ARTIKULLI I STUDIMIT 14
KËNGA 56 E jetoj çdo ditë të vërtetën
‘Sulu drejt pjekurisë’
«Le të sulemi drejt pjekurisë.»—HEBR. 6:1.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shohim si të përparojmë drejt pjekurisë, pra të mendojmë e të sillemi siç i pëlqen Perëndisë dhe të marrim vendime të mençura.
1. Çfarë pret Jehovai nga ne?
LINDJA e fëmijës është një nga gëzimet më të mëdha në jetën e një çifti të martuar. Por, me gjithë dashurinë e madhe për vogëlushin e tyre, prindërit nuk duan që ai të mbetet foshnjë. Në fakt do të shqetësoheshin shumë sikur fëmija i tyre të mos rritej. Po njësoj, Jehovai ndihet i lumtur kur hedhim hapat e parë si dishepuj të Krishtit, ama nuk do që të mbetemi foshnja në të vërtetën. (1 Kor. 3:1) Përkundrazi, pret të jemi «tërësisht të rritur».—1 Kor. 14:20.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Ç’do të thotë të jemi tërësisht të rritur ose të pjekur? Si mund të përparojmë drejt pjekurisë? Si ndikon te rritja jonë ushqimi i fortë? Dhe pse duhet të ruhemi nga gracka e vetëbesimit? Në këtë artikull do të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Ç’DO TË THOTË TË JESH I KRISHTERË I PJEKUR?
3. Ç’do të thotë të bëhemi të krishterë tërësisht të rritur?
3 Në Bibël, fjala greke e përkthyer «tërësisht i rritur» mbart edhe kuptimin «i pjekur», «i përsosur» dhe «i plotë». a (1 Kor. 2:6) Bëhemi të krishterë tërësisht të rritur, ose të pjekur, kur nuk mbetemi foshnja në të vërtetën, por bëhemi njerëz që drejtohen nga fryma. Natyrisht, edhe pas kësaj duhet të vazhdojmë të përparojmë dita-ditës. (1 Tim. 4:15) Të gjithë ne mund të jemi të krishterë të pjekur, edhe të rinjtë në moshë. Por, si ta dallojmë nëse kemi përparuar drejt pjekurisë?
4. Cilat janë karakteristikat e një të krishteri të pjekur?
4 Një i krishterë i pjekur jeton sipas të gjitha kërkesave të Perëndisë dhe nuk zgjedh t’u bindet vetëm atyre që i shkojnë për shtat. Natyrisht, si njeri i papërsosur bën edhe gabime. Megjithatë, në jetën e përditshme bën çmos të mendojë e të sillet ashtu siç i pëlqen Perëndisë. Ai ka veshur personalitetin e ri dhe përpiqet të pasqyrojë gjithnjë e më shumë mënyrën si mendon Jehovai. (Efes. 4:22-24) Është stërvitur të marrë vendime të mençura që bazohen te ligjet dhe parimet e Jehovait. Ja pse nuk ka nevojë për një listë të pafund me rregulla që të dijë si të veprojë. E kur merr një vendim, ka vetëdisiplinën e duhur për të vepruar sipas tij.—1 Kor. 9:26, 27.
5. Në cilat gracka mund të bjerë një i krishterë i papjekur? (Efesianëve 4:14, 15)
5 Kurse një i krishterë që mbetet i papjekur mund të gënjehet kollaj nga «dredhitë» dhe ‘mashtrimet që sajojnë’ njerëzit; mund t’u zërë besë atyre që përhapin teori konspirative ose apostatëve. b (Lexo Efesianëve 4:14, 15.) Ai mund të ketë prirjen të jetë xheloz, të krijojë konflikte me të tjerët, të fyhet shpejt ose të dorëzohet para tundimeve.—1 Kor. 3:3.
6. Cili shembull e ilustron bukur rritjen drejt pjekurisë? (Shihni edhe figurën.)
6 Siç u përmend më sipër, Shkrimet e krahasojnë rritjen drejt pjekurisë me rritjen e një fëmije. Një fëmijë nuk ka gjykim të thellë, prandaj ka nevojë për mbrojtje dhe drejtim nga një i rritur. Ta ilustrojmë: një nënë mund t’i kërkojë vajzës së vogël të mos ia lëshojë dorën kur kalojnë rrugën. Ndërsa vajza rritet, e ëma mund ta lërë ta kalojë rrugën vetë, por prapë i kujton të shohë nga të dyja anët se mos ka makina. Pastaj, në moshë të rritur, vajza i shmang vetë rreziqe të tilla. Ashtu si fëmijëve u duhet ndihmë nga të rriturit për të shmangur rreziqet, edhe të krishterët e papjekur shpesh kanë nevojë për ndihmë nga të krishterët e pjekur që të shmangin çdo gjë që u rrezikon marrëdhënien me Jehovain e të marrin vendime të mençura. Krejt ndryshe, para se të marrin një vendim, të krishterët e pjekur arsyetojnë për parimet e Biblës që të kuptojnë ç’mendon Jehovai. Pastaj veprojnë në harmoni me këtë.
7. A ka nevojë për ndihmë nga të tjerët një i krishterë i pjekur?
7 A do të thotë kjo se të krishterët e pjekur nuk kanë nevojë kurrë për ndihmë? Jo. Edhe ata kanë nevojë të kërkojnë ndihmë hera-herës. Por dikush që është i papjekur shpesh pret që të tjerët t’i thonë ç’të bëjë ose të marrin një vendim që duhet ta marrë ai vetë. Ndryshe nga kjo, një i krishterë i pjekur kërkon ndihmën e atyre që kanë më shumë mençuri dhe përvojë, pa harruar se Jehovai pret nga ai «të mbajë ngarkesën e vet».—Gal. 6:5.
8. Në cilat mënyra ndryshojnë nga njëri-tjetri të krishterët e pjekur?
8 Ashtu si të rriturit kanë pamje të ndryshme, edhe të krishterët e pjekur shkëlqejnë në cilësi të ndryshme, si mençuria, guximi, bujaria ose empatia. Veç kësaj, kur ndodhen në një situatë të ngjashme, dy të krishterë të pjekur mund të arrijnë në përfundime të ndryshme, por që të dyja në harmoni me Shkrimet. Ndodh kështu sidomos kur marrin një vendim në bazë të ndërgjegjes. Ja pse nuk e gjykojnë njëri-tjetrin nëse vendimet që marrin janë të ndryshme. Përkundrazi, meraku i tyre kryesor është të ruajnë unitetin.—Rom. 14:10; 1 Kor. 1:10.
SI MUND TË PËRPAROSH DREJT PJEKURISË?
9. A rritemi vetvetiu drejt pjekurisë? Shpjegoni.
9 Rritja fizike ndodh natyrshëm me kalimin e kohës, por askush nuk rritet vetvetiu drejt pjekurisë së krishterë. Për shembull, vëllezërit e motrat në Korint e pranuan lajmin e mirë, u pagëzuan, morën frymën e shenjtë dhe përfituan shumë nga ato që u mësoi apostulli Pavël. (Vep. 18:8-11) Prapëseprapë, disa vjet pas pagëzimit, shumë prej tyre ishin akoma të papjekur. (1 Kor. 3:2) Ç’mund të bëjmë që të mos plogështohemi si ata, por të rritemi drejt pjekurisë?
10. Ç’duhet të bëjmë që të përparojmë drejt pjekurisë? (Juda 20)
10 Ç’duhet të bëjmë që të përparojmë drejt pjekurisë? Në radhë të parë duhet të kemi dëshirë të bëhemi të pjekur. Ata që ‘e duan mungesën e përvojës’, që preferojnë të mbeten foshnja në të vërtetën, nuk do të përparojnë kurrë. (Prov. 1:22) Nuk duam të jemi si dikush që është i rritur, por mbetet i varur nga prindërit që të marrin vendime për të. Përkundrazi, duam ta mbajmë vetë përgjegjësinë për ta thelluar marrëdhënien tonë me Jehovain. (Lexo Judën 20.) Nëse të duhet të përpiqesh akoma për t’u rritur në pjekuri, lutju Jehovait të të japë ‘si dëshirën, edhe fuqinë që të veprosh’.—Filip. 2:13.
11. Çfarë ndihme na ka dhënë Jehovai që të përparojmë drejt pjekurisë? (Efesianëve 4:11-13)
11 Jehovai nuk pret të përparojmë vetë drejt pjekurisë. Ata që shërbejnë si barinj e mësues në kongregacion janë të përgatitur të na ndihmojnë të bëhemi «tërësisht i rritur», pra të kemi një marrëdhënie të fortë me Jehovain, dhe «të arrijmë shtatin e plotë të Krishtit». (Lexo Efesianëve 4:11-13.) Jehovai na jep edhe frymën e tij të shenjtë për të na ndihmuar të kemi «mendjen e Krishtit». (1 Kor. 2:14-16) Veç kësaj, Perëndia frymëzoi katër ungjijtë për të na treguar si mendonte, si fliste e si vepronte Jezui gjatë shërbimit në tokë. Duke imituar mënyrën si mendonte e si vepronte Jezui, mund ta arrish synimin për t’u bërë i krishterë i pjekur.
ROLI I USHQIMIT TË FORTË
12. Çfarë është ‘doktrina fillestare për Krishtin’?
12 Që të përparojmë drejt pjekurisë, duhet edhe të lëmë prapa «doktrinën fillestare për Krishtin», domethënë mësimet themelore të krishtere. Te këto mësime themelore përfshihen pendimi, besimi te Perëndia, pagëzimi dhe ringjallja. (Hebr. 6:1, 2) Mësime të tilla janë themeli i besimit të krishterë. Ja pse apostulli Pjetër foli për to kur i predikoi një turme njerëzish gjatë Festës së Ditës së Pesëdhjetë. (Vep. 2:32-35, 38) Për t’u bërë dishepuj të Krishtit, duhet t’i pranojmë këto mësime elementare. Pavli paralajmëroi, për shembull, se kush nuk beson te ringjallja, hedh poshtë gjithë mësimet e krishtere. (1 Kor. 15:12-14) Gjithsesi nuk duhet të mjaftohemi me njohurinë bazë për të vërtetën.
13. Ç’duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga ushqimi i fortë i përmendur te Hebrenjve 5:14? (Shihni edhe figurën.)
13 Ndryshe nga doktrina fillestare, ushqimi i fortë përfshin jo vetëm ligjet, por edhe parimet e Jehovait që na ndihmojnë të kuptojmë si mendon ai. Për të nxjerrë dobi nga ky ushqim, duhet të studiojmë Fjalën e Perëndisë, ta bluajmë në mendje dhe të bëjmë çmos ta zbatojmë. Kështu do të stërvitemi të marrim vendime që e kënaqin Jehovain. c—Lexo Hebrenjve 5:14.
14. Si i ndihmoi Pavli korintasit të përparonin drejt pjekurisë?
14 Të krishterët e papjekur shpesh e kanë të vështirë të marrin vendimin e duhur në situata ku u duhet të arsyetojnë dhe të zbatojnë parimet e Biblës. Nëse nuk ka ndonjë ligj nga Bibla, disa mendojnë se janë të lirë të bëjnë ç’të duan. Të tjerë kërkojnë një rregull edhe atëherë kur s’ka nevojë për rregulla. Për shembull, duket se të krishterët në Korint i kërkuan Pavlit një rregull nëse mund t’i hanin ushqimet e flijuara idhujve. Në vend që t’u thoshte ç’të bënin, Pavli theksoi se në çështje të tilla përfshihej ndërgjegjja dhe se gjithkush kishte ‘të drejtën të zgjidhte’. Ai arsyetoi rreth parimeve që do t’i ndihmonin ta kishin ndërgjegjen të qetë e njëkohësisht të mos bëheshin pengesë për të tjerët. (1 Kor. 8:4, 7-9) Pra, Pavli i mësoi korintasit të vinin në punë aftësinë e tyre dalluese dhe të mos vareshin nga dikush tjetër ose thjesht të kërkonin rregulla. Kështu i ndihmoi të bëheshin të pjekur.
15. Si i ndihmoi Pavli të krishterët hebrenj që të përparonin?
15 Nxjerrim një mësim me vlerë nga ajo që u shkroi Pavli të krishterëve hebrenj. Disa prej tyre kishin ngelur në vend-numëro në marrëdhënien me Jehovain. Ata ‘kërkonin prapë qumësht e jo ushqim të fortë’ nga Shkrimet. (Hebr. 5:12) Nuk kishin ecur në një hap me të vërtetat që po u zbulonte dalëngadalë Jehovai nëpërmjet kongregacionit. (Prov. 4:18) Për shembull, mjaft të krishterë judenj përkrahnin ende Ligjin e Moisiut, ndonëse bëheshin gati 30 vjet që flijimi i Krishtit e kishte shfuqizuar atë Ligj. (Rom. 10:4; Titit 1:10) Sigurisht që 30 vjet ishin një periudhë më se e mjaftueshme për të ndrequr mënyrën si mendonin! Kushdo që ka lexuar letrën e frymëzuar që u shkroi Pavli hebrenjve, e di mirë se ajo përmban ushqim të fortë. Tamam kjo u duhej për të forcuar besimin se mënyra e adhurimit si të krishterë qëndronte shumë më lart se mënyra e adhurimit në judaizëm. Letra e Pavlit u dha edhe guximin që të vazhdonin të predikonin me gjithë kundërshtimin nga judenjtë.—Hebr. 10:19-23.
SHMANG GRACKËN E VETËBESIMIT
16. Përveçse të bëhemi të krishterë të pjekur, çfarë kërkohet tjetër?
16 Duhet të punojmë fort që jo vetëm të bëhemi të pjekur, por edhe të mbetemi të tillë. Kjo kërkon të ruhemi nga gracka e besimit të tepruar te vetja. (1 Kor. 10:12) Kemi nevojë ‘të vazhdojmë ta vëmë në provë veten’ për t’u siguruar se po vazhdojmë të përparojmë.—2 Kor. 13:5.
17. Si e thekson letra që u shkroi Pavli kolosianëve se duhet të përpiqemi të mbetemi të pjekur?
17 Në letrën që u shkroi kolosianëve, Pavli thekson sërish se duhet të përpiqemi të mbetemi të pjekur. Ndonëse kolosianët ishin bërë të krishterë tërësisht të rritur, Pavli i paralajmëroi të hapnin sytë se mos mashtroheshin nga mënyra si mendonin njerëzit e botës. (Kolos. 2:6-10) Edhe Epafrai, që me sa duket i njihte mirë pjesëtarët e kongregacionit, lutej pareshtur që ‘në fund të qëndronin të plotë’ ose të vazhdonin të ishin njerëz të pjekur. (Kolos. 4:12) Mësimi? Pavli dhe Epafrai e kuptonin se për të mbetur të krishterë të pjekur nevojitet jo vetëm ndihma e Perëndisë, por edhe përpjekje personale. Ata donin që kolosianët të vazhdonin të ishin të krishterë të pjekur, tërësisht të rritur, me gjithë sfidat që hasnin.
18. Çfarë mund të ndodhë me një të krishterë të pjekur? (Shihni edhe figurën.)
18 Pavli i paralajmëroi hebrenjtë se një i krishterë i pjekur mund ta humbë përgjithmonë miratimin e Perëndisë po të mos bëjë kujdes. Zemra e tij mund të ngurtësohet aq shumë sa të jetë e pamundur të pendohet, e si rrjedhim Perëndia nuk do ta falë. Sa mirë që të krishterët hebrenj nuk kishin shkuar gjer në atë pikë! (Hebr. 6:4-9) Po ç’të themi për ata që bëhen joaktivë ose që përjashtohen, por më vonë pendohen? Kur pendohen me përulësi, tregojnë se nuk janë si ata që përshkroi Pavli, pra nuk rrezikojnë ta humbin përgjithmonë miratimin e Perëndisë. Gjithsesi, kur kthehen te Jehovai, kanë nevojë për ndihmën që siguron ai. (Ezek. 34:15, 16) Pleqtë mund të marrin masa që një Dëshmitar i pjekur t’i ndihmojë ta rimëkëmbin marrëdhënien me Jehovain.
19. Cilin synim duhet të kemi?
19 Nëse po sulesh drejt pjekurisë, mund ta arrish këtë synim! Vazhdo të marrësh ushqim të fortë dhe të përpiqesh të mendosh gjithnjë e më shumë si Jehovai. E nëse je një i krishterë i pjekur, puno me të gjitha forcat që të mbetesh tërësisht i rritur.
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
-
Ç’do të thotë të jemi të krishterë të pjekur?
-
Si mund të përparojmë drejt pjekurisë?
-
Pse duhet të ruhemi nga gracka e vetëbesimit?
KËNGA 65 Përparo!
a Ndonëse në Shkrimet Hebraike nuk përdoren fjalët «i pjekur» dhe «i papjekur», atje gjejmë idenë që mbartin këta terma. Për shembull, libri i Proverbave bën kontrastin mes dikujt që është i ri e i papërvojë dhe dikujt që është i mençur e me mend.—Prov. 1:4, 5.
b Te seria «Tema të tjera» në jw.org dhe në JW Library®, shih «Ruhu nga informacionet e rreme».
c Shih në këtë numër rubrikën «Projekt studimi».
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla zbaton parimet që ka mësuar nga Fjala e Perëndisë kur zgjedh zbavitjen.
KULLA E ROJËS—BOTIMI PËR STUDIM