ARTIKULLI I STUDIMIT 8

«Ruani gjykimin! Jini syçelë!»

«Ruani gjykimin! Jini syçelë!»

«Ruani gjykimin! Jini syçelë!»—1 PJET. 5:8.

KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!

PËRMBLEDHJE a

1. Çfarë u tha Jezui dishepujve të tij për kohën kur do të vinte fundi, dhe çfarë paralajmërimi u dha?

 PAK ditë para se Jezui të vdiste, katër nga dishepujt e tij e pyetën: «Cila do të jetë shenja . . . e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3) Ka shumë mundësi që ata dishepuj vritnin mendjen si do ta dallonin se sistemit judaik po i vinte fundi. Në përgjigjen që dha, Jezui foli jo vetëm për fundin e sistemit judaik, por edhe për ‘përfundimin e sistemit’ të sotëm. Ndërsa për kohën kur do të vinte fundi, Jezui tha: «Ditën ose orën askush s’e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.» Pastaj i paralajmëroi të gjithë dishepujt e tij ‘të rrinin zgjuar’ dhe ‘të qëndronin vigjilentë’.—Mar. 13:32-37.

2. Pse ishte jetësore që të krishterët në shekullin e parë të rrinin syçelë?

2 Të krishterët në Jude në shekullin e parë duhej të qëndronin vigjilentë, të rrinin syçelë, pasi nga kjo varej jeta e tyre. Jezui u tregoi dishepujve si ta dallonin se sistemit judaik po i vinte fundi. Ai u tha: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë që kanë ngritur kampin përreth, dijeni se shkretimi i tij është afruar.» Në atë moment, ata duhej t’i kushtonin vëmendje paralajmërimit të Jezuit e ‘të iknin me të shpejtë në male’. (Luka 21:20, 21) Kush ia vuri veshin paralajmërimit, i mbijetoi shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Sot po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig. Prandaj edhe ne duhet të ruajmë gjykimin e të jemi syçelë. Në këtë artikull do të shohim si mund ta ruajmë ekuilibrin ndërsa ndjekim me vëmendje ngjarjet botërore, si t’i kushtojmë vëmendje vetes dhe si ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën e mbetur.

RUAJ EKUILIBRIN NDËRSA SHEH Ç’NDODH NË BOTË

4. Pse duhet të na interesojë të kuptojmë si po i plotësojnë ngjarjet e sotme botërore profecitë e Biblës?

4 Ka arsye të forta pse duam të kuptojmë si po i plotësojnë ngjarjet e sotme botërore profecitë e Biblës. Për shembull, Jezui përmendi një varg ngjarjesh për të na ndihmuar të kuptojmë se sistemit të Satanait po i afrohet fundi. (Mat. 24:3-14) Apostulli Pjetër na nxiti t’i kushtojmë vëmendje plotësimit të profecive, sepse kështu do ta mbajmë besimin të fortë. (2 Pjet. 1:19-21) Gjithashtu, libri i fundit i Biblës hapet me fjalët: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet çfarë do të ndodhë së shpejti.» (Zbul. 1:1) Ja pse jemi shumë të interesuar për gjërat që ndodhin sot në botë dhe për të ditur si mund t’i plotësojnë këto ngjarje profecitë e Biblës. E ndoshta kemi shumë dëshirë të diskutojmë me njëri-tjetrin për ngjarjet botërore.

Çfarë duhet të shmangim dhe çfarë duhet të bëjmë kur diskutojmë për profecitë e Biblës? (Shih paragrafin 5) b

5. Çfarë duhet të shmangim, por çfarë duhet të bëjmë? (Shih edhe figurat.)

5 Gjithsesi, kur diskutojmë për profecitë e Biblës, nuk duhet të nxjerrim përfundime me hamendje. Pse? Sepse nuk duam të themi diçka që mund të shkaktojë përçarje në kongregacion. Për shembull, ndoshta dëgjojmë se udhëheqësit e botës po bëjnë bisedime se si të zgjidhin një konflikt të veçantë dhe të sjellin paqe e siguri. Në vend që të themi me hamendje se deklarata e tyre plotëson profecinë e 1 Selanikasve 5:3, duhet të jemi në një hap me informacionet më të fundit nga organizata e Jehovait. Kur i bazojmë diskutimet tona te materialet e botuara nga organizata, ndihmojmë që kongregacioni të mbetet i bashkuar «në një linjë arsyetimi».—1 Kor. 1:10; 4:6.

6. Çfarë mësimesh nxjerrim nga 2 Pjetrit 3:11-13?

6 Lexo 2 Pjetrit 3:11-13. Apostulli Pjetër na ndihmon të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar kur shqyrtojmë profecitë e Biblës. Ai na nxit ‘ta mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. Pse? Jo ngaqë duam të llogaritim «ditën ose orën» kur do ta sjellë Jehovai Armagedonin, por ngaqë duam ta shfrytëzojmë kohën e mbetur për të qenë ‘të shenjtë në gjithë sjelljen tonë dhe të përkushtuar ndaj Perëndisë në çdo gjë që bëjmë’. (Mat. 24:36; Luka 12:40) Me fjalë të tjera, duam të sillemi siç u ka hije adhuruesve të Jehovait dhe të sigurohemi se përpjekjet tona në shërbim janë shprehje e dashurisë së thellë për të. Që të vazhdojmë të përqendrohemi te këto gjëra, duhet t’i kushtojmë vëmendje vetes.

Ç’DO TË THOTË T’I KUSHTOSH VËMENDJE VETES?

7. Si e tregojmë se po i kushtojmë vëmendje vetes? (Luka 21:34)

7 Jezui i nxiti dishepujt e tij t’i kushtonin vëmendje jo vetëm ngjarjeve botërore por edhe vetes, siç e tregon qartë paralajmërimi që gjejmë te Luka 21:34. (Lexoje.) Jezui tha: «Kushtojini vëmendje vetes.» Një njeri që i kushton vëmendje vetes rri syçelë për të dalluar çdo gjë që mund t’i vërë në rrezik marrëdhënien me Jehovain dhe merr masa për t’i shmangur këto rreziqe. Në këtë mënyrë, mbetet i denjë për dashurinë e Perëndisë.—Prov. 22:3; Jud. 20, 21.

8. Çfarë nxitje u dha apostulli Pavël bashkëbesimtarëve?

8 Edhe apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët t’i kushtonin vëmendje vetes. Për shembull, të krishterëve në Efes u tha: «Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit.» (Efes. 5:15, 16) Miqësia jonë me Jehovain është shënjestra e sulmeve të pandalshme të Satanait, prandaj Bibla na këshillon ‘të vazhdojmë të dallojmë cili është vullneti i Jehovait’, që të mbrohemi nga çdo lloj sulmi.—Efes. 5:17.

9. Si e dallojmë cili është vullneti i Jehovait për ne?

9 Bibla nuk përmend një më një çdo gjë që mund të na rrezikojë miqësinë me Jehovain. Shpesh na duhet të marrim vendime për çështje që nuk trajtohen specifikisht në Shkrime. Për të marrë vendime të mençura, duhet të dallojmë ose të kuptojmë cili është «vullneti i Jehovait». Këtë mund ta bëjmë duke studiuar e medituar rregullisht për Fjalën e Perëndisë. Sa më shumë të përpiqemi të kuptojmë cili është vullneti i Jehovait dhe të kemi «mendjen e Krishtit», aq më shumë gjasa ka të ecim «si të mençurit», edhe atëherë kur nuk ka ndonjë rregull specifik si të veprojmë. (1 Kor. 2:14-16) Disa rreziqe nuk është aq vështirë t’i dallosh, kurse rreziqe të tjera janë më tinëzare.

10. Cilat janë disa rreziqe nga të cilat duhet të ruhemi?

10 Disa rreziqe nga të cilat duhet të ruhemi janë flirtimi, të hamë ose të pimë me tepri, të flasim në një mënyrë që i lëndon të tjerët dhe të zbavitemi duke parë dhunë, pornografi a gjëra të ngjashme. (Psal. 101:3) Kundërshtari ynë, Djalli, kërkon pareshtur ndonjë mundësi për të na dëmtuar miqësinë me Jehovain. (1 Pjet. 5:8) Po të mos jemi syçelë, Satanai mund të mbjellë në mendjen e në zemrën tonë farat e zilisë, pandershmërisë, lakmisë, urrejtjes, fodullëkut dhe inatit. (Gal. 5:19-21) Në fillim, këto mendime ose ndjenja mund të mos jenë aq të forta. Ama nëse nuk veprojmë menjëherë për t’i shkulur me rrënjë, do të rriten si një bimë helmuese e do të na hapin telashe.—Jak. 1:14, 15.

11. Cili është një rrezik tinëzar që duhet ta shmangim, dhe pse?

11 Një nga rreziqet tinëzare është shoqëria e keqe. Përfytyro këtë situatë: punon me dikë që nuk është Dëshmitar dhe dëshiron që ai të ketë mendim të mirë për Dëshmitarët e Jehovait, prandaj përpiqesh të jesh i sjellshëm e i gjindshëm. Madje, me raste, e hani drekën së bashku. S’kalon shumë e kjo kthehet në një zakon. Ndonjëherë shoku i punës e çon bisedën në gjëra imorale. Në fillim përpiqesh ta anashkalosh këtë. Por me kohë mësohesh kaq shumë me muhabete të tilla, sa nuk të duken më ofenduese. Një ditë shoku të fton të pini diçka pas pune dhe ti pranon. Dalëngadalë fillon të mendosh si ai. Në këtë pikë, a mendon se do të duhet shumë kohë që edhe të fillosh të veprosh si shoku i punës? Natyrisht, ne tregojmë mirësjellje e respekt ndaj të gjithëve, por njëkohësisht duhet të mbajmë parasysh se njerëzit me të cilët zgjedhim të kalojmë kohë, do të kenë ndikim të fuqishëm te ne. (1 Kor. 15:33) Nëse i kushtojmë vëmendje vetes, siç na nxiti Jezui, do ta shmangim shoqërimin e panevojshëm me ata që nuk jetojnë sipas normave të Jehovait. (2 Kor. 6:15) Do ta dallojmë rrezikun dhe do t’i largohemi.

SHFRYTËZOJE SA MË MIRË KOHËN

12. Çfarë duhej të bënin dishepujt e Jezuit ndërsa pritnin fundin e sistemit?

12 Ndërsa pritnin fundin e sistemit judaik, dishepujt e Jezuit nuk duhej të rrinin duarkryq. Jezui u ngarkoi një detyrë: i urdhëroi të predikonin lajmin e mirë «në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:6-8) Çfarë vepre kolosale duhej të kryenin! Duke u dhënë me gjithë shpirt pas atij caktimi, dishepujt e Jezuit e shfrytëzuan kohën në mënyrën më të shkëlqyer.

13. Pse duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën? (Kolosianëve 4:5)

13 Lexo Kolosianëve 4:5. Që t’i kushtojmë vëmendje vetes, duhet të shqyrtojmë me kujdes si po e përdorim kohën. Secilit nga ne mund t’i ndodhin ‘ngjarje të papritura’. (Ekl. 9:11) Jeta jonë mund të marrë fund befas.

Si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën? (Shih paragrafët 14-15)

14-15. Si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën? (Hebrenjve 6:11, 12) (Shih edhe figurën.)

14 E shfrytëzojmë kohën në mënyrën më të mirë duke kryer vullnetin e Jehovait e duke forcuar miqësinë me të. (Gjoni 14:21) Duhet të bëhemi «të palëkundur e të patundur» dhe të kemi «gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Kështu, kur të vijë fundi—qoftë fundi i jetës sonë, qoftë fundi i këtij sistemi të lig—nuk do të jemi pishman që nuk bëmë më shumë për Jehovain.—Mat. 24:13; Rom. 14:8.

15 Sot Jezui vazhdon t’i drejtojë dishepujt e vet teksa predikojnë për Mbretërinë e Perëndisë anekënd globit. Ai ka bërë pjesën e tij, e ka mbajtur premtimin që bëri. Nëpërmjet organizatës së Jehovait, Jezui na stërvit si të predikojmë dhe na siguron mjetet e nevojshme për të përhapur lajmin e mirë. (Mat. 28:18-20) Ne bëjmë pjesën tonë duke qenë të papërtuar në veprën e predikimit e të mësimdhënies dhe duke qëndruar syçelë teksa presim që Jehovai t’i japë fund këtij sistemi. Ndërsa zbatojmë këshillën që jepet te Hebrenjve 6:11, 12, shpresa jonë do të mbetet një spirancë e sigurt «deri në fund».—Lexoje.

16. Çfarë jemi të vendosur të bëjmë?

16 Jehovai e ka caktuar fiks ditën dhe orën kur do t’i japë fund sistemit të Satanait. Kur të vijë ajo ditë, Jehovai do t’i përmbushë me besnikëri profecitë që ka shkruar në Fjalën e tij. Ndërkohë, hera-herës mund të na duket sikur fundi po vonon. Sidoqoftë, dita e Jehovait «nuk do të vonojë». (Hab. 2:3) Prandaj qofshim të vendosur ‘t’i mbajmë sytë te Jehovai’ dhe ‘ta presim me durim Perëndinë e shpëtimit tonë’!—Mik. 7:7.

KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re

a Në këtë artikull do të shqyrtojmë si të mbajmë ekuilibrin dhe të rrimë syçelë ndërsa shohim ç’ndodh në botë. Gjithashtu do të shqyrtojmë si t’i kushtojmë vëmendje vetes dhe si ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën.

b PËRSHKRIMI I FIGURAVE: (Lart) Një çift sheh lajmet. Më vonë, pas mbledhjes së kongregacionit, flasin me të tjerët për opinionet e forta që kanë rreth kuptimit të ngjarjeve të përmendura në lajme. (Poshtë) Një çift sheh një raport nga Trupi Udhëheqës, që të jetë në një hap me shpjegimet më të fundit të profecive të Biblës. Ata u ofrojnë të tjerëve botime të bazuara në Bibël që siguron skllavi besnik.