja ose të debatosh me njerëzit. Gjithashtu, askush nuk dëshiron t’i mërzitë të tjerët, sidomos kur po përpiqet t’i ndihmojë. Ati yt qiellor e di mirë me çfarë ndjenjash lufton dhe dëshiron të të japë ndihmën e nevojshme. (Isa. 41:13) Në këtë artikull do të shohim pesë sugjerime se si të fitojmë mbi ndjenja të tilla dhe të kemi më shumë gëzim në shërbim.
MERR FORCË NGA FJALA E PERËNDISË
3. Çfarë e ndihmoi profetin Jeremia t’u predikonte të tjerëve?
3 Ndër shekuj, mesazhi nga Perëndia u ka dhënë forcë shërbëtorëve të tij kur duhej të kryenin caktime të vështira. Të marrim shembullin e profetit Jeremia. Kur Jehovai i dha caktimin që të predikonte, Jereminë e pushtoi ankthi dhe tha: «Jam veçse një djalosh e nuk di të flas.» (Jer. 1:6) Si e mposhti pasigurinë? Jeremia mori forcë nga fjala e Perëndisë. Ai u shpreh: «Fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr përvëlues, i mbyllur në kockat e mia. U lodha duke ndenjur në heshtje.» (Jer. 20:8, 9) Ndonëse kishte një territor të vështirë, mesazhi që ishte caktuar të shpallte, i dha forcën e nevojshme që ta kryente misionin e tij.
4. Çfarë ndodh kur e lexojmë dhe e bluajmë në mendje Fjalën e Perëndisë? (Kolosianëve 1:9, 10)
4 Shërbëtorët e Perëndisë marrin forcë nga fjalët e tij që gjenden në Bibël. Kur i shkroi kongregacionit në Kolose, apostulli Pavël tha se njohuria e saktë do t’i motivonte ‘të ecnin denjësisht për Jehovain’ ndërsa vazhdonin ‘të jepnin fryt në çdo vepër të mirë’. (Lexo Kolosianëve 1:9, 10.) Një nga këto vepra të mira është predikimi i lajmit të mirë. Pra, kur e lexojmë dhe e bluajmë në mendje Fjalën e Perëndisë, na forcohet besimi tek ai dhe e kemi më të qartë pse është kaq e rëndësishme të përhapim mesazhin për Mbretërinë.
5. Si mund të nxjerrim sa më shumë dobi nga leximi dhe studimi i Biblës?
5 Që të nxjerrësh sa më shumë dobi nga Fjala e Perëndisë, nuk duhet të ngutesh ndërsa e lexon, e studion dhe mediton për të. Merre shtruar. Nëse lexon një shkrim që nuk e kupton, mos e anashkalo. Në vend të kësaj, përpiqu të gjesh ndonjë shpjegim për atë varg duke përdorur Treguesin e botimeve Watch Tower ose Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Nëse i kushton kohën e nevojshme studimit, do ta forcosh sigurinë se ajo që thotë Bibla është e vërtetë. (1 Sel. 5:21) E sa më i sigurt të jesh, aq më shumë kënaqësi do të ndiesh ndërsa ua tregon të tjerëve gjërat që ke mësuar.
PËRGATITU MIRË PËR SHËRBIMIN
6. Pse duhet të përgatitemi mirë për shërbimin?
6 Po të përgatitesh mirë për shërbimin, do të ndihesh më rehat kur flet me të tjerët. Para se t’i dërgonte dishepujt në predikim, Jezui i ndihmoi të përgatiteshin. (Luka 10:1-11) Ngaqë i zbatuan ato që u mësoi Jezui, arritën të bënin shumë gjëra të mira e kjo i mbushi me gëzim.—Luka 10:17.
7. Si mund të përgatitemi për shërbimin? (Shihni edhe figurën.)
7 Si të përgatitemi për shërbimin? Duhet të mendojmë se çfarë do të themi dhe si ta shprehim të vërtetën në një mënyrë tërheqëse e me fjalët tona. Është e dobishme edhe të mendojmë për dy-tre reagime të zakonshme në territorin tonë dhe si do të përgjigjemi në secilin rast. Pastaj kur të flasim me njerëzit, të përpiqemi të relaksohemi, të buzëqeshim e të jemi miqësorë.
8. Në ç’kuptim jemi si enët prej balte që përmendi apostulli Pavël në ilustrim?
8 Apostulli Pavël bëri këtë ilustrim për rolin tonë në veprën e predikimit: «Ne e kemi këtë thesar në enë balte.» (2 Kor. 4:7) Çfarë është ky thesar? Është vepra jetëshpëtuese e predikimit për Mbretërinë. (2 Kor. 4:1) Çfarë janë enët prej balte? Ato paraqesin shërbëtorët e Perëndisë që ua çojnë lajmin e mirë të tjerëve. Në kohën e Pavlit, tregtarët përdornin enë argjile për të transportuar mallra me vlerë, si ushqime, verë dhe pará. Po njësoj, Jehovai na ka besuar një mesazh të çmuar, lajmin e mirë. Falë mbështetjes së tij, mund të kemi forcën e nevojshme që ta përhapim me besnikëri këtë lajm.
LUTU PËR GUXIM
9. Si mund ta mposhtim frikën nga njeriu? (Shihni edhe figurën.)
9 Hera-herës mund të luftojmë me frikën nga njeriu ose me frikën se mos nuk duan të na dëgjojnë. Si ta përballojmë këtë sfidë? Të mendojmë për lutjen e apostujve kur i urdhëruan të mos predikonin më. Ata nuk lejuan t’i paralizonte frika, por iu lutën Jehovait që t’i ndihmonte ‘ta thoshin fjalën e tij plot guxim’. E Jehovai iu përgjigj në çast lutjes së tyre. (Vep. 4:18, 29, 31) Nëse ndonjëherë frika nga njeriu na step të predikojmë, edhe ne duhet t’i kërkojmë ndihmë Atit tonë. Lutju Jehovait që t’i duash më shumë njerëzit, sepse kjo dashuri mund të triumfojë mbi frikën nga njeriu.
10. Si na ndihmon Jehovai ta kryejmë caktimin si Dëshmitarë të tij? (Isaia 43:10-12)
10 Jehovai na ka caktuar të jemi Dëshmitarët e tij dhe premton se do të na ndihmojë të jemi të guximshëm. (Lexo Isainë 43:10-12.) Të kujtojmë vetëm katër nga mënyrat si e bën këtë. Së pari, Jezui është me ne kudo që predikojmë lajmin e mirë. (Mat. 28:18-20) Së dyti, Jehovai ka caktuar engjëj për të na ndihmuar. (Zbul. 14:6) Së treti, Jehovai na jep frymën e tij të shenjtë si ndihmës për të na kujtuar gjërat që kemi mësuar. (Gjoni 14:25, 26) Së katërti, Jehovai na ka dhënë vëllezër e motra që i kemi në krah. Me mbështetjen e Jehovait dhe me përkrahjen e vëllazërisë sonë të dashur, kemi gjithçka që na duhet për t’ia dalë mbanë.
JI ELASTIK DHE KI NJË QËNDRIM POZITIV
11. Si mund të gjesh më shumë njerëz në shërbim? (Shihni edhe figurën.)
11 A shkurajohesh kur gjen pak njerëz në shtëpi? Pse të mos pyesësh veten: «Ku mund të jenë tani njerëzit e territorit tim?» (Vep. 16:13) «Mos ndoshta janë në punë ose në pazar?» Nëse është kështu, a mund të gjesh më shumë njerëz duke dhënë dëshmi në rrugë? Një vëlla që quhet Xhoshua, thotë: «Kam pasur mundësi të jap dëshmi duke shkuar në tregje dhe në vendparkime publike.» Veç kësaj, ai dhe gruaja e tij Brixhita takojnë më shumë njerëz në shtëpi kur predikojnë në orët e para të mbrëmjes dhe të dielave pasdite.—Efes. 5:15, 16.
12. Si mund ta zbulojmë çfarë besojnë njerëzit ose çfarë i shqetëson?
12 Nëse dikush nuk tregon interes për mesazhin, përpiqu të kuptosh se çfarë beson ose çfarë e shqetëson. Xhoshua dhe Brixhita i hapin bisedat me pyetjen që gjendet në faqen e parë të një fletushke. Për shembull, kur përdorin fletushkën A mund t’i besosh Biblës? thonë: «Disa mendojnë se Bibla është një libër nga Perëndia, kurse të tjerë jo. Po ju, si mendoni?» Kjo shpesh hap rrugën për një bisedë.
13. Pse shërbimi ynë është i suksesshëm edhe kur njerëzit nuk na dëgjojnë? (Proverbat 27:11)
13 Shërbimi ynë është i suksesshëm pavarësisht nga rezultatet që kemi. Pse? Sepse po bëjmë atë që duan nga ne Jehovai dhe Biri i tij—po japim dëshmi. (Vep. 10:42) Edhe kur nuk gjejmë njeri në shërbim ose kur njerëzit nuk e pranojnë mesazhin tonë, prapë mund të gëzojmë sepse e dimë që po ia bëjmë zemrën mal Atit tonë qiellor.—Lexo Proverbat 27:11.
14. Pse mund të gëzojmë kur një lajmëtar tjetër gjen një të interesuar në territor?
14 Mund të gëzojmë edhe kur një lajmëtar tjetër gjen një të interesuar në territor. Kulla e Rojës e krahasonte veprën tonë me kërkimin e një fëmije që ka humbur. Shumë veta shkojnë nga një vend në tjetrin për ta gjetur fëmijën. E kur e gjejnë, gëzojnë të gjithë, jo vetëm ai që e gjeti. Po njësoj, vepra e bërjes së dishepujve është punë skuadre. Nevojiten të gjithë lajmëtarët për t’u dëshmuar njerëzve në territor, ndaj të gjithë gëzojnë kur një i interesuar fillon të ndjekë mbledhjet.
PËRQENDROHU TE DASHURIA PËR JEHOVAIN DHE PËR NJERËZIT
15. Si mund të na ndihmojë zbatimi i Mateut 22:37-39 të jemi më entuziastë për shërbimin? (Shihni edhe figurën.)
15 Mund ta shtojmë entuziazmin për veprën e predikimit duke u përqendruar te dashuria për Jehovain dhe për njerëzit. (Lexo Mateun 22:37-39.) Përfytyro sa i lumtur ndihet Jehovai kur na sheh teksa bëjmë këtë vepër! Gjithashtu imagjino sa të lumtur do të ndihen ata që do të studiojnë Biblën. Mbaj ndër mend edhe se kush e përqafon të vërtetën, do të ketë mundësinë të jetojë përgjithmonë.—Gjoni 6:40; 1 Tim. 4:16.
16. Si mund të gjejmë gëzim në shërbim kur e kemi të pamundur të dalim nga shtëpia? Jepni shembuj.
16 A ke ndonjë rrethanë që ta bën të pamundur të dalësh nga shtëpia? Nëse po, përqendrohu tek ajo që mund të bësh për të treguar se i do Jehovain dhe njerëzit. Gjatë pandemisë së COVID-19, Samueli dhe e shoqja, Dania, ishin të izoluar në shtëpi. Në atë periudhë të vështirë, ata jepnin rregullisht dëshmi me telefon, shkruanin letra dhe drejtonin studime me anë të Zoom-it. Samueli u jepte dëshmi atyre që takonte në klinikën ku po trajtohej për kancer. Ai thotë: «Vështirësitë mund të na sfilitin mendërisht e fizikisht dhe mund të na e sprovojnë qëndrueshmërinë. Kemi nevojë të gjejmë gëzim në shërbim të Jehovait.» Sikur të mos mjaftonin gjithë vështirësitë që po hiqnin, Dania u rrëzua dhe iu desh të rrinte 3 muaj në krevat. Pastaj, për 6 muaj ishte në karrige me rrota. Ajo thotë: «U përpoqa të bëja më të mirën në rrethanat e mia. Pata mundësi t’i jepja dëshmi një infermiereje që vinte të më ndihmonte, si edhe atyre që na sillnin në shtëpi gjërat që blinim. Gjithashtu bëja biseda të bukura në telefon me përfaqësuesen e një kompanie mjekësore.» Ndonëse rrethanat i kufizonin, Samueli dhe Dania bënin atë që mundeshin, dhe kjo i mbushte me gëzim.
17. Si mund të përfitosh sa më shumë nga sugjerimet e këtij artikulli?
17 Sugjerimet e këtij artikulli bëjnë më shumë punë kur përdoren së bashku. Çdo sugjerim është si një përbërës në një recetë. Kur bashkohen të gjithë përbërësit, del diçka e shijshme. Po njësoj, duke i zbatuar të gjitha sugjerimet, do ta kemi më të lehtë të fitojmë mbi ndjenjat negative dhe do të gjejmë më shumë gëzim në shërbim.
PSE DO TË KESH MË SHUMË GËZIM NË SHËRBIM NËSE . . .
-
lë kohë që të përgatitesh mirë?
-
lutesh për guxim?
-
përqendrohesh te dashuria për Jehovain dhe për njerëzit?
KËNGA 80 ‘Shijojeni vetë sa i mirë është Jehovai’
KULLA E ROJËS—BOTIMI PËR STUDIM