ARTIKULLI I STUDIMIT 33

Mëso nga shembulli i Danielit

Mëso nga shembulli i Danielit

«Ti je shumë i vyer.»—DAN. 9:23.

KËNGA 73 Jehova, na jep guxim!

PËRMBLEDHJE a

1. Pse u ra në sy babilonasve profeti Daniel?

 PROFETI Daniel ishte i ri në moshë kur babilonasit e morën si rob lufte dhe e syrgjynosën larg vendlindjes. Por me sa duket, Danieli u tërhoqi vëmendjen autoriteteve babilonase. Ata panë ‘atë që shihte syri’—pra që ai ishte ‘pa asnjë të metë, i pashëm’ dhe vinte nga derë fisnike. (1 Sam. 16:7) Prandaj babilonasit e stërvitën që të bëhej pjesë e elitës së shoqërisë së tyre.—Dan. 1:3, 4, 6.

2. Si ndihej Jehovai për Danielin? (Ezekieli 14:14)

2 Jehovai e donte Danielin e ri jo për pamjen a për shtresën shoqërore, por për llojin e njeriut që zgjodhi të bëhej. Në fakt, Danieli mund të ketë qenë nga fundi i adoleshencës ose fillimi i të 20-ve kur Jehovai e përmendi si një shembull krahas Noesë dhe Jobit, të cilët kishin gëzuar miratimin e Tij për dekada të tëra. (Zan. 5:32; 6:9, 10; Jobi 42:16, 17; lexo Ezekielin 14:14.) E Jehovai vazhdoi t’i tregonte dashuri Danielit gjatë gjithë jetës së tij të gjatë e mbresëlënëse.—Dan. 10:11, 19.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë dy cilësi që e bënë Danielin të vyer për Jehovain. Në fillim do të ndalemi te secila prej tyre duke parë raste konkrete kur Danieli i shfaqi në jetën e tij. Pastaj do të shohim çfarë e ndihmoi t’i zhvillonte ato cilësi. Në fund do të shqyrtojmë se si mund ta imitojmë. Ndonëse ky artikull është shkruar enkas për fëmijët dhe të rinjtë, të gjithë mund të mësojmë nga shembulli i Danielit.

IMITO GUXIMIN E DANIELIT

4. Si tregoi guxim Danieli? Jepni një shembull.

4 Njerëzit e guximshëm mund të ndiejnë frikë, ama nuk e lejojnë frikën t’i pengojë të bëjnë atë që është e drejtë. Danieli ishte një i ri mjaft i guximshëm. Të shohim dy raste kur tregoi guxim. Ngjarja e parë duhet të ketë ndodhur rreth dy vjet pasi babilonasit shkatërruan Jerusalemin. Mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, pa një ëndërr që e trazoi me një statujë tejet të madhe. Ai kërcënoi se do t’i vriste të gjithë burrat e mençur, mes të cilëve edhe Danieli, po të mos i tregonin çfarë ëndrre kishte parë dhe t’ia interpretonin. (Dan. 2:3-5) Danieli duhej të vepronte me shpejtësi, përndryshe do të humbnin jetën të gjithë. Ai «shkoi dhe i kërkoi mbretit t’i jepte kohë, që t’i thoshte interpretimin». (Dan. 2:16) Kjo kërkonte guxim e besim. Pse? Sepse Shkrimet nuk tregojnë se Danieli kishte interpretuar ëndrra më parë. Ai u kërkoi shokëve të tij—të cilëve u kishin vënë emrat babilonas Shadrak, Meshak dhe Abednego—që «t’i luteshin për mëshirë Perëndisë së qiellit për këtë të fshehtë». (Dan. 2:18) E Jehovai iu përgjigj atyre lutjeve. Me ndihmën e Perëndisë, Danieli e interpretoi ëndrrën e Nabukodonosorit. Kështu Danielit dhe shokëve të tij iu kursye jeta.

5. Si u sprovua guximi i Danielit në një rast tjetër?

5 Ca kohë pasi interpretoi ëndrrën për statujën tejet të madhe, guximi i Danielit u sprovua prapë. Nabukodonosori pa një ëndërr tjetër që e tronditi. Në atë ëndërr iu shfaq një pemë gjigante. Me guxim, Danieli ia shpjegoi kuptimin e ëndrrës. Kjo përfshinte t’i thoshte mbretit se për njëfarë kohe do të çmendej dhe do ta humbte fronin. (Dan. 4:25) Mbreti mund ta quante atë mesazh një rebelim kundër tij dhe mund ta ekzekutonte Danielin. Prapëseprapë, Danieli tregoi guxim e ia dha mesazhin.

6. Çfarë mund ta ketë ndihmuar Danielin të ishte i guximshëm?

6 Çfarë mund ta ketë ndihmuar Danielin të tregonte guxim gjatë gjithë jetës? Në fëmijëri, Danieli kishte shembullin e mirë të nënës dhe babait të tij. Pa dyshim që ata u bindeshin udhëzimeve të Jehovait për prindërit izraelitë dhe i mësonin djalit të tyre Ligjin e Perëndisë. (Ligj. 6:6-9) Danieli dinte jo vetëm mësimet bazë, siç ishin Dhjetë Urdhërimet, por edhe shumë hollësi të Ligjit, si për shembull çfarë mund të hante një izraelit e çfarë jo. b (Lev. 11:4-8; Dan. 1:8, 11-13) Gjithashtu, Danieli kishte mësuar historinë e popullit të Jehovait dhe e dinte ç’pasoja vinin kur nuk jetonin sipas normave të Tij. (Dan. 9:10, 11) Nga përvojat që kishte pasur gjatë gjithë jetës, Danieli ishte i sigurt se çfarëdo që të ndodhte, Jehovai dhe engjëjt e Tij të fuqishëm do ta mbështetnin.—Dan. 2:19-24; 10:12, 18, 19.

Danieli zhvilloi guxim falë studimit dhe lutjeve e duke u mbështetur te Jehovai (Shih paragrafin 7)

7. Ç’gjë tjetër e ndihmoi Danielin të ishte i guximshëm? (Shihni edhe figurën.)

7 Danieli studionte shkrimet e profetëve të Perëndisë, ku përfshiheshin edhe profecitë e Jeremisë. Nga ai studim, më vonë kuptoi se çlirimi judenjve nga robëria e gjatë në Babiloni ishte në prag. (Dan. 9:2) Danieli e pa me sytë e vet plotësimin e profecive dhe, pa dyshim, kjo ia forcoi besimin te Jehovai. E ata që kanë besim të fortë të Perëndia mund të kenë guxim të jashtëzakonshëm. (Krahaso Romakëve 8:31, 32, 37-39.) Mbi të gjitha, Danieli i lutej shpesh Atit të tij qiellor. (Dan. 6:10) Ai ia rrëfente Jehovait gabimet e tij dhe i tregonte çfarë kishte në skutat e zemrës. Gjithashtu i kërkonte ndihmë. (Dan. 9:4, 5, 19) Danieli ishte njeri si të gjithë ne, pra nuk kishte lindur i guximshëm. Atë cilësi e zhvilloi falë studimit dhe lutjeve e duke u mbështetur te Jehovai.

8. Si mund të zhvillojmë guxim?

8 Çfarë duhet të bëjmë që të zhvillojmë guxim? Prindërit mund të na nxitin të jemi të guximshëm, por nuk na e trashëgojnë dot këtë cilësi. Të mësosh të jesh i guximshëm është si të zhvillosh një aftësi të re. Një mënyrë si ta përvetësosh një aftësi është të shohësh me vëmendje si vepron një mjeshtër, e pastaj të imitosh shembullin e tij. Po njësoj, ne mësojmë të jemi të guximshëm kur shohim me kujdes si e shfaqin të tjerët këtë cilësi, e pastaj imitojmë shembullin e tyre. Çfarë kemi mësuar, pra, nga Danieli? Ashtu si ai, duhet ta njohim mirë Fjalën e Perëndisë. Duhet të krijojmë një lidhje të ngushtë me Jehovain, duke folur shpesh e hapur me të. Gjithashtu duhet të mbështetemi me besim te Perëndia ynë, të sigurt se do të na gjendet gjithmonë pranë. Kështu, kur të na sprovohet besimi, do të tregojmë guxim.

9. Cilat dobi vijnë kur jemi të guximshëm?

9 Guximi që tregojmë, mund të sjellë shumë dobi. Të mendojmë për rastin e Benit. Ai shkonte në një shkollë në Gjermani ku të gjithë besonin tek evolucioni dhe mendonin se historia e Biblës për krijimin është një mit. Një ditë Benit iu dha mundësia të dilte para klasës dhe të shpjegonte arsyet pse besonte se jeta ka ardhur me krijim. Me guxim, ai foli për bindjet e tij. Cili ishte rezultati? «Mësuesi më dëgjoi me vëmendje dhe bëri kopje të materialit që përdora si bazë për argumentet e mia. Pastaj ato kopje ua shpërndau të gjithë nxënësve të klasës»,—tregon Beni. Si reaguan shokët e klasës? Beni thotë: «Shumë prej tyre ishin mendjehapur dhe thanë se më admironin.» Siç e tregon shembulli i Benit, njerëzit e guximshëm shpesh fitojnë respektin e të tjerëve. Gjithashtu mund t’i ndihmojnë njerëzit me zemër të sinqertë të njohin Jehovain. Pra, kemi arsye të shkëlqyera për të zhvilluar guxim.

IMITO BESNIKËRINË E DANIELIT

10. Çfarë është besnikëria?

10 Në Bibël, fjala hebraike e përkthyer «besnikëri» ose «dashuri besnike» përcjell idenë e një dashurie të thellë dhe një lidhjeje të ngushtë, e shpesh përdoret për dashurinë që ka Perëndia për shërbëtorët e tij. Kjo fjalë përdoret edhe për dashurinë që kanë shërbëtorët e Perëndisë për njëri-tjetrin. (2 Sam. 9:6, 7) Jehovai pret të tregojmë edhe ne besnikëri ndaj tij. Besnikëria jonë forcohet me kalimin e kohës. Të shohim si ndodhi kjo në rastin e Danielit.

Jehovai e shpërblen Danielin për besnikërinë duke dërguar një engjëll dhe duke u mbyllur gojën luanëve (Shih paragrafin 11)

11. Si iu sprovua besnikëria Danielit kur ishte i moshuar? (Shihni figurën e kopertinës.)

11 Danielit iu sprovua besnikëria ndaj Jehovait gjatë gjithë jetës. Por një nga sprovat më të rënda e pati kur ishte në të 90-at. Në atë kohë, Babiloninë e kishin pushtuar medët e persët dhe në fron ishte mbreti Dar. Pjesëtarët e oborrit mbretëror e kishin halë në sy Danielin dhe nuk kishin respekt për Perëndinë që adhuronte ai, prandaj kurdisën një komplot për ta vrarë. Ata i manovruan gjërat që të dilte një dekret i cili do të provonte nëse Danieli ishte besnik ndaj Perëndisë së tij apo ndaj mbretit. Që të provonte besnikërinë ndaj mbretit e të mos binte në sy, mjaftonte që Danieli të mos i lutej Jehovait për 30 ditë. Por ai nuk bëri kompromis. Për pasojë, e hodhën në gropën e luanëve. Ama Jehovai e shpërbleu Danielin për besnikërinë e tij duke e shpëtuar nga goja e luanëve. (Dan. 6:12-15, 20-22) Si mund të zhvillojmë edhe ne një besnikëri të pathyeshme ndaj Jehovait, ashtu si Danieli?

12. Si zhvilloi Danieli një besnikëri të pathyeshme ndaj Jehovait?

12 Siç u përmend më sipër, motivi për të qëndruar besnikë është dashuria e thellë për Jehovain. Besnikëria e Danielit ndaj Jehovait ishte e pathyeshme sepse e donte me gjithë shpirt Atin e tij qiellor. Pa dyshim, atë dashuri Danieli e zhvilloi duke reflektuar për cilësitë e Jehovait dhe si i shfaqte ato cilësi. (Dan. 9:4) Gjithashtu bluante në mendje gjithë gjërat e mira që kishte bërë Jehovai për të e për popullin e Tij dhe ndiente mirënjohje.—Dan. 2:20-23; 9:15, 16.

Ashtu si Danieli, dashuria e thellë për Jehovain do të të ndihmojë të zhvillosh besnikëri të pathyeshme ndaj Tij (Shih paragrafin 13)

13. (a) Çfarë sprovash besnikërie hasin të rinjtë sot? Jepni një shembull. (Shihni edhe figurën.) (b) Si mund të përgjigjesh kur të pyesin nëse Dëshmitarët e Jehovait i përkrahin ata që zgjedhin të jetojnë si homoseksualë? (Shihni në jw.org videon ‘Drejtësia e vërtetë sjell paqe’.)

13 Ashtu si Danieli, fëmijët dhe të rinjtë Dëshmitarë rrethohen nga njerëz që s’kanë pikë respekti për Jehovain dhe për normat e tij. Njerëz të tillë mund t’i kenë zët ata që thonë se e duan Perëndinë. Disa madje u bëjnë presion për t’i detyruar të shkelin besnikërinë ndaj Jehovait. Të shohim, për shembull, çfarë ndodhi me Gremin, një i ri që jeton në Australi. Ai u gjend në një situatë të vështirë kur ishte në shkollë të mesme. Mësuesi e pyeti klasën si do të reagonin nëse një shok u thoshte se ishte homoseksual. Të gjithë ata që e përkrahnin shokun për jetën si homoseksual duhej të shkonin në një anë të klasës, kurse ata që nuk e përkrahnin, në anën tjetër. Gremi thotë: «Përveç meje dhe një Dëshmitari tjetër, tërë klasa shkoi në anën që tregonte se e përkrahnin atë stil jetese.» Ajo që ndodhi më pas ishte një sprovë goxha e vështirë për besnikërinë e Gremit ndaj Jehovait. Ai tregon: «Për një orë të tërë, nxënësit e tjerë e madje edhe mësuesi na tallën dhe na fyen. Bëra çmos ta mbroja besimin me qetësi e duke arsyetuar, por nuk dëgjonin asnjë fjalë që thosha.» Si ndikoi te Gremi ajo sprovë besnikërie? Ai thotë: «Nuk më pëlqeu që u bëra shënjestër ofendimesh, ama e kisha zemrën mal që i mbrojta bindjet e mia pa bërë kompromis.»

14. Cila është një mënyrë si mund të zhvillojmë besnikëri të pathyeshme ndaj Jehovait?

14 Mund të zhvillojmë një besnikëri të pathyeshme ndaj Jehovait nëse, ashtu si Danieli, e forcojmë gjithnjë e më shumë dashurinë për Të. Këtë dashuri e ushqejmë ndërsa mësojmë për cilësitë e Jehovait. Për shembull, mund të studiojmë gjërat që ka krijuar ai. (Rom. 1:20) Nëse dëshiron t’i thellosh dashurinë dhe respektin për Jehovain, mund të lexosh artikujt e shkurtër ose të shohësh videot e serisë «A është projektuar?». Gjithashtu mund të lexosh broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Shiko çfarë thotë për këto botime Estera, një motër e re nga Danimarka: «Arsyetimet janë fantastike. Broshurat nuk të thonë çfarë të besosh; thjesht parashtrojnë faktet dhe të lënë të marrësh vetë një vendim.» Beni, që u përmend më sipër, thotë: «Këto materiale ta forcojnë tej mase besimin. Aty gjeta prova bindëse se jetën e ka krijuar Perëndia.» Pasi t’i studiosh këto materiale, ka shumë mundësi të bashkohesh me këto fjalë të Biblës: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka.»—Zbul. 4:11. c

15. Cila është një mënyrë tjetër si të zhvillojmë dashuri të thellë për Jehovain?

15 Një mënyrë tjetër si të zhvillojmë dashuri të thellë për Jehovain është të shqyrtojmë me kujdes jetën e Birit të tij, Jezuit. Kështu bëri Samira, një motër e re që jeton në Gjermani. Ajo thotë: «Nëpërmjet Jezuit, njoha më mirë Jehovain.» Kur ishte e vogël, Samira e kishte të vështirë të kuptonte si mund të kishte ndjenja Jehovai. Ama e kuptonte si ndihej Jezui. «Më pëlqente Jezui se ishte miqësor dhe i donte fëmijët»,—tregon ajo. Sa më shumë mësonte për Jezuin, aq më shumë e njihte dhe e donte Jehovain. Pse? Ajo thotë: «Dalëngadalë kuptova se Jezui imiton në mënyrë të përsosur Atin e tij. Ata ngjajnë shumë me njëri-tjetrin. Kuptova se kjo ishte një nga arsyet pse Jehovai e dërgoi Jezuin në tokë: që njerëzit të njohin më mirë Atë.» (Gjoni 14:9) Nëse dëshiron ta forcosh miqësinë me Jehovain, pse të mos përpiqesh ta njohësh sa më mirë Jezuin? Nëse e bën këtë, do të të forcohen dashuria për Jehovain dhe besnikëria ndaj Tij.

16. Si nxjerrim dobi kur jemi besnikë? (Psalmi 18:25; Mikea 6:8)

16 Njerëzit besnikë zakonisht kanë miq të ngushtë e besnikë. (Rutha 1:14-17) Veç kësaj, ata që janë besnikë ndaj Jehovait, mund ta kenë zemrën të qetë e të kënaqur. Pse? Sepse Jehovai premton se do të jetë besnik me ata që janë besnikë ndaj tij. (Lexo Psalmin 18:25; Mikenë 6:8.) Mendo pak: Krijuesi i plotfuqishëm dëshiron të ketë një lidhje të ngushtë e të ngrohtë me ne! E asnjë sprovë, asnjë kundërshtar, madje as vdekja nuk e thyen dot këtë lidhje. (Dan. 12:13; Luka 20:37, 38; Rom. 8:38, 39) Sa e rëndësishme është, pra, të imitojmë Danielin e t’i qëndrojmë besnikë Jehovait!

VAZHDO TË MËSOSH NGA DANIELI

17-18. Çfarë mund të mësojmë tjetër nga Danieli?

17 Në këtë artikull kemi shqyrtuar vetëm dy cilësi të Danielit. Por prej tij mund të mësojmë shumë më tepër. Për shembull, Jehovai i dha Danielit disa vegime e ëndrra, si edhe aftësinë për të interpretuar mesazhe profetike. Sot shumë nga ato profeci janë plotësuar. Profeci të tjera japin hollësi për ngjarje të së ardhmes që do të ndikojnë te çdo njeri në tokë.

18 Në artikullin tjetër do t’u hedhim një sy dy profecive që shkroi Danieli. Kur i kuptojmë këto profeci, të gjithë ne—qofshim fëmijë, të rinj a të rritur—e kemi më të lehtë të marrim vendime të mençura. Gjithashtu, falë këtyre profecive mund të kalitim guximin e besnikërinë, që të jemi të përgatitur për sprovat që do të përballojmë së shpejti.

KËNGA 119 Besimi që mund botën

a Fëmijët dhe të rinjtë që i shërbejnë Jehovait gjenden shpesh në situata që u sprovojnë guximin dhe besnikërinë ndaj tij. Shokët e klasës mund t’i tallin ngaqë besojnë te krijimi. Ose moshatarët mund t’i vënë në lojë ngaqë i shërbejnë Perëndisë dhe jetojnë sipas normave të tij. Por siç do ta shohim në këtë artikull, ata që imitojnë profetin Daniel dhe i shërbejnë Jehovait me guxim e besnikëri janë vërtet të mençur.

b Ka tri arsye të mundshme pse Danieli i konsideroi të papastra ushqimet e babilonasve: (1) Ai mund të ishte mishi i kafshëve të ndaluara nga Ligji. (Ligj. 14:7, 8) (2) Mishit mund të mos i ishte hequr gjaku siç duhej. (Lev. 17:10-12) (3) Ngrënia e atyre ushqimeve mund të shihej si pjesë e adhurimit të një perëndie të rremë.—Krahaso Levitikun 7:15 dhe 1 Korintasve 10:18, 21, 22.

c Për ta forcuar dashurinë për Jehovain, mund të studiosh edhe librin T’i afrohemi Jehovait, ku shqyrtohen me hollësi disa cilësi të personalitetit të Jehovait.