ARTIKULLI I STUDIMIT 7

Si të përfitosh sa më shumë nga leximi i Biblës

Si të përfitosh sa më shumë nga leximi i Biblës

«Ç’ke kuptuar nga ajo që ke lexuar?»—LUKA 10:26.

KËNGA 97 Fjala jote për ne është jetë

PËRMBLEDHJE a

1. Nga e dimë që Shkrimet ishin të rëndësishme për Jezuin?

 IMAGJINO të dëgjoje Jezuin ndërsa mësonte. Ai citonte shpesh përmendsh nga Shkrimet e Shenjta. Në fakt, fjalët e para të dokumentuara që tha pas pagëzimit dhe disa nga fjalët e tij të fundit para vdekjes, ishin pikërisht citime nga Shkrimet. b (Ligj. 8:3; Psal. 31:5; Luka 4:4; 23:46) E gjatë tri viteve e gjysmë mes atyre ngjarjeve, Jezui ua lexoi, ua citoi dhe ua shpjegoi kushedi sa herë Shkrimet të tjerëve.—Mat. 5:17, 18, 21, 22, 27, 28; Luka 4:16-20.

Gjatë gjithë jetës, Jezui tregoi se i donte Shkrimet dhe lejoi që ato të ndikonin te mënyra si vepronte (Shih paragrafin 2)

2. Çfarë e ndihmoi Jezuin t’i njihte mirë Shkrimet ndërsa rritej? (Shih figurën e kopertinës.)

2 Gjatë viteve para se të fillonte shërbimin, Jezui e lexonte dhe e dëgjonte shpesh Fjalën e Perëndisë. Pa dyshim që në shtëpi dëgjonte Marinë e Jozefin të citonin Shkrimet në bisedat e përditshme. c (Ligj. 6:6, 7) E mund të jemi të sigurt që Jezui shkonte çdo Sabat në sinagogë me familjen e tij. (Luka 4:16) Atje patjetër dëgjonte tërë sy e veshë ndërsa lexoheshin Shkrimet. Me kohë, Jezui mësoi t’i lexonte vetë Shkrimet e Shenjta. Si rezultat, jo vetëm e njihte mirë Fjalën e Perëndisë, por edhe e donte dhe lejoi që ajo të ndikonte te mënyra si vepronte. Për shembull, të kujtojmë ç’ndodhi në tempull kur Jezui ishte vetëm 12 vjeç. Mësuesit që e njihnin në majë të gishtave Ligjin e Moisiut «mahniteshin me aftësinë [e Jezuit] për të kuptuar dhe me përgjigjet që jepte».—Luka 2:46, 47, 52.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Kur i lexojmë rregullisht Shkrimet, edhe ne mund ta njohim mirë Fjalën e Perëndisë e ta duam. Por, si mund të nxjerrim sa më shumë dobi nga leximi i saj? Për këtë mund të na ndihmojnë fjalët që u tha Jezui atyre që e njihnin Ligjin, ku përfshiheshin skribët, farisenjtë dhe saducenjtë. Ata udhëheqës fetarë i lexonin shpesh Shkrimet, por nuk nxirrnin dobi nga ajo që lexonin. Jezui nxori në pah tri gjëra që i pengonin të përfitonin më shumë nga Shkrimet. Fjalët që u tha Jezui do të na ndihmojnë të bëhemi më të aftë (1) për ta kuptuar atë që lexojmë, (2) për të gjetur margaritarë brenda Shkrimeve dhe (3) për ta lejuar Fjalën e Perëndisë të na modelojë.

PËRPIQU TA KUPTOSH ATË QË LEXON

4. Ç’na mëson Luka 10:25-29 për leximin e Fjalës së Perëndisë?

4 Për të nxjerrë dobi plotësisht nga leximi i Fjalës së Perëndisë, duhet të kapim kuptimin e asaj që lexojmë. Të mendojmë, për shembull, për bisedën që bëri Jezui me «një njeri që e njihte mirë Ligjin». (Lexo Lukën 10:25-29.) Kur ai e pyeti ç’duhej të bënte për të fituar jetën e përhershme, Jezui i bëri këto pyetje që e drejtonin te Fjala e Perëndisë: «Çfarë është shkruar në Ligj? Ç’ke kuptuar nga ajo që ke lexuar?» Ai dha një përgjigje të saktë duke cituar shkrime rreth dashurisë për Perëndinë dhe dashurisë për të tjerët. (Lev. 19:18; Ligj. 6:5) Por vër re çfarë tha pastaj: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Kështu tregoi se nuk e kuptonte vërtet atë që kishte lexuar. Si pasojë nuk dinte si t’i zbatonte ato shkrime në jetën e përditshme.

Mund ta zhvillojmë më tej aftësinë për ta kuptuar atë që lexojmë

5. Si mund të të ndihmojnë lutjet dhe leximi me ritëm të ngadaltë që ta kuptosh më mirë Fjalën e Perëndisë?

5 Një gjë që mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë Fjalën e Perëndisë është të zhvillojmë zakone të mira leximi. Ja disa sugjerime. Lutu para se të fillosh leximin. Kemi nevojë për ndihmën e Jehovait që t’i kuptojmë Shkrimet, prandaj kërkoji të të japë frymën e shenjtë që të përqendrohesh. Pastaj lexo me ritëm të ngadaltë. Kështu do ta kesh më të lehtë ta kuptosh atë që po lexon. Mund të jetë e dobishme edhe të lexosh me zë ose me ndihmën e regjistrimeve audio të Biblës, nëse janë në dispozicion në gjuhën tënde. Në këtë mënyrë do të përfshish më shumë shqisa gjatë leximit, e si rezultat Fjala e Perëndisë mund të lërë gjurmë më të thella në mendjen e zemrën tënde. (Jos. 1:8) Në fund të leximit, lutu prapë për ta falënderuar Jehovain që të ka dhuruar Biblën dhe për t’i kërkuar ndihmë që ta zbatosh atë që lexove.

Si mund të të ndihmojnë shënimet e shkurtra ta kuptosh e ta kujtosh atë që lexon? (Shih paragrafin 6)

6. Si mund të të ndihmojnë pyetjet dhe shënimet e shkurtra ndërsa lexon? (Shih edhe figurën.)

6 Të shohim edhe dy gjëra të tjera që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë Biblën. Bëji pyetje vetes ndërsa lexon një fragment të Biblës: «Cilët janë personazhet kryesore? Kush po flet këtu? Kujt po i flet dhe pse? Ku dhe kur po ndodh ngjarja?» Pyetja të tilla do të të ndihmojnë të dallosh idetë kryesore e të ndjekësh rrjedhën e tyre. Veç kësaj, mbaj shënime të shkurtra ndërsa lexon. Kur shkruan, e detyron veten ta shprehësh me fjalë atë që mendon, e kështu kthjellon mendjen. Gjithashtu, kur shkruan për atë që lexove, e ke më kollaj ta mbash mend. Mund të hedhësh me shkrim pyetje që të lindin, gjëra që zbulove nga kërkimet, pikat kryesore, nja dy ide si ta përdorësh atë që lexove ose thjesht mund të shkruash si u ndjeve. Kur mban shënime, e ke më të lehtë ta shohësh Biblën si një mesazh që Perëndia ta drejton ty personalisht.

7. Çfarë cilësie na nevojitet ndërsa lexojmë Biblën, dhe pse? (Mateu 24:15)

7 Jezui nënvizoi se na nevojitet diçka e rëndësishme për ta kuptuar atë që lexojmë në Fjalën e Perëndisë—aftësia dalluese. (Lexo Mateun 24:15.) Çfarë është aftësia dalluese? Është aftësia për të kuptuar si lidhet një ide me një tjetër e si ndryshon nga një ide tjetër, si edhe për të dalluar diçka që nuk duket menjëherë. Në harmoni me fjalët e Jezuit, na duhet aftësi dalluese edhe për të kuptuar si i plotësojnë ngjarjet botërore profecitë e Biblës. Kjo cilësi na duhet për të nxjerrë dobi plotësisht nga çdo gjë që lexojmë në Bibël.

8. Si mund ta zhvillosh aftësinë dalluese kur lexon Shkrimet?

8 Jehovai u jep aftësi dalluese shërbëtorëve të vet. Prandaj kërkoji në lutje që të të ndihmojë ta zhvillosh këtë cilësi. (Prov. 2:6) Si mund të veprosh në harmoni me lutjet e tua? Analizoje me kujdes atë që lexon dhe vër re si lidhet me gjërat e tjera që di. Për këtë mund të të ndihmojnë kërkimet në botimet tona, si për shembull te Mjet kërkimesh për Dëshmitarët e Jehovait. Botime të tilla të ndihmojnë të kapësh kuptimin e një fragmenti të Biblës dhe të dallosh në cilat mënyra mund ta zbatosh në jetën tënde. (Hebr. 5:14) Duke përdorur aftësi dalluese, do t’i kuptosh më mirë Shkrimet.

KËRKO MARGARITARË GJATË LEXIMIT

9. Cilën të vërtetë të rëndësishme të Shkrimeve nuk pranonin saducenjtë?

9 Saducenjtë i njihnin mirë pesë librat e parë të Shkrimeve Hebraike, por shpërfillnin të vërteta të rëndësishme që përmbanin ata libra të frymëzuar. Për shembull, të mendojmë si u përgjigj Jezui kur saducenjtë deshën ta zinin në grackë dhe e pyetën për ringjalljen. Ai ua ktheu: «A nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në tregimin për shkurren me gjemba, kur Perëndia i tha: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’» (Mar. 12:18, 26) S’do mend që saducenjtë duhej ta kishin lexuar kushedi sa herë atë fragment. Por pyetja e Jezuit tregoi se ata nuk pranonin një të vërtetë të rëndësishme të Shkrimeve—mësimin e ringjalljes.—Mar. 12:27; Luka 20:38. d

10. Për çfarë duhet të jemi të vëmendshëm kur lexojmë Shkrimet?

10 Cili është mësimi për ne? Kur lexojmë, duam të jemi të vëmendshëm për të kapur çdo gjë që dëshiron të na mësojë Jehovai nëpërmjet një vargu a ngjarjeje në Bibël. Duam të dallojmë jo vetëm mësimet themelore, por edhe të vërtetat e parimet më të thella që janë si margaritarë të fshehur.

11. Në harmoni me 2 Timoteut 3:16, 17, si mund të gjesh margaritarë brenda Biblës?

11 Si mund të gjesh margaritarë kur lexon Biblën? Mendo pak për 2 Timoteut 3:16, 17. (Lexoje.) Aty thuhet se «i gjithë Shkrimi është . . . i dobishëm» (1) për të mësuar, (2) për të korrigjuar, (3) për të ndrequr dhe (4) për të disiplinuar. Që të katra këto dobi mund t’i nxjerrësh edhe nga libra të Biblës që nuk i përdor shpesh. Analizoje një fragment për të parë çfarë të mëson për Jehovain, për qëllimin e tij ose për parimet hyjnore. Shqyrto si mund të jenë të dobishme për të korrigjuar ato vargje. Këtë mund ta bësh duke medituar si të ndihmojnë të dallosh e të çrrënjosësh prirje ose qëndrime të gabuara dhe t’i qëndrosh besnik Jehovait. Mendo si mund të përdoret ai fragment për t’i vënë gjërat në vijë, pra për të ndrequr një pikëpamje të gabuar, mbase ndonjë ide që e dëgjove në shërbim. Gjithashtu përpiqu të dallosh si mund të të disiplinojnë ato vargje duke të stërvitur të mendosh ashtu si Jehovai. Nëse i mban parasysh këto katër dobi, ke për të gjetur margaritarë që do të ta pasurojnë leximin e Biblës.

LEJOJE BIBLËN TË TË MODELOJË

12. Për ç’arsye i pyeti Jezui farisenjtë «a nuk e keni lexuar»?

12 Pyetjen «a nuk e keni lexuar?» Jezui e përdori edhe për të theksuar se farisenjtë i lexonin Shkrimet me qëndrimin e gabuar. (Mat. 12:1-7) e Në atë rast, farisenjtë thanë se dishepujt e Jezuit kishin shkelur Sabatin. Në përgjigje të kësaj, Jezui përmendi dy shembuj nga Shkrimet dhe citoi një varg nga Hozea për të treguar se farisenjtë nuk e kishin kuptuar fare qëllimin e ligjit të Sabatit dhe nuk i trajtonin të tjerët me mëshirë. Po pse ata burra nuk ishin modeluar nga Fjala e Perëndisë? Sepse e lexonin me qëndrim kritik dhe krenar. Ky qëndrim i pengonte ta kapnin kuptimin e asaj që lexonin.—Mat. 23:23; Gjoni 5:39, 40.

13. Me çfarë qëndrimi duhet ta lexojmë Biblën, dhe pse?

13 Fjalët e Jezuit na mësojnë se kemi nevojë ta lexojmë Biblën me qëndrimin e duhur. Ndryshe nga farisenjtë, duhet të jemi të sinqertë dhe të gatshëm të mësojmë e të modelohemi. Duhet ‘të pranojmë me butësi që në zemrat tona të rrënjoset fjala e Perëndisë’. (Jak. 1:21) Pra, një frymë e butë është jetësore që Fjala e Perëndisë të hedhë rrënjë në zemër. Mësimet e Biblës për mëshirën, dhembshurinë dhe dashurinë do të na modelojnë vetëm po të ruhemi nga fryma kritike ose krenare.

Si mund ta dallojmë nëse po lejojmë të na modelojë Fjala e Perëndisë? (Shih paragrafin 14) f

14. Si mund ta kuptojmë nëse po lejojmë që Bibla të na modelojë? (Shih edhe figurat.)

14 Mënyra si i trajtojmë të tjerët tregon nëse po e lejojmë Fjalën e Perëndisë të na modelojë. Ngaqë nuk e lejonin Fjalën e Perëndisë t’u depërtonte në zemër, farisenjtë ‘dënonin të pafajshmit’. (Mat. 12:7) Edhe në rastin tonë, mënyra si i shohim dhe si i trajtojmë të tjerët tregon nëse kemi lejuar të na modelojë Fjala e Perëndisë. Për shembull, a flasim kryesisht për të mirat që vërejmë te të tjerët, apo nuk na rrihet pa përmendur të metat që kanë? A jemi të mëshirshëm dhe të gatshëm të falim, apo kemi qëndrim kritik dhe prirjen të mbajmë mëri? Ky vetëshqyrtim mund të tregojë nëse po lejojmë që Shkrimet të ndikojnë te mendimet, te ndjenjat dhe te sjellja jonë.—1 Tim. 4:12, 15; Hebr. 4:12.

LEXIMI I BIBLËS—BURIM LUMTURIE

15. Si ndihej Jezui për Shkrimet e Shenjta?

15 Jezui i donte Shkrimet e Shenjta. Ndjenjat e tij shpreheshin te këto fjalë profetike të Psalmit 40:8: «O Perëndia im, s’kam tjetër kënaqësi veç të bëj vullnetin tënd dhe ligjin tënd e kam thellë në zemër.» Falë dashurisë për Shkrimet, Jezui ishte i lumtur e pati sukses në shërbim të Jehovait. Edhe ne mund të jemi të lumtur e të suksesshëm nëse e lexojmë dhe e futim në zemër Fjalën e Perëndisë.—Psal. 1:1-3.

16. Çfarë dëshiron të bësh që të përfitosh sa më shumë nga leximi i Fjalës së Perëndisë? (Shih kutinë « Fjalët e Jezuit mund të të ndihmojnë ta kuptosh atë që lexon».)

16 Le t’ua vëmë veshin fjalëve të Jezuit e të imitojmë shembullin e tij duke përmirësuar aftësitë tona në leximin e Biblës. Lutjet, leximi me ritëm të ngadaltë, pyetjet që i bëjmë vetes dhe shënimet e shkurtra do të na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë Biblën. Ndërsa e analizojmë me kujdes atë që lexojmë me ndihmën e botimeve tona të bazuara te Bibla, do të zhvillojmë aftësinë dalluese. Duke u përpjekur të gjejmë margaritarë, do të nxjerrim më shumë dobi nga Shkrimet, madje edhe nga ato fragmente që nuk i përdorim shpesh. Gjithashtu, nëse përpiqemi ta lexojmë përherë me qëndrimin e duhur Fjalën e Perëndisë, do të lejojmë të modelohemi prej saj. Teksa përpiqemi me gjithë shpirt t’i zhvillojmë këto aftësi, do të përfitojmë më shumë nga leximi i Biblës dhe do të afrohemi përditë e më shumë me Jehovain.—Psal. 119:17, 18; Jak. 4:8.

KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë

a Të gjithë ne që adhurojmë Jehovain përpiqemi ta lexojmë Fjalën e tij çdo ditë. Ka edhe shumë njerëz të tjerë që e lexojnë Biblën, por nuk e kuptojnë vërtet atë që lexojnë. Kështu ishte për disa nga ata që jetonin në kohën e Jezuit. Ndërsa shqyrtojmë çfarë u tha Jezui atyre që lexonin Fjalën e Perëndisë, do të nxjerrim mësime që do të na ndihmojnë të përfitojmë më shumë nga leximi i Biblës.

b Në momentin kur u pagëzua dhe u miros me frymë të shenjtë, Jezuit iu kthye në kujtesë jeta e tij para se të vinte në tokë.—Mat. 3:16.

c Maria kishte njohuri të thellë për Shkrimet dhe citonte përmendsh vargje. (Luka 1:46-55) Ka shumë mundësi që Jozefit dhe Marisë nuk ua mbante xhepi të blinin kopje personale të Shkrimeve. Prandaj duhet të kenë dëgjuar me vëmendje kur lexohej Fjala e Perëndisë në sinagogë, që ta mbanin mend më vonë.

d Shih artikullin «Afrojuni Perëndisë—‘Ai është Perëndia i të gjallëve’» në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2013.

e Shih edhe Mateun 19:4-6, ku Jezui u bëri farisenjve të njëjtën pyetje: «A nuk e keni lexuar?» Ata e kishin lexuar tregimin për krijimin, por nuk e pranonin mësimin që përmbante—pikëpamjen e Perëndisë për martesën.

f PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Gjatë një mbledhjeje në Sallën e Mbretërisë, një vëlla që ndihmon me audio-videon bën disa gabime. Megjithatë, pas mbledhjes, vëllezërit nuk përqendrohen te gabimet që bëri, por e lavdërojnë për përpjekjet e tij.